Investoni në gratë për ta fuqizuar shoqërinë

Op-ed nga Ambasador i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog.

Më 8 mars gratë janë në qendër të vëmendjes. Është një mundësi për të reflektuar mbi pozicionin e tyre në shoqëri, të drejtat e tyre, sfidat me të cilat përballen dhe rrugëtimin e vazhdueshëm drejt arritjes së barazisë gjinore në të gjitha sferat e jetës.

Gjatë mandatit tim trevjeçar e gjysmë në Kosovë, pata rastin të jem dëshmitar se shumë gra shkëlqejnë në qendër të vëmendjes dhe arrijnë gjëra të mëdha, pavarësisht se kanë përjetuar vështirësi. Një nga shembujt më frymëzues të fuqizimit dhe lidershipit të grave është Fahrije Hoti, themeluesja vizionare e Kooperativës Bujqësore “Krusha”. Duke shfrytëzuar mbështetjen e BE-së, e cila përfshinte ndërtimin e një objekti magazinimi dhe prodhimi krahas instalimit të paneleve diellore, ajo rriti shitjet e brendshme me 40% dhe shifrat e eksportit me 30%. Ajo tani mbikëqyr një ekip prej 57 punonjësish, nga të cilët 50 janë gra nga fshati i saj. Forca dhe qëndrueshmëria e jashtëzakonshme e Fahrijes shkëlqeu përmes filmit të mirënjohur dramatik “Hive”, i cili fitoi tri çmime në Festivalin e Filmit Sundance. Kam pasur nderin ta shikoj këtë film të mrekullueshëm së bashku me ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së dhe gratë e Kooperativës Bujqësore “Krusha”, gjatë vizitës sonë të përbashkët në Krushën e Madhe, në qershor 2022. Duke e vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm në komunitetin e saj dhe rolin si një dritë frymëzimi për gratë tjera, Fahrija u nderua me çmimin prestigjioz “Europianja e Vitit”, në vitin 2022.

Besarta Pajaziti është një shembull tjetër i shkëlqyer. E takova Besartën, përfituese e fondeve të BE-së, e cila drejtonte një rrobaqepësi në Çarshinë e Vjetër historike të Gjakovës, gjatë nisjes së fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, në vitin 2020. Duke përdorur grantin që ajo mori nga BE-ja, Besarta zgjeroi me sukses biznesin e vet, të themeluar fillimisht nga babai i saj, me rritjen e cilësisë dhe sasisë së prodhimit të veshjeve, njëkohësisht duke krijuar mundësi punësimi.

Tema e këtij viti për Ditën Ndërkombëtare të Gruas është “Frymëzoni përfshirjen”. E gjithë kjo është kaq frymëzuese. Arritjet e tilla mbushin me krenari të pamasë si popullin e Kosovës, ashtu edhe BE-në.

 

Përfshirja e grave në procesin e vendimmarrjes

Gjatë kohës sime në Kosovë kam parë gra udhëheqëse në të gjitha sferat e jetës. Kosova jep një shembull të shquar - me një grua Presidente dhe me gra që shërbejnë si zëvendëskryeministre, ministre, zëvendësministre, deputete dhe diplomate. Megjithatë, zgjedhjet komunale zbuluan një mungesë zhgënjyese të pjesëmarrjes së grave, me shumë pak kandidate gra dhe vetëm dy gra të zgjedhura kryetare komunash, të dyja serbe të Kosovës.

Për më tepër, gratë po marrin gjithnjë e më shumë pozita me përgjegjësi në fusha të ndryshme, si gazetaria, inxhinieria, akademia dhe kujdesi shëndetësor. Ato po i shfrytëzojnë në mënyrë aktive mundësitë e sipërmarrjes, me shumë gra që udhëheqin kompanitë dhe krijojnë rrugë punësimi për gratë tjera.

Ekspozimi i grave në role të tilla është thelbësore për zhvillimin e vajzave të reja dhe djemve të rinj. Është frymëzuese për të rinjtë në Kosovë që t’i shohin gratë në pozita udhëheqëse në të gjithë sektorët dhe të kuptojnë se ato gjithashtu mund të ndjekin vizionin e tyre e t’i realizojnë ëndrrat e veta. Është gjithashtu frymëzuese për të gjithë shoqërinë, pasi po ndryshon mentalitete dhe stereotipe si mes grave ashtu edshe burrave.

Megjithatë, Kosova ende përballet me sfida të konsiderueshme. Ndërsa po bën progres të qëndrueshëm në përfaqësimin e përgjithshëm të grave në vendimmarrje dhe në jetën publike, përfaqësimi i thjeshtë është i pamjaftueshëm për arritjen e barazisë gjinore. Gratë në role drejtuese përballen me një kontroll të shtuar dhe kërkesa më të mëdha, duke ju dashur  vazhdimisht ta demonstrojnë vlerën e tyre. Pavarësisht nga pozitave në  pushtet, ato shpesh hasin në diskriminim. Gratë, veçanërisht politikanet dhe figurat publike, shpesh bëhen shënjestra të fushatave dezinformuese që synojnë të minojnë besueshmërinë e tyre. Gjuha seksiste, mizogjene dhe ajo e urrejtjes, e drejtuar ndaj grave, jo vetëm që rrezikon mirëqenien e tyre, por gjithashtu, në raste të rënda, e rrezikon edhe sigurinë e tyre.

Për ta kundërshtuar këtë, ne duhet ta rrisim ndërgjegjësimin për diskriminimin, të ndërmarrim veprime për ta nxitur barazinë gjinore dhe t’i festojmë arritjet e grave. Duke i fuqizuar zërat e grave ne e pasurojmë diskursin politik me perspektiva të ndryshme dhe nxisim politika gjithëpërfshirëse që adresojnë nevojat unike të të gjithë qytetarëve.

 

BE-ja si promovuese e barazisë gjinore dhe lidershipit të grave

Në vitin 2020 nënshkrova planin e zbatimit të Planit të Veprimit Gjinor III, në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së, organizatat e shoqërisë civile, aktivistet për të drejtat e grave, të rinjtë dhe partnerët kryesorë ndërkombëtarë. Ky plan përfshin një vizion strategjik: angazhim të vazhdueshëm për ta luftuar dhunën me bazë gjinore, arsimim më të mirë, forcim të të drejtave ekonomike dhe sociale, si dhe avancim të udhëheqjes dhe pjesëmarrjes së grave.

Që atëherë, BE-ja në Kosovë punon ngushtë me Qeverinë e Kosovës, shoqërinë energjike  civile dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, për të avancuar barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave përmes ngritjes së vetëdijes për pabarazitë ekzistuese, duke sugjeruar ndryshime legjislative drejt përmirësimit të legjislacionit të Kosovës në përputhje me legjislacionin e  BE-së, si dhe zbatimin e projekteve të synuara.

Për shembull, programi rajonal i BE-së: ”Fuqizimi i OSHC-ve në Luftimin e Diskriminimit dhe Përmirësimi i të Drejtave të Grave në Punë”, synon të sjellë mundësi të barabarta për gratë që duan të futen në tregun e punës, duke u fokusuar në mangësitë legjislative, politike dhe zbatuese që shkaktojnë diskriminimin e grave në punë.

Përveç kësaj, BE-ja i ka realizuar disa projekte për të fuqizuar pjesëmarrjen e grave në politikë, për të integruar barazinë gjinore në procedurën legjislative dhe për të rritur përqindjen e vendeve që mbajnë  gratë në kuvendet dhe qeverisjet komunale. Ne po e bëjmë këtë sepse besojmë me vendosmëri se politika nuk duhet të konsiderohet vetëm sferë e burrave.

Sot, unë zotohem se do të vazhdoj t’i promovoj të drejtat e grave dhe vajzave në të gjitha aspektet e jetës përmes punës së BE-së në Kosovë. Kjo mund të arrihet vetëm nëse të gjithë e njohim vlerën e përfshirjes së grave.

 

Publikuar nga Koha.