Page language:
Shqip

Beteja e narrativave rreth krizës ushqimore

26.06.2022

Blog PR/ZP – Lufta e Rusisë kundër Ukrainës kërcënon të krijojë një valë globale urie. Ne duhet t'i mundësojmë urgjentisht Ukrainës të eksportojë drithërat e saj përmes Detit të Zi. Ne po shohim gjithashtu një “betejë narrativash” rreth eksporteve ruse të drithërave dhe plehrave kimike. Ndonëse sanksionet tona nuk synojnë këto eksporte, ne jemi të gatshëm të punojmë me OKB-në dhe partnerët tanë për të parandaluar çdo ndikim të padëshiruar mbi sigurinë ushqimore globale.

BorrellBlogonFoodCrisis

“Lufta e agresionit kundër Ukrainës e vë botën në rrezik për zi buke duke prekur qindra milionë njerëz. Ne duhet t’i mundësojmë urgjentisht Ukrainës eksportin e drithërave të saj. Jemi gjithashtu të gatshëm të punojmë për të parandaluar çdo ndikim të padëshiruar të sanksioneve tona mbi sigurinë ushqimore globale”. JOSEP BORRELL

Për disa dekada, uria ishte në rënie dhe komuniteti ndërkombëtar u zotua t'i jepte fund globalisht deri në vitin 2030 me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të miratuara në vitin 2015. Megjithatë, që atëherë, numri i njerëzve të kequshqyer nuk po zvogëlohej më dhe pandemia COVID-19 i ka përkeqësuar tashmë shumë më tepër gjërat. Programi Botëror i Ushqimit (WFP) vlerëson se ky numër është rritur nga 132 milionë njerëz para pandemisë COVID-19 në 276 milionë në fillim të vitit 2022 dhe 323 milionë sot.

Lufta e pajustifikuar dhe e paprovokuar e agresionit kundër Ukrainës e vë botën në rrezik për zi buke që prek qindra milionë njerëz.

Edhe para luftës së Putinit kundër Ukrainës, ne po humbnim terren në luftën globale kundër urisë. Tani, kjo luftë e pajustifikuar dhe e paprovokuar e vë botën në rrezik për zi buke që prek qindra miliona njerëz. Sipas Grupit Global të Kombeve të Bashkuara për Reagimin ndaj Krizave, 1.2 miliardë njerëz - një në gjashtë e popullsisë së botës - jetojnë në vende “të rrezikuara nga stuhia”, të cilat janë shumë të ekspozuara ndaj kombinimit të rritjes së çmimeve të ushqimeve, rritjes së çmimeve të energjisë dhe ashpërsimit të kushteve financiare.

Ukraina, një nga furnizueset më të rëndësishme me bukë të planetit

Për dekada, Ukraina ka qenë vërtet një nga furnizueset më të rëndësishme me bukë të planetit. Sot, trupat e Putinit bombardojnë, minojnë dhe pushtojnë tokën e punueshme të Ukrainës, sulmojnë pajisjet e fermave, magazinat, tregjet, rrugët, urat dhe bllokojnë portet e Ukrainës, duke penguar eksportin e miliona tonëve drithë në tregjet globale. Rusia e ka kthyer Detin e Zi në një zonë lufte, duke bllokuar dërgesat e drithërave dhe plehrave kimike nga Ukraina, por gjithashtu duke prekur transportin tregtar rus. Rusia po zbaton gjithashtu kuota dhe taksa për eksportet e saj të grurit. Zgjedhja e ndërgjegjshme politike e Rusisë është përdorimi i këtyre eksporteve si armë dhe si mjet shantazhi kundër kujtdo që kundërshton agresionin e saj.

Çmimet e ushqimeve, të cilat ishin prekur ndërkaq nga pandemia dhe ndryshimet klimatike, nuk kanë qenë kurrë kaq të larta sa sot në terma realë dhe shumë ekspertë paralajmërojnë se më e keqja nuk ka ardhur ende.

Si rezultat, çmimet e ushqimeve, të cilat ishin prekur ndërkaq nga pandemia dhe ndryshimet klimatike, nuk kanë qenë kurrë kaq të larta sa sot në terma realë. Kjo ka pasoja të mëdha për shumë vende me të ardhura të ulëta dhe për Programin Botëror të Ushqimit, të cilit tashmë i është dashur të reduktojë ndërhyrjet e tij në disa rajone. Shumë ekspertë paralajmërojnë se më e keqja pritet të ndodhë nëse eksportet ukrainase mbeten të bllokuara deri në korrjet e ardhshme. Ndërkohë, disa vende kanë vendosur kufizime të njëanshme mbi eksportet e tyre bujqësore, ndërsa të tjera po përpiqen të krijojnë stoqe, duke përkeqësuar problemet në tregjet botërore. Kostot më të larta të energjisë dhe humbja e furnizimit me plehra kimike kanë bërë që çmimet e plehrave kimike të rriten edhe më shpejt se çmimet e ushqimeve. Për shkak të kësaj, çmimi i orizit, ushqimi bazë më i konsumuar në botë, i cili deri më tani ka çmime të ulëta, mund të rritet ndjeshëm dhe prodhimi global i ushqimit mund të mos jetë në gjendje të përmbushë kërkesën në rritje. OKB-ja ka paralajmëruar për “një katastrofë ushqimore të përmasave globale në vitin 2023”.

Një urgjencë absolute për të vepruar

Ekziston një urgjencë absolute për të vepruar. Me shtetet tona anëtare, ne po mbledhim ndihma emergjente. Si Ekipi Evropa, ne kemi premtuar 1 miliard euro për rajonet e Sahelit dhe Liqenit të Çadit, si dhe mbi 600 milionë euro për Afrikën Verilindore. Ne krijuam një strukturë ushqimore prej 225 milionë eurosh për të ndihmuar partnerët tanë në Afrikën e Veriut – rajoni më i varur nga furnizimet ushqimore nga Ukraina dhe Rusia. Në mënyrë më strukturore, ne do të shpenzojmë gjithashtu 1.5 miliardë euro për të ndihmuar në zhvillimin e sistemeve të qëndrueshme ushqimore në vendet fqinje lindore dhe jugore, në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, deri në vitin 2024.

Ne po veprojmë gjithashtu brenda G7-s, G20-s, Bankës Botërore dhe FMN-së, për të rritur angazhimin e tyre ndaj vendeve më në nevojë nëpërmjet mbështetjes financiare emergjente, lehtësimit të mëtejshëm të borxhit, emetimit të të drejtave të reja të veçanta të tërheqjes dhe instrumenteve të tjera. Ne mbështesim plotësisht përpjekjet në këtë drejtim nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së në kuadër të Grupit të Reagimit ndaj Krizave Globale.

Për të shmangur një katastrofë ushqimore globale, prioriteti kryesor mbetet ndalimi i luftës dhe nxjerrja e trupave ruse nga Ukraina.

Për të shmangur një katastrofë ushqimore globale, prioriteti kryesor mbetet ndalimi i luftës dhe nxjerrja e trupave ruse nga Ukraina. Ky është qëllimi i mbështetjes masive të BE-së për Ukrainën dhe i masave kufizuese që po zbatojmë me aleatët tanë kundër regjimit të Putinit. Megjithatë, ne kurrë nuk kemi synuar eksportet ruse bujqësore dhe ato të plehrave kimike. Sanksionet e BE-së nuk e ndalojnë Rusinë të eksportojë asnjë mall bujqësor, pagesat për këto eksporte ruse apo sigurimin e farave, me kusht që të mos përfshihen individë apo subjekte të sanksionuara. Sanksionet e BE-së gjithashtu nuk kanë zbatim ekstraterritorial, pra nuk krijojnë detyrime për operatorët jashtë BE-së, përveç nëse biznesi i tyre kryhet të paktën pjesërisht brenda BE-së.

Jemi plotësisht të vetëdijshëm se rreth kësaj çështjeje ka një “betejë narrativash”. Presidenti i Senegalit Macky Sall, i cili kryeson Bashkimin Afrikan, ka folur veçanërisht për vështirësitë që vendet afrikane hasin në lidhje me këtë temë pas takimit të tij të fundit me Vladimir Putinin në Soçi, si dhe në takimin ministror të OECD-së. Të shtunën e kaluar, fola për këtë çështje me Aissata Tall Sall, Ministre e Punëve të Jashtme të Senegalit. Të martën, takova gjithashtu Sekretaren e Përgjithshme të UNCTAD-së Rebeca Grynspan dhe bisedova me Nënsekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Martin Griffiths, të dy përgjegjës për negociatat e sponsorizuara nga OKB-ja për lehtësimin e eksporteve të grurit dhe plehrave kimike jashtë Rusisë, si dhe rihapjen e rrugëve të eksportit për drithërat ukrainase. Ndërsa të enjten, u takova me ambasadorët në OKB të grupit afrikan, pas fjalimit tim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ne jemi të gatshëm të punojmë me OKB-në dhe partnerët për të parandaluar çdo ndikim të padëshiruar të sanksioneve tona mbi sigurinë ushqimore globale.

I sigurova të gjithë bashkëbiseduesit e mi se jemi të gatshëm të punojmë me OKB-në dhe partnerët për të parandaluar çdo ndikim të padëshiruar të sanksioneve tona mbi sigurinë ushqimore globale. Ne jemi në kontakt të ngushtë me OKB-në për të shqyrtuar çështje të tilla si shmangia e tregut dhe mbipërputhja që mund të ndikojnë në blerjet e grurit ose plehrave kimike ruse. Ne jemi të gatshëm t'i diskutojmë këto çështje përmes ekspertëve për të identifikuar pengesat konkrete, duke përfshirë vështirësitë e mundshme në pagesa, si dhe të punojmë për të gjetur zgjidhje. Unë kam udhëzuar gjithashtu ambasadorët e BE-së në vendet tona partnere afrikane që të diskutojnë me autoritetet për të gjitha aspektet përkatëse të situatës aktuale mbi pagesat.

Diferencimi mes problemeve konkrete dhe dezinformatave të Kremlinit

U kërkova bashkëbiseduesve të mi afrikanë që të bëjnë dallimin mes problemeve konkrete dhe dezinformatave të Kremlinit. Kur makineria e propagandës ruse pretendon se ne jemi përgjegjës për krizën ushqimore, kjo nuk është gjë tjetër veçse gënjeshtër cinike, si shumë të tjera që kjo makineri ka përhapur prej shumë vitesh. Cinizmi i këtij qëndrimi ishte i dukshëm kur Rusia bombardoi silosin e dytë më të madh të grurit të Ukrainës në Mykolaiv, vetëm disa ditë pasi Presidenti Sall foli me Presidentin Putin në Soçi. Të gjithë ata që duan të kufizojnë krizën globale të ushqimit duhet mbi të gjitha të na ndihmojnë për të rritur presionin ndaj Rusisë për të ndaluar luftën e saj të agresionit.

Kur propaganda ruse pretendon se ne jemi përgjegjës për krizën ushqimore, kjo nuk është gjë tjetër veçse gënjeshtër cinike, si shumë të tjera që kjo makineri po përhap prej vitesh.

Ndërkohë, ne vazhdojmë ta ndihmojmë Ukrainën që të eksportojë produkte bujqësore në rrugë të tjera përveç Detit të Zi, përmes “Planit tonë të Veprimit për Korsitë e Solidaritetit”. Ne po punojmë me aktorët e tregut për të vënë në dispozicion mjete shtesë transporti, anije dhe kamionë. Ne po lehtësojmë kontrollet kufitare të produkteve agro-ushqimore, si dhe do të vëmë në dispozicion objekte magazinimi të shteteve anëtare për drithërat ukrainase. Ashtu siç bëmë marsin e kaluar për rrjetin e energjisë elektrike, ne duhet të përshpejtojmë integrimin e rrjetit hekurudhor të Ukrainës në sistemin evropian, megjithëse kjo, sigurisht, paraqet vështirësi për shkak të dallimeve të standardeve të shinave.

Domosdoshmëria për të lejuar rifillimin e eksporteve ukrainase me anije

Megjithatë, ne duhet të përballemi me faktet: asnjë nga këto alternativa nuk mund të sigurojë një fluks të mjaftueshëm eksportesh në afat të shkurtër. Prandaj është e domosdoshme të lejohet rifillimi i eksporteve ukrainase me anije. Ne jemi duke punuar ngushtësisht me OKB-në për këtë çështje dhe BE-ja dhe vendet anëtare të saj janë të gatshme të bëjnë pjesën e tyre të veprimeve të nevojshme për ta arritur këtë. Shpresojmë që në ditët në vijim të gjendet një zgjidhje. Mosbërja e kësaj kërcënon të shkaktojë një katastrofë ushqimore globale.

HR/VP box
HR/VP Josep Borrell cartoon

“A Window on the World” – by HR/VP Josep Borrell

Blog by Josep Borrell on his activities and European foreign policy. You can also find here interviews, op-eds, selected speeches and videos.