Kosova dhe Bashkimi Evropian zhvilluan takimin e tetë të nën-komitetit të MSA-së për Transport, Energji, Mjedis dhe Zhvillim Rajonal.
Hysni Nura, u.d. Drejtor i Zyrës për Politika Sektoriale në Zyrën e Kryeministrit, dhe Julien Crampes, Zëvendës Shef i Njësisë për Kosovën dhe Serbinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësinë Lindore, bashkë-kryesuan sot në Bruksel takimin e 8-të të nën-komitetit të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë për Transportin, Energjinë, Mjedisin dhe Zhvillimin Rajonal.
Takimi, i cili bëri bashkë përfaqësues nga Komisioni Evropian dhe Kosova, u fokusua në progresin e autoriteteve të Kosovës dhe planet e mëtejshme drejt avancimit të reformave në rrugën e integrimit të Kosovës në BE.
Në përputhje me Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2025 dhe zotimet për reforma të ndërmarra nga Kosova si pjesë e Planit për Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, Komisioni e inkurajoi Kosovën të përshpejtojë zbatimin e reformave në mbarë sektorët e transportit, energjisë, mjedisit dhe zhvillimit rajonal, duke përfshirë masat që lidhen me veprimin klimatik, tranzicionin e energjisë së gjelbër, lidhshmërinë e qëndrueshme dhe qeverisjen mjedisore.
Derisa mirëpritën progresin e arritur në një numër të fushave, përfaqësuesit e Komisionit theksuan rëndësinë e adresimit të sfidave të mbetura. Këtu përfshihet nevoja për rritjen e resurseve buxhetore, si dhe të kapaciteteve administrative dhe zbatuese në sektorin e mjedisit, duke avancuar projektet kyçe për lidhshmërinë dhe infrastrukturën, si dhe duke miratuar Planin Kombëtar për Energji dhe Klimë, i cili është mjeti kyç i planifikimit për realizimin e një tranzicioni të drejtë klimatik dhe energjetik dhe për drejtimin e investimeve të mëtejshme në energji të ripërtërishme. Komisioni Evropian mirëpriti progresin e arritur në ankandet e energjisë nga era dhe solare, avancimin e reformave të tregut të energjisë elektrike, lansimin e lidhjes së tregut të energjisë elektrike të një dite përpara me Shqipërinë, si dhe transportin multimodal dhe sigurinë e aviacionit.
Kosova rikonfirmoi përkushtimin ndaj zbatimit të plotë të agjendës së reformave në fushën e tranzicionit të gjelbër, duke përfshirë prioritetet e identifikuara në Planin për Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor dhe rekomandimet e Komisionit Evropian, si dhe ndaj sigurimit që këto reforma të japin rezultate të prekshme për qytetarët dhe bizneset.
Kosova dhe Komisioni Evropian u dakorduan ta rrisin më tej bashkëpunimin, në mënyrë që reformat e ndërmarra të zbatohen plotësisht dhe sa më shpejt të jetë e mundur.
Me më shumë se 3.7 miliardë euro të investuara në Kosovë që nga viti 1999, BE-ja është partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i asistencës financiare.
Informata shtesë
-
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) është korniza përmes së cilës BE-ja dhe Kosova diskutojnë çështje teknike dhe të politikave rreth reformave të lidhura me BE-në. Organet e MSA-së përfshijnë Këshillin e Stabilizim-Asociimit, të asistuar nga Komiteti i Stabilizim Asociimit, si dhe nën-Komitetet e MSA-së, të cilat mbulojnë një gamë të gjerë të acquis të BE-së. Takimet e organeve të MSA-së japin kontribut të drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian.
-
Secili takim i nën-komitetit monitoron dhe shoqëron realizimet e Kosovës në reforma dhe identifikon si mundet BE-ja të ndihmojë në këtë proces.
-
Janë shtatë fusha të mbuluara përmes takimeve sektoriale të nën-komiteteve përkatëse: Drejtësia, liria dhe siguria; Inovacioni, shoqëria e informacionit, politikat sociale, arsimi dhe kultura; Tregtia, industria, doganat dhe tatimet; Tregu i brendshëm, konkurrenca, mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit; Bujqësia, peshkimi, pylltaria, siguria ushqimore; Transporti, mjedisi, energjia, Ndryshimi klimatik dhe zhvillimi rajonal; Çështjet ekonomike dhe financiare, statistikat.
-
Dy fusha të tjera, të mbuluara përmes takimeve të grupeve të posaçme, janë reforma në administratën publike dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
-
Takimet e komitetit dhe nën-komiteteve të MSA-së bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Secili takim rezulton në veprime vijuese të dakorduara bashkërisht që do të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës. Koha ndërmjet takimeve lejon zbatimin e rekomandimeve dhe veprimeve të mëvonshme të dakorduara.
Për më shumë informata, kontaktoni:
Bashkimi Evropian në Kosovë: Nikola GAON, Nikola.GAON-SOROKIN@ext.eeas.europa.eu
Komisioni Evropian: Martin SCHLATTE, Martin.SCHLATTE@ec.europa.eu
Zyra e Kryeministrit: Erëza Abrashi, Ereza.ABRASHI@rks-gov.net