E ardhmja e Kosovës është në BE
Të nderuar miq dhe partnerë, dragi prijatelji i partneri, dear friends and partners, ju faleminderit që na u bashkuat sot në kremtimin e Ditës së Evropës.
9 maji është dita e kremtimit të unitetit dhe fatit të përbashkët të Unionit tonë dhe partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor.
Në këtë frymë, këtë vit duam të shprehim mirënjohjen ndaj evropianëve të shumtë që na ndihmuan ta kapërcejmë krizën e koronavirusit dhe që çdo ditë punojnë për ruajtjen e paqes dhe prosperitetit në Evropë.
Siç ka thënë Robert Schuman: Evropës i duhet një shpirt, një ideal, dhe vullneti politik për t’i shërbyer këtij ideali.
BE-ja i ka vënë në jetë këto fjalë, duke u përballur e bashkuar me krizën e shkaktuar nga pandemia COVID-19 dhe agresionin aktual rus kundër Ukrainës.
Në këto kohë sfiduese, dua ta falënderoj Qeverinë e Kosovës për rreshtimin e saj të vendosur me sanksionet e BE-së, dhe gatishmërinë për mikpritjen e refugjatëve dhe gazetarëve ukrainas.
Njëra prej tyre, zonja Lydmila Makey është këtu me ne sot, dhe do të doja t’i drejtoja mirëseardhjen tonë më të ngrohtë dhe t’i shpreh solidaritetin tonë me popullin ukrainas.
Dua ta theksoj se kjo ditë na përket të gjithëve.
Kjo ditë u përket kosovarëve po aq sa u përket qytetarëve të BE-së dhe përfaqëson kremtimin e vlerave tona të përbashkëta, duke përfshirë unitetin, solidaritetin, paqen, demokracinë, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Këto nuk janë fjalë të zbrazëta, por vlera themelore të përbashkëta për të gjithë popujt e Evropës, që i kanë sjellë kontinentit tonë prosperitet të padëgjuar më parë në historinë tonë.
E ardhmja e Kosovës është në BE. Alternativë tjetër, përveç vazhdimit të ecjes përpara në rrugën evropiane të rajonit, nuk kemi
Pa Ballkanin Perëndimor BE-ja nuk do të jetë e plotë, ndërkohë që agresioni rus kundër Ukrainës i ka bërë edhe më të rëndësishme përpjekjet tona të përbashkëta për avancim në rrugën evropiane të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.
Jam krenar për progresin që ka arritur Kosova me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe shteteve tona anëtare, dhe e them me bindje se përkundër çfarëdolloj sfide, solidariteti i BE-së nuk do të bjerë kurrë dhe BE-ja do të vazhdojë të jetë partneri më i afërt për Kosovën, siç është tani.
Kosova mund të vazhdojë të llogarisë në mbështetjen tonë, por edhe ne kemi nevojë për bashkëpunimin dhe përkushtimin e Kosovës që të vazhdojë të përparojë në rrugën e saj evropiane.
Sundimi i ligjit është themeli i një shoqërie të shëndetshme demokratike. Së bashku me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, duhet të mbetet prioritet për institucionet e Kosovës.
Po e mbyll këtu duke ju uruar Gëzuar Ditën e Evropës! Srećan dan Evrope! Happy Europe Day!
Këtë muaj të majit, ne kremtojmë Bashkimin Evropian dhe arritjet e tij me një sërë seminaresh, shfaqjesh artistike dhe punëtorish të hapura për këdo.
Shpresoj se do të na bashkoheni për disa nga këto aktivitete dhe pres të vazhdoj të punoj me të gjithë partnerët tanë për të mirën e Kosovës.