Deklaratë nga Përfaqësuesja e Lartë/Zëvendëspresidentja Kallas dhe Komisionerja për Zgjerim Kos mbi zgjedhjet parlamentare në Kosovë
Të dielën, më 28 dhjetor, qytetarët e Kosovës ushtruan të drejtën e tyre demokratike duke votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Pas ngërçit politik që pasoi zgjedhjet e shkurtit 2025, presim me padurim formimin e shpejtë të Kuvendit dhe Qeverisë së re dhe vazhdimin e angazhimit tonë me autoritetet. Qeveria e re duhet të intensifikojë përpjekjet e saj për reformat shumë të nevojshme të lidhura me BE-në.
Bashkimi Evropian vlerëson pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve dhe partive të tyre politike në zgjedhje. Procesi zgjedhor dëshmoi një përkushtim të fortë ndaj parimeve demokratike. Bashkimi Evropian ka dërguar një Mision Ekspertësh për Zgjedhjet (EEM), i cili do të qëndrojë në Kosovë për të ndjekur procedurat paszgjedhore.
I bëjmë thirrje Kuvendit që sapo të konstituohet, të ratifikojë marrëveshjet e lidhura me Planin e Rritjes. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një instrument me afat të kufizuar, i miratuar për periudhën 2024–2027, dhe është në interes të Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të shfrytëzohen plotësisht të gjitha mundësitë që ofron ai, për të mirën e popullit të saj.
Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja, vazhdon të mbetet e vetmja rrugë për të dyja palët për të arritur përparim në rrugën e tyre evropiane. Presim që të gjitha obligimet që rrjedhin nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të dialogut, të zbatohen pa vonesa të mëtejshme ose parakushte. BE-ja është e gatshme të organizojë një takim të nivelit të lartë sapo kushtet ta lejojnë atë.
Përkujtojmë se BE-ja po ecën përpara me heqjen e masave ndaj Kosovës. 216 milionë euro ndihmë financiare tashmë janë liruar nga masat pas transferimit të rregullt të qeverisjes lokale pas zgjedhjeve të fundit lokale. Po ashtu, synojmë të lirojm nga masat edhe 205 milionë euro shtesë në fillim të vitit të ardhshëm.