Fjalimi i Ambasadores së BE-së Christiane Hohmann në Konferencën vjetore të Avokatit të Popullit

 

Shkëlqesitë Tuaja, President i Republikës së Shqipërisë z. Bajram Begaj, Kryetare e Kuvendit znj. Lindita Nikolla, e nderuara Avokate e Popullit znj. Erinda Ballanca, të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare.

Është kënaqësi e madhe që marr pjesë në konferencën vjetore të Avokatit të Popullit.

Ky vit ishte një vit i rëndësishëm për Shqipërinë dhe për objektivin strategjik të vendit për t'u bërë anëtar i Bashkimit Evropian. Me fillimin e procesit të negociatave të anëtarësimit në korrik, Shqipëria ka bërë një hap të madh përpara.

Faza fillestare e negociatave, i ashtuquajturi proces i shqyrtimit, është duke u zhvilluar.

Një numër i madh zyrtarësh nga qeveria, por edhe nga institucione të pavarura si Avokati i Popullit, janë takuar me Komisionin Evropian në Bruksel për të vlerësuar nivelin e përafrimit të vendit me acquis të BE-së dhe çfarë mbetet për t'u bërë.

Ju mund të pyesni: çfarë ka të bëjë kjo me rolin e Avokatit të Popullit?

Në fakt, shumë.

Në bisedimet e anëtarësimit në BE, siç e dini, të drejtat themelore, së bashku me shtetin e së drejtës, janë ndër çështjet që trajtohen të parat dhe që do të mbeten në qendër të gjithë bisedimeve. Progresi në këto çështje do të përcaktojë edhe ritmin e përgjithshëm të bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE në vitet në vijim.

Në këtë kontekst, BE-ja nuk është e interesuar vetëm të shohë progres në miratimin e legjislacionit të ri për t'u përafruar me standardet dhe normat e BE-së. Institucionet shqiptare duhet të demonstrojnë se këto standarde janë duke u zbatuar në praktikë.

Këtu Avokati i Popullit ka një rol kyç për të luajtur.

Avokati i Popullit mbron të drejtat e njerëzve, verifikon nëse ligjet po zbatohen, por edhe që njerëzit trajtohen me drejtësi, që administrata të jetë e drejtë, etike dhe e përgjegjshme.

Për këtë arsye, në politikën e zgjerimit të BE-së, Avokati i Popullit konsiderohet një institucion thelbësor, që garanton demokracinë, shtetin e së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Si pjesë e procesit të anëtarësimit, ne i kushtojmë vëmendje rolit të Avokatit të Popullit.

Ju mund ta keni vënë re se në raportet tona vjetore të zgjerimit, për shembull, ne raportojmë sistematikisht për masën në të cilën rekomandimet e Avokatit të Popullit ndiqen nga institucionet e tjera shtetërore.

Në raportin e fundit për vendin të publikuar në tetor, ne bëmë thirrje për progres për të përmirësuar ndjekjen e rekomandimeve. Duke propozuar se si të rregullohen disa të meta dhe padrejtësi, ato rekomandime luajnë me të vërtetë një rol të rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë së jetës demokratike të shtetit.

Një aspekt tjetër që ne monitorojmë vazhdimisht është nëse Avokatit të Popullit i jepen burimet e duhura për të drejtuar një zyrë efektive, gjë që është thelbësore për të vepruar në pavarësi të plotë.

Shkurtimisht: në kontekstin e anëtarësimit në BE, ne e shohim punën e Avokatit të Popullit si një tregues të rëndësishëm të shëndetit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Për këtë arsye, BE-ja investon edhe në ngritjen e kapaciteteve të Avokatit të Popullit, përfshirë edhe këtu në Shqipëri.

Jemi shumë të lumtur që mbështesim partneritetin e nisur së fundmi ndërmjet Avokatit shqiptar dhe atij austriak të Popullit, nëpërmjet Institutit Boltzmann.

Shpresoj që ky partneritet të sjellë një kontribut të fuqishëm për forcimin e kapaciteteve të Avokatit të Popullit për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut.

Si përfundim, më lejoni thjesht të kujtoj se vlerat që mbron këtu Avokati i Popullit janë në thelb vlera të Bashkimit Evropian.

Si pjesë e mbështetjes sonë për integrimin e Shqipërisë në BE, ne do të vazhdojmë të mbështesim rolin e këtij institucioni të rëndësishëm të pavarur, duke pasur parasysh rolin e tij qendror për demokracinë e vendit.

Faleminderit!