Asistenca përmes Programit PSK të BE-së vazhdon t’iu ofrojë grupeve të rrezikuara asistencë humanitare (03/11/2011)
Programi për Stabilizim të Komunitetit (PSK) i Bashkimit Evropian (BE) është një shembull i mirë se si asistenca e BE-së mund të rezultojë me kontribute shtesë ndaj grupeve të ndjeshme sociale përmes sigurimit të kontributeve materiale (jo në të holla të gatshme por në të mira materiale) për përfituesit.

Kohëve të fundit, PSK i BE-së ka organizuar një donacion të produkteve bujqësore për gjashtë familje skamnore të përkatësisë rome, të cilët janë ndihmuar nga UNHCR për t’u kthyer në qytetin e Gjilanit. Donacioni në fjalë ka qenë një lloj kompensimi material (në të mira materiale) për përfituesin e programit PSK të BE-së, përkatësisht z. Tomislav Naskovic, i cili është ndihmuar përmes Programit në fjalë të BE-së në përpjekjet e tij për zgjerimin e biznesit të tij bujqësor. Duke qenë nga fshati Kmetoc i komunës së Gjilanit, z. Naskovic është një bujk me përvojë, i cili ka përfituar një sipërfaqe prej 400 metrash katrorë në formë të serrës, një pompë uji dhe një spërkatëse traktori. Kjo ndihmë e ofruar i ka mundësuar atij që ta zgjerojë biznesin e vet, t’i punësojë edhe dy punëtorë tjerë, pra me fjalë të tjera të krijojë edhe dy vende të reja të punës. Si rezultat i kësaj marrëveshjeje me Programin PSK të BE-së, ai ka kthyer pesë për qind (5 %) të vlerës së përgjithshme të këtij projekti e cila kap vlerën prej 5,000 (pesëmijë) eurosh, përmes këtij donacioni në të mira materiale. Ekipi i Programit PSK të BE-së ka parë mundësinë e zgjerimit të këtij lloji të donacioneve në të mira materiale për grupet e ndjeshme sociale dhe ka bashkërenduar përpjekjet e përbashkëta me organet komunale në funksion të identifikimit të familjeve më të rrezikuara dhe më skamnore të cilat janë kthyer në qytetin e Gjilanit.
Në muajin shtator të vitit 2010, këto gjashtë familje kosovare rome të përbëra nga gjithsej 45 individë, ishin kthyer në zonën Glama të Gjilanit nga qyteti i Shkupit, ish Republika Federale e Maqedonisë. Para kthimit të tyre, në muajin tetor 2009, Kuvendi Komunal i Gjilanit kishte miratuar ndarjen e truallit për këto familje dhe atë pikërisht në zonën Glama, e cila ndodhet pranë lagjes së romëve të njohur me emrin “Abdullah Presheva”. Ministria për Komunitete dhe Kthim ka ndarë fonde për ndërtimin e gjashtë shtëpive, përderisa Komuna e Gjilanit ka përgatitur planin teknik të këtyre shtëpive. Edhe pse familjet në fjalë ishin kthyer në vatrat e tyre, ata prapëseprapë po përballeshin me një numër të madh të problemeve ekzistenciale.
Duke pasur parasysh se pjesa dërmuese e personave të kthyer të cilët i përkasin komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian zakonisht nuk posedojnë kurrfarë dokumentesh të tyre personale, disa prej tyre vazhdojnë të mbeten të paregjistruar në skemën për asistencë sociale duke jetuar në skamje. Duke pasur parasysh numrin e anëtarëve të familjes (madhësinë e tyre), familjet e përmendura më sipër janë zgjedhur si familje me prioritet për këtë lloj të kompensimit në të mira materiale si nga ana e Komunës ashtu edhe nga Programi PSK i BE-së. Donacioni në formë të perimeve të ofruara përmes Programit PSK të BE-së do t’iu mundësojë këtyre familjeve që të përgatitin për vete ushqimin gjatë dimrit i cili do t’i mbulojë nevojat e tyre më themelore për ushqim.