Dita e Evropës bashkon qytetarët me një muaj kremtime
Këtë vit, Dita e Evropës në Kosovë i bashkoi qytetarët përmes një muaji plot kremtime të kulturës, komunitetit dhe vlerave të përbashkëta evropiane, nga ekspozitat artistike dhe koncertet deri te ngjarjet sportive, mbrëmjet letrare dhe diskutimet rreth Evropës.
Duke përqafuar krijimtarinë artistike lokale dhe idealet e përbashkëta evropiane të ndara përmes kulturës, për identitetin vizual të Ditës së Evropës 2026 Bashkimi Evropian në Kosovë bashkëpunoi me Jakup Ferrin, artistin e mirënjohur ndërkombëtar nga Kosova. Ky identitet pasqyroi temat e kremtimit dhe bashkimit, duke sjellë një dimension të fuqishëm lokal në aktivitetet e këtij viti.
EU in Kosovo, 2026
Kremtimi i partneritetit dhe arritjeve
Siç është bërë traditë, Bashkimi Evropian në Kosovë mirëpriti përfaqësues institucionalë, akterë të shoqërisë civile, media, komunitetin e biznesit, udhëheqësit fetarë dhe anëtarët e trupit diplomatik në pritjen vjetore me rastin e Ditës së Evropës. Në fjalën e saj përshëndetëse, Shefja në detyrë e Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, theksoi partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet BE-së dhe Kosovës.
“Që nga viti 1999, Bashkimi Evropian i ka qëndruar përkrah Kosovës. Sot, BE-ja mbetet partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare. Së bashku, po investojmë për mundësi, reforma dhe njerëz, sepse e ardhmja e Kosovës është në Evropë”, tha Palatova.
Pritja shënoi edhe akordimin e çmimit Evropiane e Vitit për Shqipe Neziri Velën si vlerësim për kontributin e saj në avancimin e barazisë gjinore, fuqizimin e grave dhe qeverisjen e qëndrueshmërisë energjetike në Kosovë dhe më gjerë.
EU in Kosovo, 2026
Muzika, arti dhe shpirti i komunitetit
Bashkimi Evropian në Kosovë dhe Chopin Piano Fest bashkëpunuan edhe një herë për të shënuar Ditën e Evropës përmes koncertit hapës të festivalit. Skena ishte e muzikanteve të mirënjohura italiane të Duo Gazzana, e përbërë nga motrat Natascia Gazzana (violinë) dhe Raffaella Gazzana (piano), të cilat e mrekulluan audiencën me performancën e tyre dedikuar pasurisë dhe diversitetit të trashëgimisë muzikore evropiane.
Po atë ditë, Sheshi Zahir Pajaziti në Prishtinë u shndërrua në Panairin e Team Europe, ku qytetarët u takuan me përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së, programeve të BE-së dhe bizneseve, organizatave dhe iniciativave të mbështetura nga BE-ja në Kosovë. Vizitorët eksploruan stenda interaktive, morën pjesë në kuize dhe mësuan më shumë rreth projekteve të BE-së që përmirësojnë jetën e përditshme në mbarë vendin. Familjet dhe fëmijët shijuan një program të larmishëm me muzikë, lojëra dhe argëtim, ndërsa në Mitrovicë të Veriut qytetarët u mblodhën për një ditë me aktivitete të dizajnuara për të gjitha gjeneratat.
EU in Kosovo, 2026
Kremtimet vazhduan deri në mbrëmje me koncerte që mblodhën publik të të gjitha moshave. Në Prishtinë, Edona Reshitaj, Jehona Sopi dhe Vesa Luma performuan live, ndërsa në Mitrovicë të Veriut skena ishte e Rinato dhe legjendarëve Leb i Sol.
EU in Kosovo, 2026
Të rinj e të reja eksplorojnë Evropën
Aktivitetet e Ditës së Evropës u shtrinë përtej 9 majit. Gjatë gjithë muajit, Bashkimi Evropian në Kosovë organizoi diskutime me nxënës të shkollave të mesme në mbarë Kosovën, përmes vizitave të ambasadorëve dhe përfaqësuesve të shteteve anëtare të BE-së në gjimnaze në Ferizaj, Gjakovë, Gjilan, Pejë dhe Prizren. Këto bashkëbisedime u ofruan të rinjve e të rejave një mundësi për angazhim të drejtpërdrejtë me diplomatë evropianë dhe për të diskutuar mundësitë dhe sfidat e rrugës së Kosovës drejt BE-së.
EU in Kosovo, 2026
Kultura, sporti dhe natyra
Bashkimi Evropian në Kosovë organizoi edhe një gamë të gjerë të ngjarjeve në komunitet, nga netët e kuizeve dhe mbrëmjet karaoke deri te shfaqjet e filmave. Një mbrëmje letrare shumëgjuhëshe, e organizuar bashkërisht nga ambasadat e shteteve anëtare të BE-së me Ambasadën e Malit të Zi, kremtoi pasurinë e letërsisë evropiane përmes veprave të autorëve si Franz Kafka, Ismail Kadare, Italo Kalvino dhe Danilo Kish.
Edhe sporti dhe aktivitetet në natyrë ishin pjesë e rëndësishme e kremtimeve. Në Obiliq, një ndeshje miqësore e regbit për vajza mblodhi pjesëmarrëse nga komunitete të ndryshme.
Në Rahovec, çiklistët eksploruan Rrugën e Verës që përshkon vreshta dhe peizazhe të formuara nga projektet zhvillimore të mbështetura nga BE-ja. Muaji u mbyll në Rugovë me eksplorimin e shtigjeve malore të mbështetura nga BE-ja, duke theksuar rëndësinë e turizmit të qëndrueshëm dhe të ruajtjes së trashëgimisë natyrore të Kosovës.
EU in Kosovo, 2026
BE-në për krah
Nën sloganin BE-në për krah, kremtimet e Ditës së Evropës paraqitën mënyrat e shumta si krijohen lidhjet mes Bashkimit Evropian dhe popullit të Kosovës përmes kulturës, edukimit, sportit dhe zhvillimit.
Si partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare, Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar ndaj mbështetjes së përparimit të Kosovës, ofrimit të ndihmës për sigurimin e përfitimeve të prekshme për qytetarët dhe avancimit në rrugën e Kosovës drejt ardhmërisë së përbashkët evropiane.