Kosova dhe Bashkimi Evropian zhvilluan takimin e shtatë të Nën-komitetit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për Çështje Ekonomike dhe Financiare dhe për Statistika
Zyrtarë nga Kosova dhe Komisioni Evropian zhvilluan një takim më 25 nëntor 2025 në Bruksel, ku u diskutuan zhvillimet në fushat e çështjeve ekonomike dhe financiare, si dhe të statistikave.
Gjatë takimit, zyrtarët shkëmbyen pikëpamje për zhvillimet ekonomike dhe financiare, politikat buxhetore dhe fiskale, mjedisin e biznesit, statistikat dhe kontrollin e brendshëm të financave publike.
Në fushën e politikave ekonomike dhe fiskale, u adresuan tema që lidhen me rritjen e BPV-së, inflacionin, tregun e punës dhe sektorin e jashtëm.
Kosova paraqiti këndvështrimin e vet për politikat fiskale, duke përfshirë vlerësimin e risqeve dhe sfidave fiskale dhe përgatitjen dhe miratimin e buxhetit për vitin 2026, i cili është vonuar për shkak të ngërçit politik në vazhdim. BE-ja theksoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit makro-fiskal duke respektuar kufijtë e shpenzimeve dhe të deficitit të përcaktuar nga rregullat fiskale, duke forcuar njëkohësisht shpenzimet që nxisin rritjen. Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu zhvillimet e fundit në sektorët bankarë dhe të sigurimeve, si dhe zhvillimet në lidhje me lëvizjen e lirë të kapitalit.
U diskutuan gjithashtu reformat kyçe strukturore të nevojshme për rritjen e aftësisë së Kosovës për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut, përkatësisht në fushat e mjedisit të biznesit, energjisë dhe privatizimit.
Këtu u përfshinë bashkëbisedime rreth zhvillimeve të parapara nga Ligji për Investimet e Qëndrueshme, siç është krijimi i një Agjencie për Investime dhe Eksport dhe një Agjencie për Mbështetjen e Ndërmarrjeve. U vlerësua progresi në reformat e tjera strukturore që synojnë nxitjen e zhvillimit të sektorit privat dhe investimeve të huaja direkte, si dhe zhvillimet legjislative, stabiliteti financiar dhe qeverisja e Ndërmarrjeve Publike.
Në fushën e statistikave, pjesëmarrësit u dakorduan se statistikat e besueshme dhe me cilësi të lartë janë esenciale për hartim efektiv të politikave të bazuara në dëshmi. Për këtë, me rëndësi kyçe janë përmirësimi i mëtejshëm i qasjes në burimet e të dhënave administrative të disponueshme dhe përdorimi sistematik i tyre. Diskutimet u fokusuan në nevojën për forcim të kapaciteteve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, veçanërisht në lidhje me sigurimin e burimeve të nevojshme njerëzore dhe financiare për Regjistrimin e Bujqësisë të planifikuar.
Në fushën e kontrollit financiar u adresuan zhvillimet më të fundit në Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik, veçanërisht rëndësia e sigurimit të zbatimit gjithëpërfshirës të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik, Menaxhimit të Financave Publike dhe Reformave të Administratës Publike. Diskutimet në këtë fushë u fokusuan edhe në nevojën për forcim të menjëhershëm të kapaciteteve për auditim të brendshëm, si dhe për përmirësim të transparencës së përgjithshme të raportimit të Kosovës.
Informata të përgjithshme
-
Marrëveshja e Stabilizimit dhe Asociimit (MSA) është korniza për BE-në dhe administratën e Kosovës për të diskutuar çështje teknike dhe të politikave mbi reformat e lidhura me BE-në. Organet e MSA-së përfshijnë Këshillin e Stabilizimit dhe Asociimit, të ndihmuar nga Komiteti i Stabilizimit dhe Asociimit, si dhe Nën-Komitetet e MSA-së, të cilat mbulojnë një gamë të gjerë të acquis të BE-së. Takimet e organeve të MSA-së japin kontribut të drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian.
-
Secili takim i nën-komitetit monitoron dhe shoqëron realizimet e Kosovës në reforma dhe identifikon si mundet BE-ja të ndihmojë në këtë proces.
-
Janë shtatë fusha të mbuluara përmes takimeve sektoriale të nën-komiteteve përkatëse: Drejtësia, Liria dhe Siguria; Inovacioni, Shoqëria e Informacionit, Politikat Sociale, Arsimi dhe Kultura; Tregtia, Industria, Doganat dhe Tatimet; Tregu i Brendshëm, Konkurrenca, Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndetit; Bujqësia, Peshkimi, Pylltaria, Siguria Ushqimore; Transporti, Mjedisi, Energjia, Ndryshimi i Klimës dhe Zhvillimi Rajonal; Çështjet Ekonomike dhe Financiare, Statistikat.
-
Dy fusha të tjera, të mbuluara përmes takimeve të grupeve të posaçme, janë reforma në administratën publike dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
-
Takimet e Komitetit dhe nën-Komiteteve të MSA-së bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Secili takim rezulton në veprime vijuese të dakorduara bashkërisht që do të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës. Koha ndërmjet takimeve lejon zbatimin e rekomandimeve dhe veprimeve të mëvonshme të dakorduara.
Për më shumë informata, kontaktoni:
Bashkimi Evropian në Kosovë: Nikola GAON SOROKIN, Nikola.GAON-SOROKIN@ext.eeas.europa.eu
Komisioni Evropian: Tom DAUTZENBERG, Tom.DAUTZENBERG@ec.europa.eu
Zyra e Kryeministrit: Jeton KARAQICA, jeton.karaqica@rks-gov.net