Dirk Schuebel nis mandatin si Ambasador i BE-së në Kosovë
Dirk Schuebel mori detyrën si Ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë, duke shërbyer si Shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Përfaqësues i Special i Bashkimit Evropian (PSBE).
Zyrtar i lartë i BE-së dhe shtetas gjerman me përvojë të gjatë diplomatike dhe me një karrierë të fokusuar kryesisht në politikën e jashtme të BE-së, Schuebel ka shërbyer më parë në dy mandate ambasadoriale, si Ambasador i BE-së dhe Shef i Delegacionit të BE-së në Bjellorusi nga viti 2019 deri më 2022 dhe në Moldavi nga viti 2009 deri më 2013. Së fundmi, ai ka shërbyer si Shef i Divizionit për Rusinë në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm.
“Pres me padurim të punoj me institucionet e Kosovës, akterët politikë, shoqërinë civile, mediat dhe të gjitha komunitetet për ta ndihmuar Kosovën shumetnike të avancojë në rrugën e saj drejt integrimit në BE në baza të barabarta me të gjithë partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor,” tha Schuebel.
“Do ta mbështes të ardhmen evropiane të Kosovës. Puna drejt saj kërkon angazhimin e tërë shoqërisë dhe përkushtim të përbashkët për ta bërë integrimin në BE prioritet përtej ndarjeve politike. Gjithashtu do ta mbështes angazhimin konstruktiv të Kosovës në Dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja dhe përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve, në bashkëpunim të ngushtë me PSBE-në për Dialog, Peter Sorensen.”
Duke shprehur vlerësimin për përafrimin vullnetar të Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, Schuebel nënvizoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të qëndrojë krah për krah me Kosovën, duke u mbështetur në më shumë se 25 vjet përkrahje që nga viti 1999, si partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare. BE-ja i ka ofruar Kosovës më shumë se 3.7 miliardë euro ndihmë, duke filluar nga rindërtimi, ndërtimi i institucioneve dhe sundimi i ligjit, deri te zhvillimi ekonomik dhe mundësitë për të rinjtë.
“Së bashku, mund t’i shndërrojmë aspiratat evropiane të Kosovës në përparim të prekshëm për të gjithë qytetarët e saj,” shtoi ai.
Schuebel bëri thirrje për formimin e shpejtë të institucioneve, gjë që do t’i mundësonte Bashkimit Evropian të angazhohet plotësisht me Kosovën dhe t’i ofrojë asaj ndihmën që ka në dispozicion.
“Përpara kemi një dritare të rëndësishme mundësish. Për të mirën e të gjithë qytetarëve të saj, Kosovës i duhen institucione funksionale të afta për t’i zbatuar reformat e nevojshme dhe për ta shfrytëzuar plotësisht Planin e Rritjes të BE-së dhe financimin e ardhshëm mjaftë të konsiderueshëm të IPA. Shfrytëzimi maksimal i këtyre mundësive kërkon përgjegjësi politike, institucione efektive dhe fokus të qartë në reforma dhe në agjendën e integrimit evropian,” tha ai.
Si Ambasador i BE-së, Schuebel do të ofrojë këshillat dhe mbështetjen e BE-së në proceset politike dhe do të promovojë koordinimin e përgjithshëm politik të BE-së në Kosovë. Ai do të mbikëqyrë angazhimin dhe bashkëpunimin e BE-së me Kosovën, përfshirë reformat që lidhen me rrugën e saj drejt integrimit në BE.
Në ushtrimin e detyrave të tij, Ambasadori Schuebel do të mbështetet nga Zëvendësshefi i sapoemëruar i BE-së në Kosovë, Alexis Hupin, dhe ekipi i Bashkimit Evropian në Kosovë.
Biografia e Ambasadorit Schuebel është në dispozicion këtu: https://www.eeas.europa.eu/kosovo/rreth-ambasadorit_sq?s=321