Kosova dhe BE-ja mbajtën takimin e katërt të Nën-Komitetit të MSA-së për tregun e brendshëm, konkurrencën dhe shëndetin si dhe mbrojtjen e konsumatorit
Të martën, 24 mars 2020, përfaqësuesit nga Kosova dhe Komisioni Evropian diskutuan zhvillimet gjatë vitit të kaluar në fushat e prokurimit publik, të drejtat e pronësisë intelektuale, të drejtat e themelimit dhe lëvizjes së lirë të shërbimeve, politikat e konkurrencës, lëvizjen e kapitalit, shërbimet financiare dhe të drejtën e kompanive, mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetësinë. Diskutimi u mbajt në kornizën e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) e cila hyri në fuqi në Prill 2016. Në të gjitha fushat, Komisioni dhe Kosova ranë dakord për rëndësinë e zbatimit të Agjendës Evropiane të Reformës dhe prioriteteve të Programit të Reformës Ekonomike si dhe rekomandimet nga Raporti për Kosovën i Komisionit për vitin 2019.
Shumë nga çështjet e diskutuara kanë të bëjnë me sigurimin e ekonomisë konkurruese, përfshirë lehtësimin e biznesit dhe krijimin e fushëlojës së baraspeshuar për kompanitë që bëjnë biznes, si dhe konsumatorët që i përdorin ato shërbime.
Sa i përket sigurimit të trajtimit transparent dhe të barabartë për kompanitë përmes rregullave të prokurimit publik, Komisioni i mirëpriti zhvillimet pozitive në shpalosjen e moduleve të mëtutjeshme të platformës së e-prokurimit dhe bëri thirrje për bashkëpunim më të madh ndërmjet institucioneve përkatëse, si dhe ndërtimin e kapaciteteve dhe në monitorimin e sistemit.
Sa i përket zbatimit dhe mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale, Komisioni mirëpriti aktivitetet e ndërgjegjësimit. Ai theksoi nevojën që Qeveria duhet të vazhdojë të harmonizohet me rregullat e BE-së dhe ta përmirësojë kapacitetin për zbatim dhe përmbarim efektiv të rregullave.
Për të drejtat e themelimit dhe lirinë e ofrimit të shërbimeve, Komisioni i bëri thirrje Kosovës që t’i harmonizojë dhe t’i zbatojë më tej Ligjin për Shërbime dhe Ligjin për Profesione të Rregulluara, ku ky i fundit do të jetë i nevojshëm për ta siguruar njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve të fituara në Kosovë ose BE. Komisioni mirëpriti reformën në tregun e shërbimeve postare, e cila ende duhet të hapet më tej për konkurrencën në interes të konsumatorëve dhe përdoruesve të biznesit.
Sa i përket konkurrencës së lirë, Komisioni mirëpriti emërimin e Komisionit të pavarur të Ndihmës Shtetërore dhe e inkurajoi që ta realizojë një inventar të skemave të ndihmës shtetërore, dhe t’i harmonizojë ato me rregullat e BE-së, siç parashikohet në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë. Gjithashtu u theksua organizimi i masave të trajnimit dhe avokimit për politikën e konkurrencës për stafin e organeve përkatëse dhe për palët e interesuara përkatëse, veçanërisht gjyqtarët.
Në lidhje me lëvizjen e kapitalit, shërbimet financiare dhe të drejtës së kompanive, Komisioni përshëndeti informacionin për vazhdimin e harmonizimit me rregullat e BE-së dhe inkurajoi vlerësimin dhe përmirësimin e kapaciteteve të organeve përkatëse për ta zbatuar dhe monitoruar respektimin e rregullave nga kompanitë, për të përmirësuar fushëlojën e baraspeshuar, si dhe për ta siguruar kontrollin e cilësisë së asociacioneve përkatëse të kontabilitetit dhe auditimit. Të dy ranë dakord për nevojën për t’i shtuar përpjekjet për ta luftuar ekonominë joformale, pastrimin e parave dhe krimin financiar.
Për sa i përket mbrojtjes së konsumatorit, Komisioni e përshëndeti punën në zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit 2018, ndërsa kujtoi se disa elementë ende duhet të harmonizohen me acquis të BE-së. U theksua rëndësia e ndërgjegjësimit dhe mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve dhe detyrimeve të tregtarëve, si dhe nevoja për përfshirjen e asociacioneve të konsumatorëve dhe palëve të tjera të interesuara në zbatimin e kornizës ligjore. U mirëprit krijimi i një faqeje në internet me njoftime për produktet jo-ushqimore që paraqesin risk serioz për konsumatorët, si dhe lajme për sigurinë e produkteve dhe çështje të tjera të sigurisë së konsumatorit.
Në fund, lidhur me shëndetësinë, ndërsa po zhvillohej diskutimi duke pasur parasysh pandeminë Covid-19, u ra dakord për rëndësinë e bashkëpunimit me Qendrën Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve. Gjithashtu u ra dakord, në përgjithësi, që politikat shëndetësore duhet të adresohen në mënyrë holistike me bashkëpunim dhe koordinim të shtuar në të gjithë sektorët. Komisioni theksoi rëndësinë e dispozitave të qëndrueshme financiare për të ofruar shërbime adekuate të kujdesit shëndetësor primar dhe sigurim të detyrueshëm shëndetësor. Komisioni i bëri thirrje Kosovës që ta bëjë vlerësimin e ndikimit shëndetësor të ndotjes së ajrit dhe ta zbatojë legjislacionin ekzistues të kontrollit të duhanit.
Informatë e përgjithshme
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) është korniza në të cilën BE dhe administrata e Kosovës diskutojnë rregullisht për çështjet teknike dhe të politikave në lidhje me agjendën evropiane.
Takimet e Komitetit dhe Nën-Komitetit për MSA bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Çdo takim rezulton në veprime vijuese të dakorduara bashkërisht që do të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës. Janë shtatë fusha që mbulohen përmes takimeve sektoriale të nën-komiteteve: Drejtësia, Liria dhe Siguria; Inovacioni, Shoqëria e Informacionit, Politikat Sociale, Arsimi dhe Kultura; Tregtia, Industria, Doganat dhe Tatimet; Tregu i Brendshëm, Konkurrenca, Konsumatori dhe Mbrojtja e Shëndetit; Bujqësia, Peshkimi, Siguria e Ushqimit; Transporti, Mjedisi, Energjia, Ndryshimi i Klimës dhe Zhvillimi Rajonal; Çështjet Ekonomike dhe Financiare, Statistikat. Dy fushat tjera që mbulohen nga takimet e grupeve speciale janë reformat në administratën publike dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.
Çdo takim i nën-komitetit e monitoron dhe shoqëron realizimin e reformave nga Kosova dhe identifikon se si BE mund të ndihmojë në këtë proces. Takimet gjithashtu japin inpute direkte raporteve vjetore të Komisionit Evropian.
Takimet e Komitetit dhe Nën-Komitetit për MSA bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Çdo takim rezulton në veprime vijuese të dakorduara bashkërisht që do të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës.