Ambasadorja e BE-së Hohmann i paraqet letrat kredenciale Presidentit të Shqipërisë Begaj

Tiranë, 2 gusht 2022 – Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri Christiane Hohmann i paraqiti sot letrat kredenciale Presidentit shqiptar Bajram Begaj, pas emërimit të saj në qershor nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë/Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Josep Borrell.

Ceremonia e paraqitjes së letrave kredenciale u zhvillua në zyrën e Presidentit dhe u pasua nga një takim mes të dyve.

Ambasadorja Hohmann e uroi Presidentin Begaj për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Ajo foli për progresin e arritur nga Shqipëria deri tani dhe sfidat që ka përpara, ndërsa vendi nis një kapitull të ri në rrugën e tij drejt BE-së.

“Procesi i anëtarësimit në BE ka nevojë për përpjekje të qëndrueshme reformash nga Shqipëria përtej procesit të negociatave. Unë dhe ekipi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri jemi gati ta mbështesim vendin dhe popullin e tij në këtë rrugë emocionuese drejt anëtarësimit në BE”, tha Ambasadorja Hohmann.

Ambasadorja Hohmann ka shërbyer si ambasadore e Gjermanisë në Estoni dhe më parë si ambasadore në Bosnje dhe Hercegovinë. Para kësaj, Ambasadorja Hohmann ka mbajtur poste të ndryshme diplomatike në SHBA dhe në Komisionin Evropian.

Albania and the EU