Të drejtat e njeriut
Të drejtat e njeriut, demokracia dhe sundimi i ligjit janë vlerat thelbësore të Bashkimit Evropian.
BE-ja kërkon të sigurojë që të gjitha të drejtat e njeriut – pa marrë parasysh në janë civile, politike, sociale ose kulturore – të respektohen në çdo rast, siç parashihet në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, e riafirmuar në Konferencën Botërore për të Drejtat e Njeriut në vitin 1993. BE promovon gjithashtu të drejtat e grave, fëmijëve, personave që i takojnë pakicave, si dhe personave të zhvendosur.
Traktati i Lisbonës, ku përcaktohet baza ligjore dhe institucionale për BE, në mënyrë të qartë përcakton se BE do të udhëhiqet nga katër parime: demokracia, sundimi i ligjit, universaliteti dhe pandashmëria e të drejtave të njeriut dhe të drejtave thelbësore, respektimi i dinjitetit njerëzor, parimet e barazisë dhe solidaritetit, dhe respektimi i parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të drejtës ndërkombëtare. Këto parime janë të përforcuara me Kartën e BE-së për të Drejtat Themelore, tekst në të cilin janë të përfshira gjithë këto të drejta.
Edhe pse BE-ja në përgjithësi ka një histori të mirë të respektimit të drejtave të njeriut, përsëri nuk është e vetëkënaqur. BE-ja lufton racizmin, ksenofobinë dhe llojet tjera të diskriminimit të bazuar në fe, gjini, moshë, aftësi të kufizuara dhe orientim seksual. BE-ja është veçanërisht e shqetësuar me të drejtat njerëzore në lidhje me azilin dhe migrimin.
BE e ka vendosur përkrahjen për të drejtat e njeriut dhe demokracinë
si aspekt qendror të politikës së marrëdhënieve me jashtë
. Një spektër i gjerë programesh dhe aktivitetesh është në proces, që përfshin:
- Dialogu për të drejtat e njeriut me më shumë se 30 vende
- Tetë udhëzues për të drejtat e njeriut që përfaqësojnë prioritetet e BE-së
- Deklarata të rregullta publike
- Misione dhe operacione në terren
- Politika zhvillimore dhe asistencë
- Pjesëmarrje në forume multilaterale, veçanërisht në OKB
Përkrahja për të drejtat e njeriut dhe demokracinë merren gjithmonë parasysh gjatë procesit të politikbërjes dhe gjatë implementimit të politikave. Për shembull, të gjitha marrëveshjet tregtare dhe të bashkëpunimit përmbajnë një nen që përcakton të drejtat e njeriut si element thelbësor në marrëdhëniet ndërmjet palëve.
Në periudhën 2007-2013, përmes Instrumentit Evropian për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut (EIDHR), janë vënë në dispozicion rreth 1.1 miliardë euro fonde të BE-së për të ndihmuar OJQ-të lokale dhe ndërkombëtare në promovimin e të drejtave të njeriut në botë.