Fjala e ambasadorit të BE-së në Kosovë, Aivo Orav, në ngjarjen “Mbështetja e BE-së për shoqërinë civile dhe mediat” me rastin e Ditës Botërore të OJQ-ve
Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave,
Jemi mbledhur sot në Ditën Botërore të OJQ-ve për t’i dhënë rëndësinë e merituar organizatave të drejtuara nga interesi publik dhe e mira e përbashkët, të cilat nxisin ndryshimet shoqërore dhe avokojnë për të drejtat dhe mirëqenien e popullatës.
Sot kemi ftuar organizatat që kanë marrë grante nga BE-ja në vitin 2024. Por BE-ja ka mbështetur një mori organizatash të shoqërisë civile dhe të mediave në dy dekadat e fundit.
Për ne, për BE-në, një shoqëri civile aktive dhe e fuqizuar është vërtet komponent vendimtar i çdo demokracie. Ju rritni llogaridhënien politike dhe kohezionin social; thelloni kuptimin dhe gjithëpërfshirjen e reformave të rëndësishme; dhe mbështesni pajtimin dhe ndihmoni në parandalimin e polarizimit.
European Union in Kosovo, 2025
Së këndejmi, në mënyrë të pashmangshme, ju gjithashtu jeni partner i paçmueshëm në procesin e aderimit të Kosovës në BE, aq më shumë ngase keni një aftësi të pabesueshme për të ndier pulsin dhe nevojat e shoqërisë në çdo kohë. Lum Kosova që ju ka!
Ne shohim aktorë të shoqërisë civile dhe të organizatave mediatike që angazhohen me përkushtim jo vetëm në avokim, role të rojave të demokracisë dhe në dialogun politik – por janë po aq të rëndësishëm në ofrimin e shërbimeve thelbësore për popullatën, veçanërisht për grupet e margjinalizuara dhe të cenueshme.
European Union in Kosovo, 2025
Jam i vetëdijshëm se vendimi befasues i administratës amerikane për të pezulluar shumicën e ndihmave të saj në mbarë botën ka ndikim jashtëzakonisht të madh në programet e rëndësishme të ofruara nga sektori i OJQ-ve në Kosovë.
Përveç ndikimit të menjëhershëm në programet që më parë mbështeteshin nga financimi amerikan, ky zhvillim befasues nxori në pah edhe një çështje tjetër afatgjatë: varësinë e OJQ-ve nga donatorët. Shpresojmë që kjo sfidë të trajtohet me strategjinë e ardhshme të Qeverisë për bashkëpunimin me shoqërinë civile 2025-2029.
European Union in Kosovo, 2025
Nga pikëpamja e BE-së, unë vetëm mund të ritheksoj se puna, përpjekjet dhe trashëgimia juaj mbeten të rëndësishme për ne, për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe, më e rëndësishmja, për jetëgjatësinë e demokracisë së Kosovës dhe interesat e popullsisë së saj.
Si partneri më i madh tregtar, por edhe investitori dhe ofruesi më i madh ndihmës financiare, BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në procesin e saj të reformave dhe në rrugën drejt BE-së.
European Union in Kosovo, 2025
Për ta bërë këtë, ne kemi paraqitur Planin e Rritjes, i cili nxit reformat e lidhura me BE-në. Më shumë se 880 milionë euro janë vënë në dispozicion për të implementuar Agjendën e Reformave në Kosovë. Pas ratifikimit të marrëveshjeve të instrumenteve të financimit dhe huadhënies nga Kuvendi i Kosovës, BE-ja do të çlirojë mjete parafinancimi deri në 7% të shumës totale të alokuar.
Konsultimet me aktorë të jashtëm, duke përfshirë organizatat e shoqërisë civile, janë të mishëruara në implementimin e Planit të Rritjes. Prandaj, do të inkurajoja organizatat e shoqërisë civile të zgjerojnë pjesëmarrjen e tyre aktive edhe në këtë kuadër dhe të mbështesin qeverinë në shfrytëzimin e plotë të Planit të Rritjes, implementimin e Agjendës së Reformave, duke u afruar kështu më shumë me BE-në.
Faleminderit.