16 Ditë Aktivizëm: Ngjarja përmbyllëse e Programit Rajonal të OKB-së për Gruan për ndalimin e dhunës ndaj grave, financuar nga BE-ja
Shefja e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Tuzi-Nushi, theksoi se ky Program qëndron si histori suksesi e partneritetit solid ndërmjet BE-së, UN Women, organizatave të grave dhe ofruesve të shërbimeve.
“Programi ka forcuar kapacitetet e ofruesve të shërbimeve dhe mekanizmat koordinues kundër dhunës në familje, si dhe ka ofruar mbështetje teknike për institucionet e Kosovës. Përfundimisht, arritjet e këtij programi shërbejnë si dëshmi e fuqisë transformuese të bashkëpunimit të ngushtë shumëpalësh, duke na sjellë një hap më pranë eliminimit të dhunës ndaj grave dhe vajzave”, shtoi Tuzi-Nushi.
Gjatë aktivitetit, Ministrja e Drejtësisë theksoi se eliminimi i dhunës ndaj grave është një detyrim moral dhe shoqëror. “Për të arritur këtë qëllim, duhet të ndërtojmë një kulturë të respektit dhe të barazisë gjinore”, theksoi ministrja Haxhiu.
Ambasadori i BE-së në Kosovë përshëndeti përpjekjet e konsiderueshme të bëra nga Qeveria e Kosovës dhe shoqëria civile për të përmirësuar gjendjen e grave të Kosovës dhe për të çrrënjosur dhunën ndaj tyre. “Në këtë aspekt, BE-ja në Kosovë ka qenë jo vetëm dëshmitar i privilegjuar, por edhe kontribuues aktiv. Megjithatë, dhuna ndaj grave vazhdon. Siç theksohet në Raportin e Kosovës, ka ende shumë për të bërë. Duam të shohim një përmirësim në trajtimin e rasteve të dhunës në familje nga policia, prokuroria dhe gjykatat,” tha Szunyog.
Aktiviteti përmbyllës u dha zë edhe përfituesve të programit, të cilët prezantuan rezultate konkrete që rrjedhin nga kjo mbështetje, si dhe histori suksesi.
Për Programin
Programi "Zbatojmë norma, ndërrojmë mendje", i cili u zbatua në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqi, mëtonte përforcimin e zërit të grave dhe përmirësimin e mjedisit legjislativ dhe politik për t'i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe diskriminimit gjinor. Ai kishte një komponent të rëndësishëm të hartimit të legjislacionit e politikave, si dhe një komponent të vetëdijesimit, që kontribuoi në ndryshimin e mentalitetit.