“Plogger-ët” nga Mitrovica e Jugut vendosin standard të ri

Në vitin 2016, Arta Ibishi-Çitaku hasi në një video për njerëzit që merren me “plogging-un” – për njerëzit që praktikisht vrapojnë dhe mbledhin mbeturina.

Ky aktivitet joefektiv në dukje pati një ndikim të madh te Arta dhe te i gjithë qyteti i saj i lindjes, Mitrovica. Ajo video e frymëzoi Artën të bëhej ambientaliste dhe të fillonte me organizimin e aksioneve për pastrim.

Përgjigja ndaj sfidave mjedisore

“Ne përballemi me shumë sfida mjedisore në Kosovë, duke përfshirë ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës, por besoj se kjo mund të ndryshojë dhe se ne mund ta mbrojmë mjedisin tonë nëse përpiqemi”, thotë Arta.

Duke udhëhequr përmes shembullit, nëpër qytet ajo udhëton me biçikletë dhe përdor vetëm çanta të ripërdorshme. 

 

Arta Ibishi Citaku

Qysh në vitin 2016, Arta filloi të organizojë aksione pastrimi nëpër qytet. Por në vitin 2020 ajo e çoi aktivizmin e saj edhe një hap më tutje duke themeluar një grup joformal të quajtur “Ambientalistët e Mitrovicës” (ME), i cili tani numëron 150 aktivistë të përhershëm, profesionistë të rinj që merren me mbrojtjen e mjedisit, dhe shumë vullnetarë të tjerë.

“Është edhe e pabesueshme edhe e admirueshme njëkohësisht që sa herë që bëjmë thirrje për aksion, përgjigja vjen menjëherë. Mesatarisht përgjjigjen rreth 50 persona. Në aktivitetet tona për pastrim vijnë fëmijë, adoleshentë dhe gjithashtu të moshuar, dhe në këtë mënyrë të gjithë brezat punojnë së bashku për të mbrojtur tokën nënë”, thotë ajo, duke shpjeguar se vullnetarët i ftojnë nëpërmjet Facebook-u dhe se ky sistem funksionon shumë mirë.

 

Çdo euro është e rëndësishme

Aktivitetet e Ambientalistëve të Mitrovicës përveç pastrimit përfshijnë edhe mbjelljen e drunjëve, avokimin dhe promovimin e riciklimit dhe kursimit të energjisë. Mirëpo si shumë grupe të tjera joformale, edhe ata kanë probleme me financimin.

“Çdo euro është e rëndësishme”, thotë Arta. “Për çdo aksion që ndërmarrim, ne duhet të sigurojmë fonde për dorëza, qese plehrash, fidane, plehra dhe ndonjëherë për më shumë lopata dhe pajisje të tjera kopshtarie. Përveç kësaj, ofrimi i një gostie të vogël për vullnetarët në fund të aksionit do të thotë shumë, prandaj çdo mbështetje financiare  që marrim mbështet kauzën tonë dhe e bën punën tonë më të lehtë”.

Mitro clean-up

 

Financimi i aksionit të mbjelljes dhe pastrimit të drunjëve përgjatë brigjeve të lumit Ibër në Mitrovicën e Jugut nga ana e BE-së në Kosovë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Tokës, e mundësoi pikërisht këtë.

“Jo vetëm financimi por pjesëmarrja e ambasadorit të BE-së z. Szunyog dhe kryetarit të Komunës z. Bedri Hamza në aktivitetet tona ishte e rëndësishme pasi që tregoi se e kemi mbështetjen e tyre”, thotë Arta.

 

Ndotësit duhet të paguajnë gjoba

Ambientalistët e Mitrovicës nuk janë grupi i vetëm që po vendosin një standard të ri për aktivizëm në Mitrovicën e Jugut. Partneri i tyre, OJQ-ja e quajtur “Reconciliation Empoëering Communities - ‘REC Kosova’”, punon në mënyrë aktive në mbrojtjen e mjedisit dhe avokon për parandalimin e ndërtimit të hidrocentraleve mini dhe të vogla si dhe deponive ilegale.

Bashkëthemeluesi i ‘REC Kosova’, Besnik Uka, dhe Arta e mbrojnë fuqishëm gjobitjen e njerëzve që hedhin mbeturina në mënyrë të pakujdesshme, që e ndotin mjedisin dhe që krijojnë deponi ilegale.    

“Një nga aktivitetet tona është avokimi pranë autoriteteve komunale dhe kombëtare në lidhje me mirëmbajtjen dhe rregullimin e deponive rajonale, eliminimin e deponive të vogla ilegale dhe vënien e gjobave të detyrueshme për shkelësit e Ligjit për Mbeturina”, thotë Besniku, ndërsa Arta pajtohet: “Ata që krijojnë deponi ilegale duhet të paguajnë gjoba!”.

 

Krijimi i shprehive pozitive

Arta dhe Besniku janë fytyrat e mbrojtjes së mjedisit në Mitrovicën e Jugut si dhe simbole të shpresës për një të ardhme më të gjelbër. Ata janë të lumtur që aktiviteteve të tyre për çdo ditë po iu bashkohen gjithnjë e më shumë njerëz.

“Ne do të vazhdojmë me ngritjen e vetëdijesimit si dhe të luajmë një rol aktiv në ndryshimin e shprehive të njerëzve në mënyrë që ndotjes t’i thuhet një jo e madhe”, thotë Arta.

“Gjithashtu do të punojmë në krijimin e shprehive të reja, ku pjesëmarrja në aksione mjedisore të bëhet një gjë e zakonshme sikurse të shkosh për pazar apo të bësh gjëra të tjera argëtuese”, shton ajo, ndërsa Besniku e përmbyllë me një thirrje për veprim: “Mbrojtja e mjedisit nga ndotja dhe shtimi i hapësirave të gjelbra është një obligim qytetar. Ta bëjmë Kosovën një vend më të mirë për gjeneratat e reja!”.

Ndërsa të dy ata vazhdojnë përpjekjet e tyre për të pastruar Mitrovicën e Jugut dhe për ta bërë atë më të gjelbër dhe më të sigurt për të gjithë, BE-ja do të vazhdojë të mbështesë aktivistët dhe institucionet përkatëse në zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Që nga viti 2015, BE ka investuar mbi 100 milionë euro në mbrojtjen e mjedisit, duke përfshirë edhe përmirësimin e infrastrukturës energjetike e cila ka ndikim të madh në mjedis.