Dialogu Beograd-Prishtinë: Deklaratë e Përfaqësuesit të Lartë në emër të Bashkimit Evropian për atë që pritet prej Serbisë dhe Kosovës*
BE-ja u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe në mirëbesim. Kjo nënkupton fillimin e zbatimit pa vonesa të mëtejshme bazuar në Propozimin e BE-së, i cili gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për t’i zbatuar plotësisht të gjitha Marrëveshjet e kaluara të Dialogut. Puna për themelimin e Asociacionit/Komunitetit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa asnjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm.
BE-ja ua rikujton palëve përgjegjësinë e tyre për respektimin e parimit të konfidencialitetit në Dialog, i cili është komponent kyç i çdo procesi negocimi me ndjeshmëri politike.
BE-ja mbetet po aq e shqetësuar për mungesën e progresit nga të dyja palët për de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës, disa muaj pas shpërthimit të fundit të dhunës që solli lëndime të qytetarëve, trupave të KFOR-it, policisë dhe përfaqësuesve të mediave, disa me pasoja të rënda dhe të përhershme.
Përkundër thirrjeve të përsëritura nga BE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, hapat e ndërmarrë deri më tani mbeten të pamjaftueshëm dhe situata e sigurisë në veri mbetet e tensionuar.
Në këtë kontekst, lëvizjet e Kosovës – duke përfshirë shpronësimet e tokës në veri të Kosovës, urdhrat për lirim të banesës, telekomunikacionin dhe përdorimin e forcave speciale të policisë për detyrat e policimit në bashkësi – nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit dhe rrezikojnë të kontribuojnë në rritjen e mëtejshme të tensioneve. Janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë sulmet e vazhdueshme në shkallë të vogël nga grupe kriminale dhe frikësimi i kadetëve serbë të Policisë së Kosovës të rekrutuar rishtazi / popullatës lokale. Bllokimi nga Serbia i udhërrëfyesit për Energjinë, si dhe përpjekjet e tjera që nuk janë në përputhje me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e saj, bien ndesh me frymën e procesit të Dialogut.
Kërkesat e bëra në Deklaratën në emër të BE-së të datës 3 qershor mbeten plotësisht valide. Masat e kthyeshme që ka marrë BE-ja mbeten në fuqi, duke përfshirë pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me Kosovën. BE-ja është e gatshme t’i heqë këto masa në rast të përparimit në përmbushjen e kërkesave ekzistuese, ose të vlerësojë masa të mëtejshme ndaj të dyja palëve, nëse është e nevojshme.
BE-ja rikujton rëndësinë e mbajtjes së shpejtë të zgjedhjeve të parakohshme lokale në veri të Kosovës për të ndihmuar në zbutjen e tensioneve. Është e nevojshme zgjidhja më e shpejtë për të mundësuar shpalljen e zgjedhjeve. Ne i inkurajojmë serbët e Kosovës që të angazhohen plotësisht në procesin zgjedhor dhe ta deklarojnë publikisht pjesëmarrjen e tyre të pakushtëzuar.
BE-ja u bën thirrje të gjithë akterëve politikë, në të gjitha nivelet e qeverisjes, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, që të angazhohen në mënyrë konstruktive në procesin që çon në zgjedhjet e parakohshme lokale në veri të Kosovës, të shmangin hapat e mëtejshëm përshkallëzues, si dhe të mbështesin përparimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
BE-ja shpreh mbështetjen e plotë për përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell në cilësinë e Lehtësuesit të Dialogut Beograd-Prishtinë, si dhe të Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së Miroslav Lajčák, dhe ua rikujton palëve se rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë kalon nëpër Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësitë për përparim në rrugët e tyre evropiane.
___________________________________________________________________________________________________
* Ky përcaktim është pa paragjykuar pozicionet rreth statusit, dhe është në përputhje me Rezolutën 1244/1999 të KS të OKB-së dhe opinionin e GJND-së mbi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.