Domosdoshmëria gjeopolitike për BE-në është zgjerimi dhe thellimi
“Zgjerimi i mëtejshëm i BE-së është interesi ynë strategjik. Në të njëjtën kohë, duhet të ndryshojmë vendimmarrjen tonë që të mund të veprojmë”. Josep Borrell
Zgjerimi mbetet një nga mjetet më të suksesshme të politikës së jashtme të BE-së. Ai ka kritikët e tij, se po ecën shumë ngadalë ose shumë shpejt, se është shumë teknik ose është peng i marrëveshjeve politike. Por faktet tregojnë se zgjerimi ka qenë mënyra kryesore e organizimit të kontinentit evropian, me rritjen e vazhdueshme të BE-së nga 6 shtete anëtare në vitet 1950 në 12, 15 dhe 27 shtete anëtare sot. Është e vështirë të mendosh për një politikë të BE-së që të ketë qenë më transformuese. Historikisht, reformat institucionale dhe fushat e reja të integrimit kanë shoqëruar çdo valë pranimi: kështu që ne kemi qenë më të suksesshëm kur kemi ndjekur zgjerimin dhe thellimin së bashku.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës e ka përshpejtuar historinë nga shumë këndvështrime. Ajo gjithashtu ka mprehur debatin mbi rendin e Evropës dhe parimet që e mbështesin atë. Për shumë vende, duke filluar nga Ukraina, ky është një moment strategjik për të deklaruar aspiratat e tyre për t'u bashkuar me BE-në dhe gjithçka që ajo përfaqëson, si dhe për njohjen e ambicieve të tyre. Udhëheqësit ukrainas kanë qenë mjaft të qartë se, së bashku me mbështetjen ushtarake për t'u mbrojtur kundër agresionit rus, marrja e statusit të vendit kandidat në BE ka qenë prioriteti i tyre kryesor. Ju shihni një arsyetim të ngjashëm nga qeveria e Moldavisë. Dhe së fundi, e shihni në kërkesën e qeverisë së Gjeorgjisë dhe dhjetëra mijëra demonstruesve gjeorgjianë që dolën në rrugët e Tbilisit këtë javë me flamuj të BE-së.
Në të njëjtën kohë, vendet e Ballkanit Perëndimor, me të drejtë, kanë kërkuar që procesi i anëtarësimit të tyre të gjykohet sipas meritave. Kanë kaluar pothuajse 20 vjet qëkur BE-ja deklaroi në Selanik se “e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda BE-së”, kështu që një shkallë e caktuar padurimi nga ana e tyre, për të thënë më të paktën, është e kuptueshme.
“Zgjerimi i BE-së me ato vende që janë të gatshme dhe të afta për të përmbushur kushtet nuk është një “favor” apo një lëshim. Është në interesin tonë strategjik”.
Nga ana e BE-së, duhet të jemi të qartë se zgjerimi i BE-së me ato vende që janë të gatshme dhe të afta për të përmbushur kushtet nuk është një “favor” apo një lëshim. Është në interesin tonë strategjik. Është një mënyrë për të strukturuar kontinentin rreth vlerave dhe standardeve të BE-së. Një politikë e besueshme zgjerimi është një investim gjeostrategjik për paqen, stabilitetin, sigurinë dhe rritjen ekonomike në të gjithë Evropën. Të tjerët po e kundërshtojnë hapur ndikimin dhe vlerat e BE-së në vendet fqinjë, kështu që ne duhet të jemi aktivë dhe të zgjerohemi me ata që plotësojnë kriteret.
Ruajtja e kapacitetit tonë për të vepruar
Ndërsa po ringjallërojmë zgjerimin e BE-së, në të njëjtën kohë duhet të ruajmë kapacitetin e BE-së për të vepruar. Edhe kjo është një domosdoshmëri gjeopolitike. Është e qartë se në kohë të ndryshme kemi paguar një çmim për parimin e unanimitetit në politikën e jashtme të BE-së, duke dobësuar dhe vonuar veprimet tona.
Gjatë javëve të para pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, ne po vepronim me shpejtësi të madhe, duke thyer disa tabu në rrugë e sipër. Disa u befasuan dhe shumë e mirëpritën faktin që BE-ja po vepronte me një sens të vërtetë strategjik qëllimi. Por menjëherë pas kësaj, situata u bë më e ngatërruar.
Në fund të majit arritëm një marrëveshje për paketën e 6-të të sanksioneve kundër Rusisë (që synonte naftën, sigurimet dhe shtimin e listimeve të tjera). Por na u desh një muaj për t’ia dalë mbanë me paketën. Dhe më vjen keq që disa dispozita përfundimtare e humbën efektivitetin dhe në orët e fundit, Patriarku Kirill u la jashtë listës së personave të sanksionuar, pavarësisht se prania e tij në listë nuk u kundërshtua gjatë diskutimeve në Këshill dhe pavarësisht historikut të tij të mirë-dokumentuar si një mbështetës i vendosur i luftës së Putinit.
Kemi parë dinamika të ngjashme në hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, me njërin vend që bllokon atë për çka gjithë të tjerët mund të bien dakord – përsëri me pasoja negative për besueshmërinë dhe ndikimin e BE-së.
Si ta trajtojmë diversitetin në një BE në zgjerim
Pas dy vitesh e gjysmë përvojash duke u përballur me situata të tilla, mendoj se duhet ta rishikojmë procesin tonë të vendimmarrjes. Gjatë viteve, kemi parë shumë raste kur shtetet anëtare janë ndarë për çështje të politikës së jashtme. Në parim është normale që të kemi pikëpamje të ndryshme si fillim, duke pasur parasysh dallimet tona në histori, gjeografi dhe kulturën politike strategjike. Por ajo që ka rëndësi në jetën politike nuk është se si nis një diskutim, por si përfundon ai. Fuqia e sistemit të BE-së ka qenë gjithmonë kthimi i gjërave që na ndajnë në marrëveshje. Dhe këtu ka shumë rëndësi nëse një vendim merret me unanimitet apo me shumicë të cilësuar votash.
“Nëse vendet e dinë paraprakisht se vendimi përfundimtar mund të merret me shumicë të cilësuar votash, ato kanë një nxitje të fortë për të negociuar dhe për të formësuar konsensusin. Nëse e dinë se mund të bllokojnë gjithçka, nuk kanë nxitje për të investuar për një kompromis të shëndetshëm”.
Nëse vendet e dinë paraprakisht se vendimi përfundimtar mund të merret me shumicë të cilësuar votash, ato kanë një nxitje të fortë për të negociuar, për të krijuar aleanca dhe për të formësuar konsensusin. Nëse e dinë se mund të bllokojnë gjithçka – dhe ndonjëherë edhe kompensohen për këtë – nuk kanë nxitje për të investuar për një kompromis të shëndetshëm. Ato mund të qëndrojnë në pozicionet e tyre, duke i detyruar të tjerët të ndryshojnë. Dhe sa më shumë përjashtimet shihen si të suksesshme në taktikat e tyre, aq më shumë përhapet kjo dinamikë, me veto që tashmë ndodhin më shpesh se në të kaluarën.
Nganjëherë dëgjojmë se duhet ruajtur unanimiteti në politikën e jashtme dhe të sigurisë, sepse vendimet në këtë fushë janë tepër të ndjeshme: kush mund të rrezikojë të mbivotohet për një çështje me interes jetik kombëtar? Këtu mund të ngrihen dy pika kundërshtimi:
Së pari, shumë fusha politikash ku BE-ja merr vendime me shumicë të cilësuar votash nuk janë më pak të ndjeshme apo të rëndësishme: mendoni për migracionin, objektivat klimatike ose taksonominë e gjelbër – për të përmendur një çështje të diskutueshme të kohëve të fundit. Së dyti, në praktikë, Këshilli rrallëherë miraton vendime me votim. Etosi i klubit – siç tregojnë të dhënat historike – është të vazhdosh të flasësh derisa të arrihet një konsensus. Por nëse kërcënimi për vendosjen e vetos nuk ekziston, çdo shtet anëtar, i madh apo i vogël, duhet të negociojë. Dhe ashtu bëjnë – dhe kjo bën gjithë ndryshimin.
Ky është sigurisht një debat i gjatë, siç e kam argumentuar në tetor 2020. Por konteksti është i ri: lufta kundër Ukrainës ka nxjerrë në pah nevojën që BE të jetë në gjendje të marrë vendime strategjike në kohë reale. Shumë udhëheqës dhe qytetarë të BE-së kanë bërë thirrje për një largim nga unanimiteti në politikën e jashtme. Në të vërtetë, është një kërkesë e qartë që del nga Konferenca për të Ardhmen e Evropës.
“Ka arsye bindëse për të futur vendet e Ballkanit Perëndimor, për t'i dhënë statusin e vendit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë, dhe shpresojmë së shpejti edhe Gjeorgjisë. Por, po ashtu, është marrëzi ta bësh atë çka nuk funksionon për 27, plotësisht të parealizueshme për 30 apo më shumë”.
Dhe tani që zgjerimi është rikthyer fort në rendin e ditës, ne nuk mund ta shmangim më çështjen se si do të funksiononte një BE me, të themi, 35 vende. Ka arsye bindëse për të futur vendet e Ballkanit Perëndimor, për t'i dhënë statusin kandidat Ukrainës dhe Moldavisë, dhe shpresojmë së shpejti edhe Gjeorgjisë. Por, po ashtu, është marrëzi ta bësh atë çka nuk funksionon për 27, plotësisht të parealizueshme për 30 apo më shumë. Duhet të presim nyjën gordiane.
Përgjigja më e mirë është heqja e peshës së vdekur të rregullit të unanimitet. Tashmë është e mundur të bëhet kjo duke përdorur të ashtuquajturin abstenim konstruktiv që është, për shembull, si u prezantua EULEX Kosova. Por kjo nuk ka asnjë dobi nëse i përjashtuari nuk pranon të abstenojë në mënyrë konstruktive. Këtu mund të avancojmë me “super shumicën e cilësuar të votave”, për shembull 27 minus 2 ose 3, në mënyrë që të mos bllokohemi nga një apo dy vende të vetme. Ne gjithashtu mund të identifikojmë fushat e politikës së jashtme ku eksperimentojmë me shumicën e cilësuar të votave, për shembull deklaratat, sanksionet dhe vendimet zbatuese. Kjo mund të ndihmojë për ndërtimin e besimit mes shteteve anëtare me idenë e lehtësimit të kërkesës për unanimitet.
Ka shumë probleme të tjera në politikën e jashtme të BE-së dhe heqja qafe e unanimitetit nuk është një kurë për gjithçka. Pasi kam qëndruar 2.5 vjet në këtë punë, nuk mund të mendoj për asnjë ndryshim të vetëm që do të kishte një efekt më të fuqishëm për përmirësimin e aftësisë sonë për të vepruar në një botë armiqësore. Dhe kjo është pikërisht ajo çka kërkojnë nga ne qytetarët tanë.
Ndërtimi i një “Evrope më të gjerë”.
Përveç debatit të ripërtërirë mbi zgjerimin dhe vendimmarrjen e BE-së, ekziston edhe ideja e ndërtimit të një Komuniteti Politik Evropian më të gjerë, siç ka propozuar, për shembull, Presidenti Macron dhe siç e ka mbështetur Presidenti Michel. Ky klub më i gjerë mund të bashkojë të gjitha vendet evropiane që ndajnë parime demokratike dhe duan të ndjekin forma konkrete dhe fleksibël bashkëpunimi. Bëhet fjalë për organizimin e ardhshëm të kontinentit tonë dhe si duhet të pozicionohemi ne si BE, pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Kam marrë pjesë në diskutimin e liderëve në samit mbi opsionet e ndryshme për një komunitet të tillë, për sa i përket qëllimit, anëtarësimit dhe modaliteteve praktike. Të gjithë janë dakord që çdo klub i tillë duhet t’i plotësojë dhe jo t’i zëvendësojë politikat ekzistuese të BE-së, veçanërisht zgjerimin. Dhe gjithashtu duhet të plotësojë, jo të zëvendësojë, punën e organizatave ekzistuese si OSBE dhe Këshilli i Evropës.
“Një Komunitet Politik Evropian mund t'u mundësojë vendeve kandidate të marrin pjesë menjëherë në politika të ndryshme të BE-së. Ai gjithashtu mund të përfshijë disa vende që nuk janë medoemos të destinuara për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian, si Norvegjia, Zvicra apo Mbretëria e Bashkuar, nëse dëshirojnë”.
Siç thashë, lufta po vepron si një përshpejtues i historisë. Dhe për nga kompleksiteti dhe kërkesat e tij, zgjerimi i BE-së është një proces i vështirë që kërkon shumë vite. Shpejtësia e tij nuk përshtatet lehtë me shpejtësinë e ndryshimeve në kontekstin gjeopolitik. Pra, është e nevojshme një kornizë shtesë. Një Komunitet Politik Evropian mund t'u mundësojë vendeve kandidate të marrin pjesë menjëherë në politika të ndryshme të BE-së. Ai gjithashtu mund të përfshijë disa vende që nuk janë medoemos të destinuara për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian, si Norvegjia, Zvicra apo Mbretëria e Bashkuar, nëse dëshirojnë. Tema është komplekse dhe kërkon shqyrtim të kujdesshëm, por ideja ka merita dhe debati sigurisht që do të vazhdojë. Ne duhet të ndërmarrim hapa të kujdesshëm dhe gradualë për zhvillimin e strukturës së nismës, duke respektuar autonominë vendimmarrëse të BE-së.
MORE FROM THE BLOG

“A Window on the World” – by HR/VP Josep Borrell
Blog by Josep Borrell on his activities and European foreign policy. You can also find here interviews, op-eds, selected speeches and videos.