
Shefi i Zyrës së BE-së/PSBE takon shoqërinë civile
Shef i Zyrës së BE-së/PSBE Samuel Zhbogar mbajti në Prishtinë takimin e parë njoftues me 25 organizata të shoqërisë civile nga Kosova. Z. Zhbogar mbajti një fjalim hyrës ku theksoi përfitimet e integrimeve evropiane për Kosovën. Valdete Idrizi, Drejtoreshë Ekzekutive e platformës CIVIKOS, në prezantimin e saj theksoi nevojën që shoqëria civile të ketë komunikim të strukturuar me institucionet e Kosovës me qëllim që të kenë ndikim në legjislacion dhe në politikat e qeverisë. Zyra e BE-së do të vazhdojë të angazhohet në dialog të rregullt me organizatat e shoqërisë civile të Kosovës. |
|

Shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Gruas
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas më 8 mars, Shefi i Zyrës së BE-së/PSBE dhe Shefi i misionit të EULEX-it organizuan një pritje të përbashkët në Prishtinë. Të ftuara ishin gratë nga shoqëria kosovare, përfshirë gratë afariste, përfaqësueset e shoqërisë civile, politikanet dhe deputetet e parlamentit, si dhe gratë që punojnë për misionet e Bashkimit Evropian. Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton, lëshoi një deklaratë për ditën ndërkombëtare të gruas, që thoshte: "Përderisa mund të krenohemi me përparimin e dukshëm të arritur, kjo ditë na përkujton për punët e shumta që na presin për të arritur barazinë e mirëfilltë gjinore. Në këtë ditë të veçantë, BE-ja riafirmon zotimin e saj për promovimin e barazisë gjinore dhe avancimin e gruas anekënd botës".  |
|

Zyra e BE-së prezanton planin për ringjalljen e Brezovicës
Zyra e BE-së prezantoi masterplanin për ringjalljen e qendrës turistike në Brezovicë, në komunën e Shtërpcës. Plani parasheh zhvillimin e një qendre turistike të pajisur plotësisht, në afërsi të qendrës ekzistuese të skijimit.
Qendra e re, që do të funksionojë gjatë gjithë vitit, parashihet që të ndërtohet me kapacitet për pritje të mbi 10,000 mysafirëve.
Ringjallja e pushimores së popullarizuar pritet që të krijojë mbi 3,000 vende të punës. Gjatë vitit 2012 pritet të mbahet një konferencë ndërkombëtare me investitorë.  |