Viza
Udhëtim pa viza për qytetarët e Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë
BE-ja sot vendosi se qytetarët e ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, nga 19 dhjetori 2009, do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën e Shengenit.
Shtetet anëtare të BE-së sot e miratuan vendimin me të cilën qytetarëve të ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Mali të Zi dhe Serbisë u lejohet të udhëtojnë në të gjitha shtetet e Shengenit pa viza. Këtë do të mund ta bëjnë para festës së Kërshëndellave, nga 19 dhjetori i vitit 2009.
“Vendimi i arritur sot e reflekton perspektivën e qartë evropiane të vendeve të Ballkanit Perendimor dhe është rezultat i punës së vyeshme të vendeve të interesuara për përmbushjen e kërkesave për liberalizimin e vizave” tha Oli Ren, Komisionari për Zgjerim.
Zëvendës kryetari Zhak Baro theksoi rëndësinë politike të vendimit, për mobilitetin e qytetarëve të këtyre tre shteteve; ai i theksoi reformat e arritura gjatë dy viteve të fundit, të cilat i përfshijnë sferat kryesore të drejtësisë, lirisë dhe sigurimit. “Duke e lehtësuar lëvizjen e qytetarëve të ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, BE-ja do t’i forcojë kontaktet me këto shtete dhe do të hapë një epokë të re të bashkëpunimit” tha Zëvendës kryetari.
Regjimi i ri pa viza do të aplikohet për të gjithë personat që kanë pasaportë biometrike, me të cilën do të mund të udhëtojnë në zonën e Shengenit deri më 90 ditë, në periudhë 6 muajshe. Zona e Shengenit përbëhet nga 28 shtete të Evropës – të gjitha shtetet anëtare të BE-së, përveç Britanisë së Madhe dhe Irlandës, si edhe tre shtetet që nuk janë anëtare të BE-së, gjegjësisht Islanda, Norvegjia dhe Zvicra. Personat që nuk kanë pasaportë biometrike dhe banorët e Kosovës që kanë pasaportë biometrike të dhënë nga Drejtoria Koordinative në Beograd, edhe më tej do të kenë nevojë për viza. E njëjta gjë vlen për personat që duan të punojnë gjatë qëndrimit të shkurtër ose të cilët duan të qëndrojnë mbi 90 ditë; atyre gjithashtu do t’u duhen viza dhe leje të punës.
Komisioni Evropian filloi dialogun për liberalizimin e vizave në fillim të vitit 2008 me ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malit të Zi, Serbinë, Shqipërinë dhe me Bosnjën dhe Hercegovinën. Bazat e dialogut janë udhëzimet e vendosura nga Komisioni Evropian, me të cilat përcaktohen kushtet që duhen përmbushur nga shtetet përkatëse. Në korrik të vitit 2009, Komisioni Evropian propozoi heqjen e detyrimit të vizave për këto tre shtete. Parlamenti Evropian dha mendim pozitiv në nëntor 2009.
Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina, të cilat janë gjithashtu të përfshira në dialogun e vizave, nuk janë inkuadruar në vendimin e sotëm, pasi që vlerësimi i fundit i Komisionit përcaktoi se këto dy vende akoma nuk i kanë plotësuar të gjitha kërkesat. Komisioni e ka rritur ndihmën për këto dy vende, për implementimin e reformave të domosdoshme. Një vlerësim i ri do të bëhet gjatë periudhës nga dhjetori deri në shkurt të vitit 2010. Kur këto dy vende do ta bëjnë progresin e duhur në implementimin e udhëzimeve, Komisioni do të jetë i gatshëm që të propozojë udhëtim pa viza për qytetarët.

