BE-ja në Kosovë në Ditën IDAHOT: Të gjithë duhet të gëzojnë të drejta të barabarta, pavarësisht se kë dashurojnë

“Ne të gjithë lindim të barabartë dhe duhet të gëzojmë të drejta dhe mundësi të barabarta, pavarësisht se kë dashurojmë”, tha sot ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, gjatë një takimi me përfaqësuesit e komunitetit të lezbikeve, homoseksualëve, biseksualëve, transgjinorëve dhe interseksualëve të Kosovës (LGBTI), aktivistë socialë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut në Prishtinë.

Takimi ku morën pjesë përfaqësues të familjes së BE-së në Kosovë, duke përfshirë ambasadorët e Holandës, Suedisë, Carin Lobbezoo, Karin Hernmarck Ahliny si dhe shefen e Misionit tw Ambasadws sw Luksemburgut, Natacha Gomes, u organizua për të shënuar Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë - IDAHOT.

Me këtë rast, ambasadori Szunyog u bëri thirrje institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë që të rrisin përpjekjet për të siguruar që asnjë person LGBTI të mos pësojë diskriminim apo abuzim. 

“Ne do të kemi sukses në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBTI në Kosovë vetëm nëse marrim veprime të koordinuara dhe efektive”, tha ai, duke përsëritur përkushtimin e vazhdueshëm të Bashkimit Evropian për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe duke vlerësuar aktivistët vendas për ofrimin e drejtësisë sociale për komunitetin LGBTI dhe komunitetet e tjera të margjinalizuara.

Është për të ardhur keq që në Kosovë, sikurse edhe në shumë pjesë të tjera të botës, personat LGBTI janë ende duke u persekutuar, duke u sulmuar verbalisht ose fizikisht dhe duke u privuar nga mundësitë e barabarta të punësimit. Kjo rezulton në përjashtim social dhe varfëri potenciale, situatë kjo e cila vetëm sa u përkeqësua gjatë krizës shëndetësore COVID-19.

Me qëllim që të ndihmojë institucionet qeveritare dhe organizatat e shoqërisë civile në Kosovë në luftimin e diskriminimit, krimeve të urrejtjes kundër personave LGBTI dhe të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore, BE-ja mbështet aktivitetet e tyre përmes financimit IPA dhe Instrumentit të Demokracisë dhe të Drejtave të Njeriut.

“Shpresoj se do të shohim një dialog substancial ndërmjet institucioneve qeveritare dhe shoqërisë civile për luftimin e diskriminimit ndaj personave LGBTI dhe se Kuvendi i Kosovës së shpejti do të miratojë projekt Kodin Civil i cili mbështet të drejtën e tyre”, theksoi Szunyog, duke shtuar se aktivistët që mbrojnë të drejtën për të qenë vetvetja duhet të ketë mbështetje të plotë.

Në shenjë solidariteti me komunitetin LGBTI, nesër, më 17 maj, në Ditën IDAHOT në shtizën e flamurit të Zyrës së BE-së në Kosovë do të vendoset flamuri i ylberit.