Historia e Martinës, e reja nga Malësia e Madhe e cila vendosi të qëndrojë e të punojë në fshatin e saj

Martina Dedaj është 29 vjeçe dhe jeton në fshatin Dedaj, pjesë e Bashkisë së Malësisë së Madhe në veri të Shqipërisë. Ajo është ndër të rinjtë e zonës që ka vendosur të qëndrojë dhe të ndërtojë të ardhmen në vendlindjen e saj. Martina nuk iu bashkua prindërve në Kanada. Nuk ndoqi as vëllanë që u shpërngul në Gjermani. Largimi nga Shqipëria nuk ka qenë kurrë një mundësi për të.

“Të gjithë po largohen. Po kthehet në prirje. Pas shkollës së mesme, pothuajse të gjithë planifikojnë të shkojnë jashtë vendit. Megjithatë, pavarësisht gjithçkaje, unë kam vendosur të rri. Dua të kontribuoj për komunitetin tim, edhe duke bërë gjëra të thjeshta”, thotë Martina, duke pranuar se në këtë zonë ka mbetur vetëm 1/3 e popullsisë.

Ndërsa shumë zgjedhin të largohen, ajo sheh shumë mundësi për të rinjtë në vend. Martina shkon nëpër fshatrat e zonës për t'u shpërndarë trastat e saj të ripërdorshme banorëve vendas dhe për të rritur ndërgjegjësimin për reduktimin e mbetjeve plastike.

Ajo është e pasionuar pas mbrojtjes së mjedisit dhe kontributit për komunitetin. Sapo dëgjoi për “Rural You”, një projekt i financuar nga BE-ja, ajo vendosi të aplikonte për fonde për të mbështetur idenë e saj për trasta të ripërdorshme.

“Nuk kisha shkruar kurrë më parë një projekt propozim, por kur ndoqa seancën e informimit, m’u duk një format shumë i lehtë dhe mendova se ia vlente ta provoja”, thotë ajo.

Historia e Martinës, e reja nga Malësia e Madhe e cila vendosi të qëndrojë e të punojë në fshatin e saj

Projekti “Trasta Trend”

plikimi i Martinës ishte i suksesshëm dhe kështu nisi projekti “Trasta Trend”. Me grantin që mori, Martina ka prodhuar qindra trasta të ripërdorshme. Ajo ua jep vetë banorëve të zonës dhe u shpjegon pse duhet t'i përdorin në vend të qeseve plastike.

Unë u shpjegoj atyre se qeset plastike kushtojnë para dhe ndotin peizazhin tonë të bukur. Ne mund të bëjmë diçka për ta ruajtur natyrën dhe për ta mbajtur atë të pastër”, thotë ajo.

Ajo ka në plan të fillojë seanca ndërgjegjësimi me fëmijët e shkollave sapo të marrë lejen nga Ministria e Arsimit. Por nuk mund ta bëjë këtë e vetme, ndaj po përpiqet të përfshijë të rinj të tjerë nga pesë njësitë administrative të Malësisë së Madhe.

Martina dhe bashkëmoshatarët e saj, të cilët kanë vendosur të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendlindje, kanë krijuar së fundmi organizatën “Rural You Hub”. Muajin e kaluar Martina u zgjodh Drejtoresha Ekzekutive e parë dhe ka shumë shpresë se mund të kontribuojnë për komunitetin duke i bërë zërat e tyre të dëgjohen dhe duke ndërmarrë veprime konkrete për të mbrojtur mjedisin.

Projekti “Rural You”, financuar nga BE-ja, synon të forcojë aktivizmin rinor për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm në zonat rurale rreth Shkodrës, Kukësit dhe Dibrës. “Rural You” është një ftesë për ta parë botën rurale nga perspektiva e të rinjve: ajo synon të përfshijë të rinj të motivuar nga zonat rurale, si Martina, për të luajtur një rol aktiv dhe për të kontribuar në zhvillimin rural dhe proceset e vendimmarrjes vendore. “Rural You” rrit pjesëmarrjen e të rinjve në jetën sociale, ekonomike dhe politike të komuniteteve rurale dhe të largëta të Shqipërisë së Veriut.