Nënkomiteti i 14-të BE-Shqipëri për Çështjet Ekonomike dhe Financiare dhe Statistikat

Më 29 shtator 2022 u zhvillua në Tiranë takimi i 14-të i Nënkomitetit për Çështjet Ekonomike dhe Financiare dhe Statistikat, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë. Përfaqësues nga Komisioni Evropian (KE) diskutuan me autoritetet përkatëse shqiptare për zhvillimet më të fundit në këto fusha. Ky nënkomitet është një platformë për të shkëmbyer rregullisht pikëpamje mbi zhvillimet e fundit në çështjet ekonomike, monetare dhe financiare, si dhe sfidat aktuale. Diskutimi vazhdoi gjithashtu për përafrimin me legjislacionin e BE-së (acquis) për disa tema.

Autoritetet shqiptare informuan se ekonomia i rezistoi ndikimit të COVID-19 më mirë nga sa pritej fillimisht dhe duket se i ka rezistuar ndikimit të luftës deri tani. Ata presin një rritje prej rreth 3% në vitin 2022, të mbështetur nga një konsum i fortë i brendshëm dhe të ardhura të larta nga turizmi. Autoritetet raportuan një rritje prej 4% të punësimit, një rënie të përqindjes së papunësisë në 11.5%, si dhe rritje të pagave në gjysmën e parë të vitit 2022, ndërsa inflacioni është rritur në 6% në vitin 2022, me një kulm prej 8% në verë. Për sa i përket politikës fiskale, Shqipëria synon një deficit prej 4.5% të PBB-së për vitin 2022 dhe një bilanc primar neutral në vitin 2023. Komisioni përshëndeti situatën e përgjithshme pozitive dhe angazhimin e Shqipërisë për të ulur borxhin e saj publik. Ai i kërkoi Shqipërisë të vazhdojë konsultimin publik për Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave, e cila ende nuk është miratuar. U diskutuan edhe zhvillimet në fushën e sistemeve të pagesave. Komisioni ngriti çështjen e lëvizjes së lirë të kapitalit dhe luftës kundër pastrimit të parave. Komisioni rikujtoi shqetësimet e shprehura më parë për planet për një amnisti tatimore dhe penale, si dhe për nevojën për të garantuar përputhjen me parimet e Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF)/Moneyval. Shqipëria sinjalizoi gatishmërinë e saj për të vazhduar dialogun për këtë me Komisionin.

Lidhur me Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik (KBFP), Komisioni vuri në dukje zhvillimet e vazhdueshme për përgjegjshmërinë menaxheriale dhe potencialin e strategjisë së re KBFP për të siguruar sisteme efektive të kontrollit të brendshëm. U vunë në dukje përpjekjet e Institucionit të Kontrollit të Shtetit dhe strategjia e zhvillimit të tij; rekomandimet e tij kanë një shkallë të lartë pranimi, por nevojiten më shumë përpjekje për zbatimin e tyre. Komisioni përshëndeti përpjekjet e ndërmarra në fushën e mbrojtjes së interesave financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkëpunimin e Shqipërisë me OLAF.

Në fushën e statistikave, Komisioni përshëndeti progresin e bërë nga INSTAT dhe inkurajoi rritjen e prodhimit dhe transmetimit të të dhënave në kohë dhe me cilësi të lartë në Eurostat. Komisioni sugjeroi se INSTAT-i (duhet) të rrisë efikasitetin duke modernizuar prodhimin statistikor, duke përdorur më shumë burime administrative dhe duke eksperimentuar me burime të reja të dhënash. U ra dakord që Shqipëria ta përdorë vitin 2021 si datë referimi për regjistrimin e popullsisë dhe banesave që do të zbatohet në vitin 2023, me rezultatet e ofruara ESTAT-it në vitin 2024 dhe finalizimin në vitin 2025. Është bërë përparim, por nevojiten ende përmirësime për të arritur përputhjen e plotë në lidhje me kontabilitetin kombëtar dhe statistikat e bujqësisë.