BE-ja dhe Kosova mbajtën Grupin e 12-të Special për Reformën e Administratës Publike më 27 shtator 2022
Në përputhje me raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2021, takimi u fokusua në planet e autoriteteve dhe progresin drejt sigurimit të një shërbimi civil profesional, me organizim më të përgjegjshëm dhe siguri më të lartë juridike në lidhje me ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe bizneseve.
Komisioni Evropian pranoi dhe përshëndeti veçanërisht angazhimin e qeverisë në ndërmarrjen e hapave kyç pozitivë përpara në racionalizimin e agjencive, si dhe synimin për të përmirësuar shërbimet duke miratuar një program reformash gjithëpërfshirëse për parandalimin dhe reduktimin e barrës administrative dhe miratimin e grupit të parë të ligjeve të veçanta harmonizuar me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative me qëllim të krijimit të sigurisë juridike. Kosova është e përkushtuar të vazhdojë përpjekjet për zbatimin e reduktimit të barrës administrative, racionalizimin e agjencive dhe harmonizimin e ligjeve të veçanta.
Në lidhje me reformat për një administratë publike më të përgjegjshme, Komisioni Evropian vuri në dukje hapat kyç pozitivë të ndërmarrë me miratimin e valës së parë të racionalizimit të agjencive dhe theksoi nevojën për të vazhduar reformën e mëtejshme të linjave të llogaridhënies, duke finalizuar organizimin e brendshëm të ministrive dhe agjencive dhe përmirësimin e performancës së tyre.
Në lidhje me strategjinë e administratës publike, Komisioni Evropian inkurajoi miratimin dhe zbatimin e Strategjisë së re të Reformës së Administratës Publike 2022-2026 dhe u bëri thirrje autoriteteve të përmirësojnë aftësinë e tyre për të drejtuar në mënyrë efektive reformat. Kosova është e përkushtuar të zbatojë strategjinë dhe të arrijë objektivat ashtu siç është planifikuar.
Në lidhje me zhvillimin dhe koordinimin e politikave, Komisioni Evropian theksoi nevojën për të vazhduar me zbatimin e kornizës për planifikimin strategjik, dhe drejtimin më të mirë të sistemit të politikëbërjes nga qendra e qeverisë për të siguruar sistem të integruar të planifikimit dhe për të siguruar politika koherente të qëndrueshme dhe objektivat mes atyre afatmesme dhe afatshkurtra.
Në lidhje me reformën e shërbimit civil, Komisioni Evropian kërkoi përshpejtimin e organizimit të rekrutimit të centralizuar të shërbimit civil, ndërkohë që finalizon klasifikimin e vendeve të punës dhe organizimin e punës, të nevojshme për të ofruar një rekrutim të bazuar në merita, vlerësimin e performancës dhe shpërblimin transparent. Komisioni theksoi, dhe Kosova u pajtua, nevojën e ndryshimit të Ligjit për zyrtarët publikë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe në përputhje me parimet e administratës publike (meritokracia, transparenca, efektiviteti dhe llogaridhënia). Kosova gjithashtu u zotua që projektligji për pagat të vendosë një sistem uniform të pagave në sektorin publik, me qëllim të zbatimit të parimit të ligjshmërisë, transparencës, parashikueshmërisë, barazisë dhe mosdiskriminimit..
Kosova dhe Komisioni Evropian ranë dakord për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit, përfshirë nivelin teknik, në mënyrë që reformat e ndërmarra të zbatohen sa më shpejt të jetë e mundur plotësisht..
Për më shumë informacion, kontaktoni:
Zyra e Bashkimit Evropian: Fjolla Ceku Sylejmani, +383 45 195 100, fjolla.ceku@eeas.europa.eu
Zyra e Kryeministrit: Flamur Salihu +383 38 200 27 043, flamur.salihu@rks-gov.net
Informacion në sfond
◦ Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është korniza për BE-në dhe administratën e Kosovës për të diskutuar rregullisht çështjet teknike dhe politike në lidhje me agjendën evropiane.
◦ Takimet e Komitetit të SA dhe të Nënkomitetit bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Çdo takim rezulton në veprimet vijuese të dakorduara së bashku që do të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës. Përfundimet nga takimet janë të disponueshme në ueb faqen e Zyrës së BE-së në Kosovë (https://eeas.europa.eu/delegations/kosovo and www.integrimievropian.rks-gov.net). Janë shtatë fusha të mbuluara nga takimet sektoriale të nën-komisioneve, për Drejtësi, Liri dhe Siguri; Inovacioni, Shoqëria e Informacionit, Politika Sociale, Arsimi dhe Kultura; Tregtia, Industria, Doganat dhe Tatimet; Tregu i brendshëm, konkurrenca, mbrojtja e konsumatorëve dhe shëndetit; Bujqësi, Peshkim, Pylltari, Siguri Ushqimore; Transporti, Mjedisi, Energjia, Zhvillimi Rajonal; Çështjet Ekonomike dhe Financiare, Statistikat. Dy Grupe Speciale mbulojnë reformën e administratës publike dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
◦ Çdo takim i nën-komisionit monitoron dhe shoqëron zbatimin e reformave të Kosovës dhe identifikon se si BE-ja mund të ndihmojë në këtë proces. Takimet japin gjithashtu të dhëna të drejtpërdrejta në raportet vjetore të Komisionit Evropian.