Page language:
Albanian

BE-ja në Kosovë bën thirrje për zbatim të shpejtë dhe të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e tokës së Manastirit të Deçanit

Decani

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, u bëri thirrje sot institucioneve të Kosovës që të zbatojnë shpejt dhe në tërësi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e tokës së Manastirit të Deçanit dhe ta regjistrojnë ligjërisht Manastirin si pronar.

“Kanë kaluar gjashtë vjet nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe gati dhjetë vjet nga aktvendimi i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, përmes të cilëve  konfirmohet pronësia e Manastirit mbi disa hektarë të kontestuar të tokës në komunën e Deçanit”, tha ambasadori Szunyog.

“Tani është koha e fundit që institucionet e Kosovës të zbatojnë me shpejtësi dhe në tërësi  aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e tokës së Manastirit të Deçanit dhe ta regjistrojnë ligjërisht tokën që i përket Manastirit”.

“Përveç demonstrimit të përkushtimit të Kosovës ndaj sundimit të ligjit si një nga parimet udhëzuese të Bashkimit Evropian dhe të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, zbatimi i aktgjykimit do të kontribuonte në një dialog shumë të nevojshëm ndërmjet komuniteteve në Kosovë”.

Pronësia e tokës nga Manastiri u kontestua nga dy ndërmarrje shoqërore dhe Komuna e Deçanit, por  si Kolegji i Specializuar Pronësor i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme edhe Gjykata Kushtetuese i refuzuan pretendimet e tyre.

“Vitet që kanë kaluar që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e zvogëlojnë por përkundrazi e përforcojnë nevojën e zbatimit të tij dhe të zbatimit të parimit të sigurisë juridike, ku vendimet gjyqësore të formës së prerë zbatohen dhe nuk vihen në dyshim. Zbatimi i aktgjykimit gjithashtu do të kontribuonte në integrimet e mëtejshme evropiane dhe aspiratat e Kosovës”, shtoi Szunyog.

Bashkimi Evropian po ndihmon institucionet e Kosovës në forcimin e sundimit të ligjit në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe Agjendën e Reformës Evropiane.