Kosova dhe Bashkimi Evropian mbajtën takimin e 8-të të nën-komitetit të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim për Tregun e Brendshëm, Konkurrencën dhe Mbrojtjen e Shëndetit dhe Konsumatorit
Më 18 qershor 2026, Kosova dhe Bashkimi Evropian mbajtën takimin e 8-të të nën-komitetit të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim për Tregun e Brendshëm, Konkurrencën dhe Mbrojtjen e Shëndetit dhe Konsumatorit.
Duke u fokusuar në rekomandimet e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2025 dhe në zotimet reformuese të Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, përfaqësuesit e Kosovës dhe të Komisionit Evropian shqyrtuan progresin e arritur dhe diskutuan prioritetet e ardhshme për zbatimin e reformave me qëllim forcimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë së Kosovës dhe avancimin e integrimit të saj në BE.
Diskutimet përfshinë prokurimin publik, politikën e konkurrencës, të drejtën e themelimit dhe lirinë e ofrimit të shërbimeve, mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetit, ndihmën shtetërore, shërbimet financiare dhe të drejtën e shoqërive tregtare.
Në fushën e prokurimit publik, Komisioni e inkurajoi Kosovën të miratojë Ligjiet e rishikuara për Prokurimin Publik dhe atë për Partneritetet Publiko-Privat, në përputhje me acquis-in e BE-së dhe praktikat më të mira evropiane. Komisioni vuri në dukje nevojën për të forcuar më tej kapacitetet administrative të Organit Shqyrtues të Prokurimit, përfshirë emërimin e anëtarit të pestë të bordit, në mënyrë që të përballojë më efektivisht detyrat komplekse që rrjedhin nga mandati i tij. Gjithashtu, Komisioni e inkurajoi Kosovën të vazhdojë avancimin e platformës së prokurimit elektronik dhe mirëpriti përpjekjet e vazhdueshme për forcimin e kapaciteteve administrative dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e prokurimit publik.
Komisioni i inkurajoi autoritetet e Kosovës të adresojnë mungesën e vazhdueshme të një Komisioni funksional për Ndihmën Shtetërore që nga viti 2021, gjë që ka sjellë mungesë të vendimmarrjes efektive dhe kontrollit të ndihmës shtetërore. Për më tepër, kjo pengon përafrimin e mëtejshëm me acquis-in e BE-së, përfshirë legjislacionin sekondar. Masat e ndihmës shtetërore aktualisht në fuqi duhet të inventarizohen dhe të harmonizohen me rregullat përkatëse për ndihmën shtetërore.
Sa i përket politikës së konkurrencës, Komisioni i bëri thirrje Kosovës që pa vonesa të mëtejshme të procedojë me emërimin e anëtarëve të mbetur të Komisionit të Konkurrencës së Kosovës, të forcojë më tej rezultatet e saj në zbatim dhe të vazhdojë harmonizimin e legjislacionit dhe praktikave me acquis-in e BE-së. Komisioni njohu përpjekjet për të forcuar bashkëpunimin me rregullatorët sektorialë dhe mirëpriti vazhdimin e aktiviteteve trajnuese dhe ndërgjegjësuese lidhur me rregullat e konkurrencës.
Lidhur me të drejtën e themelimit dhe lirinë e ofrimit të shërbimeve, Komisioni e inkurajoi Kosovën të zhvillojë Pikën e Vetme të Kontaktit për shërbimet dhe të vazhdojë harmonizimin e legjislacionit me Direktivën e BE-së për Shërbimet. Ai mirëpriti progresin në hartimin e Ligjit të ri për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale, duke theksuar njëkohësisht nevojën për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve administrative të Departamentit për Profesionet e Rregulluara, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Në fushën e shëndetit dhe mbrojtjes së konsumatorit, Komisioni mirëpriti miratimin e Ligjit të ri për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor. Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e sigurimit të financimit të qëndrueshëm për sektorin publik të shëndetësisë dhe krijimit të një sistemi funksional të informacionit shëndetësor për të mbështetur reformat në kujdesin shëndetësor dhe për të përmirësuar cilësinë dhe qasjen në shërbimet publike shëndetësore për të gjithë qytetarët. Komisioni përsëriti nevojën për miratimin e një Ligji të ri për Mbrojtjen e Konsumatorit, përafrimin e mëtejshëm me acquis-in e BE-së në fushën e sigurisë së produkteve dhe forcimin e zbatimit të mbrojtjes së konsumatorit, përfshirë rritjen e numrit të inspektorëve.
Së fundi, në fushat e të drejtës së shoqërive tregtare dhe shërbimeve financiare, Komisioni vuri në dukje se nevojiten përpjekje të mëtejshme për të adresuar mangësitë e mbetura në legjislacionin për shoqëritë tregtare, veçanërisht në lidhje me regjistrimin e bizneseve dhe kërkesat për publikimin e informacioneve. Në fushën e shërbimeve financiare, Komisioni mirëpriti progresin në miratimin dhe zbatimin e Ligjit të ri për Bankat, i cili përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përafrimit me kuadrin bankar të Bashkimit Evropian.
Informata shtesë
-
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) është korniza përmes së cilës BE-ja dhe Kosova diskutojnë çështje teknike dhe të politikave rreth reformave të lidhura me BE-në. Organet e MSA-së përfshijnë Këshillin e Stabilizim-Asociimit, të asistuar nga Komiteti i Stabilizim Asociimit, si dhe nën-Komitetet e MSA-së, të cilat mbulojnë një gamë të gjerë të acquis të BE-së. Takimet e organeve të MSA-së japin kontribut të drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian.
-
Secili takim i nën-komitetit monitoron dhe shoqëron realizimet e Kosovës në reforma dhe identifikon si mundet BE-ja të ndihmojë në këtë proces.
-
Janë shtatë fusha të mbuluara përmes takimeve sektoriale të nën-komiteteve përkatëse: drejtësia, liria dhe siguria; inovacioni, shoqëria e informacionit, politikat sociale, arsimi dhe kultura; tregtia, industria, doganat dhe tatimet; tregu i brendshëm, konkurrenca, mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit; bujqësia, peshkimi, pylltaria, siguria ushqimore; transporti, mjedisi, energjia, ndryshimi klimatik dhe zhvillimi rajonal; çështjet ekonomike dhe financiare, statistikat.
-
Dy fusha të tjera, të mbuluara përmes takimeve të grupeve të posaçme, janë reforma në administratën publike dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
-
Takimet e komitetit dhe nën-komiteteve të MSA-së bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Secili takim rezulton në veprime vijuese të dakorduara bashkërisht që do të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës. Koha ndërmjet takimeve lejon zbatimin e rekomandimeve dhe veprimeve të mëvonshme të dakorduara.
Për më shumë informata, kontaktoni:
Bashkimi Evropian në Kosovë: Nikola GAON, Nikola.GAON-SOROKIN@ext.eeas.europa.eu
Komisioni Evropian: Beatriz MELLADO, beatriz.MELLADO@ec.europa.eu
Zyra e Kryeministrit: Jeton KARAQICA dhe Gezim DUSHI, jeton.KARAQICA@rks-gov.net, gezim.DUSHI@rks-gov.net