Rindërtojmë më mirë, një premtim që bëhet realitet

Bashkimi Evropian dhuroi 115 milionë euro të ndara në dy programe: “BE për Shkollat”, zbatuar nga UNDP, një investim prej 75 milionë eurosh për rindërtimin ose rehabilitimin e objekteve arsimore dhe “BE për Kulturën”, zbatuar nga UNOPS, një investim prej 40 milionë eurosh për rehabilitimin e siteve të trashëgimisë kulturore.
Puna e rindërtimit filloi menjëherë pas një vlerësimi gjithëpërfshirës të dëmeve në më shumë se 60 shkolla dhe 27 objekte kulturore, dhe tani mund të shohim rezultatet e ndërhyrjes dhe ndikimin e kësaj ndihme të madhe.
“Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare reaguan menjëherë në mbështetje të Shqipërisë për rimëkëmbjen nga tërmeti shkatërrimtar. Sot jam krenare të shoh dhjetëra shkolla të reja moderne që mirëpresin mijëra fëmijë çdo ditë dhe qendra të rëndësishme të trashëgimisë kulturore duke u rehabilituar. Mbështetja e BE-së tashmë po sjell një ndryshim në sistemin arsimor të vendit dhe trashëgiminë kulturore të tij. Ajo po ofron mundësi më të mira arsimimi për brezin e ri, qytetarët e ardhshëm të Shqipërisë në BE. Po e ndihmon Shqipërinë të ruajë trashëgiminë e saj të pasur dhe po nxit turizmin e saj vendas dhe ekonominë lokale”, tha Ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann.
BE për Shkollat
Tre vite pas tërmetit, mijëra fëmijë në 11 bashkitë e prekura po përdorin mjedise moderne sipas standardeve më të larta të cilësisë dhe sigurisë. Të gjitha shkollat ofrojnë laboratorë të rinj, palestra, biblioteka dhe hapësira të dedikuara për fëmijët me nevoja të veçanta. Deri më tani, 38 shkolla, kopshte dhe çerdhe, nga të cilat përfitojnë mbi 9000 fëmijë si dhe mbi 650 mësues, janë plotësisht funksionale dhe 14 të tjera janë në ndërtim e sipër.

Programi "BE për Shkollat" bazohet mbi parimin të "Rindërtojmë së bashku" duke siguruar gjithëpërfshirje dhe transparencë gjatë gjithë zbatimit të cikleve të programit. Ky parim ofron një mundësi unike për të angazhuar fëmijët, mësuesit, prindërit dhe komunitetin që të kenë fjalën në procesin e rindërtimit përmes konsultimeve. I gjithë procesi ka zhvilluar deri tani mbi 60 takime konsultimi, ku kanë marrë pjesë më shumë se 1700 persona.
“Sot shkolla ime është një ëndërr e bërë realitet”, thotë Dea Hetaj, nxënëse në shkollën “Demokracia”, Mamurras, Kurbin.
“Numri i fëmijëve në kopshtin tonë është rritur ndjeshëm. Çdo prind dëshiron t'i sjellë fëmijët në një mjedis kaq të bukur”, thotë Fatbardha Karaj, edukatore në kopshtin “1 Qershori” në Durrës.

“Jam shumë e lumtur në shkollën time të re. Në shkollën tonë nuk ka më orë mësimi në mbrëmje falë mjediseve të reja”, thotë Xhemi Shefiri, nxënëse e shkollës së mesme të Berxullës në Vorë.
I zbatuar nga UNDP, programi "BE për Shkollat" zbaton parimin #BuildBackBetter - "Rindërtojmë më mirë". Ky parim nënkupton struktura më të forta, rezistencë ndaj tërmeteve dhe fatkeqësive natyrore dhe në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të cilësisë dhe sigurisë.
BE për Kulturën
Tërmeti i nëntorit 2019 preku edhe dhjetëra qendra të trashëgimisë kulturore. Për ta ndihmuar Shqipërinë për restaurimin dhe rigjallërimin e këtyre qendrave, Bashkimi Evropian hartoi një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore, “BE për Kulturën”, me një buxhet prej 40 milionë eurosh.
Deri tani punimet e restaurimit dhe rehabilitimit kanë përfunduar në tre site: Kisha e Shën Mërisë në Rubik, Kisha e Shën Ndout në Rodon dhe Ura Kurçaj në Krujë. Puna rehabilituese është në vazhdim e sipër në Mozaikun e Muzeut Historik Kombëtar, Teatrin Kombëtar të Kukullave dhe në Institucionin e ish-të Përndjekurve Politikë në Tiranë; në Muzeun Etnografik të Krujës; në Kullën Veneciane, Hamamin dhe Muzeun Arkeologjik në Durrës; në Kalanë e Bashtovës; në Muzeun Etnografik të Kavajës, në Kalanë e Ishmit, etj.

I zbatuar nga UNOPS, në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Kulturës, programi “BE për Kulturën” synon gjithashtu të rrisë potencialin turistik, duke kontribuar drejtpërdrejt për rimëkëmbjen socio-ekonomike të Shqipërisë. Sipërmarrja vendore, artizanati dhe krijimtaria që zhvillohen pranë siteve të zgjedhura po mbështeten me grante, duke ofruar një nxitje të drejtpërdrejtë për prodhimin vendas dhe mirëqenien sociale.