Rusi/Ukrainë: Deklarata e Përfaqësuesit të Lartë/Zëvendës presidentit Josep Borrell për paketën e katërt të masave kufizuese

15.03.2022

Teksa lufta e Putinit kundër Ukrainës dhe popullit të saj vazhdon, kështu vazhdon edhe vendosmëria jonë për ta mbështetur Ukrainën dhe për ta sakatuar financimin e makinerisë së luftës së Kremlinit. 

Jemi dëshmitarë të një agresioni masiv kundër civilëve, një katastrofe humanitare dhe një sërë mizorish që përbëjnë krime lufte, të cilat po ndodhin në Ukrainë, të kryera nga forcat e armatosura ruse. 

Deri më sot, mund të numërojmë gati 80 fëmijë dhe qindra civilë të vrarë, të plagosur apo të zhvendosur. Me mijëra janë të zhvendosur brenda Ukrainës dhe dy milionë e gjysmë - dy milionë e gjysmë në më pak se dy javë - janë tashmë refugjatë në Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo është sa popullsia e disa prej Shteteve tona Anëtare. Dhe, sigurisht, është lëvizja më e madhe e njerëzve që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore në tokat evropiane.  

Mariupol dhe qytete të tjera janë nën rrethim brutal. Qytetet e tjera po bombardohen. 

Putin po përpiqet të shkatërrojë Ukrainën. Putin po shkatërron Ukrainën, por po ashtu po dëmton edhe trupat e tij ushtarake, edhe qytetarët e tij. Ushtarët po vdesin me qindra, pasi ky pushtim i pakuptimtë ngeci përballë trimërisë dhe vendosmërisë së luftëtarëve ukrainas të lirisë. 

Dhe, përveç kësaj, Putini po bën kërdinë në ekonominë e Rusisë. Ekonomia e Rusisë po goditet shumë rëndë nga sanksionet tona. 

Komuniteti ndërkombëtar - rreth 40 vende - ka vendosur sanksione si kundërpërgjigje ndaj luftës së Presidentit Putin, dhe ato po e godasin rëndë regjimin e tij. 

Synimi i sanksioneve është të ndalohet sjellja e çartur, çnjerëzore dhe agresive e trupave ruse. Për sa kohë që ai nuk e ndal sulmin mbi Ukrainën dhe popullin ukrainas, ne do të vazhdojmë të miratojmë masa kufizuese. 

Presidentja [Ursula] von der Leyen, Presidentja e Komisionit, sapo i përshkroi masat e reja të BE-së që prekin tregtinë, qasjen në treg, anëtarësimin në institucionet financiare ndërkombëtare, kripto-asetet, eksportet e mallrave luksoze, si dhe targetojnë sektorët e çelikut dhe energjisë. 

Përveç këtyre masave sektoriale, unë po parashtroj propozime për të sanksionuar më shumë individë dhe më shumë kompani që po luajnë rol aktiv ose po mbështesin personat që minojnë sovranitetin e Ukrainës nga qeveria ruse. 

Me këto sanksione, ne do të vazhdojmë të ndjekim oligarkët, elitat e lidhura me regjimin, familjet e tyre dhe biznesmenët e shquar, të cilët janë të përfshirë në sektorët ekonomikë duke siguruar një burim të konsiderueshëm të ardhurash për regjimin. 

Ata janë aktivë në industrinë e çelikut, ofrojnë produkte dhe teknologji ushtarake, ose ofrojnë shërbime financiare dhe investuese. 

Kjo është një tjetër goditje madhore për bazën ekonomike dhe logjistike me të cilën Kremlini ushqen pushtimin dhe siguron burimet për ta financuar atë. 

Dhe ne do të targetojmë më shumë persona, më shumë persona që luajnë rol udhëheqës në dezinformim dhe propagandë – një luftë e vërtetë, një luftë idesh, një luftë narrative – që e shoqëron këtë luftë të neveritshme të Putinit kundër popullit ukrainas. 

Dhe, në mënyrë që të vazhdojmë ta mbështesim ushtrinë dhe popullin ukrainas, unë u kam propozuar gjithashtu, sot këtu në Versajë, liderëve evropianë që të rrisim kontributin tonë nga burimet tona financiare që vijnë nga Instrumenti Evropian për Paqen, duke shtuar edhe 500 milionë euro për t’iu përgjigjur nevojave të mbrojtësve të popullit dhe territorit ukrainas.  

Me këtë, ne rikonfirmojmë mbështetjen tonë të palëkundur për Ukrainën. Ne përshëndesim trimërinë e qytetarëve dhe forcave të tyre të armatosura dhe qëndrojmë me ta derisa Putini ta ndalojë këtë luftë pa kuptim.