Të jetosh lirinë
Edhe drita e abazhurit në dhomën e fjetjes po i pengonte. Fishkëllima e erës jashtë ishte cingëritëse dhe asesi s’po arrinte të rehatohej në shtrat. Guri ende nuk ishte kthyer, me shumë gjasë përsëri ishte me shokët e tij. Sytë po i njomeshin, brofi, mezi po gjente pantoflat në errësirë, u pengua, u mbajt për karrigen e make up-it, u ekuilibrua që të mos rrëzohej. Shkoi në dhomën e Mias për ta parë nëse ishte e mbuluar edhe pse ajo tashmë kishte mbushur pesë vjeç dhe mbulohej vetë kur kishte të ftohtë. Mia i kujtonte veten e saj. Ishin katër fëmijë, e si vajzë e vetme flinte në dhomë veçmas dhe të ftohtit ia nxirrte gjumin. Dhoma e Mias ishte një mini kënd me lodra dhe pellushë. U drithërua duke parë brishtësinë e hijshme të saj, u mat ta përqafonte por ndaloi dhe ia preku lehtësisht kokën. Mia u rrotullua, i hapi qepallat përgjysmë, e kaploi ngrohtësia e prezencës së saj dhe mbylli sytë sërish sikur donte ta zgjaste atë moment t’magjishëm për të dyja.
Mbas lindjes kishte pasur ato krizat e vogla të ankthit dhe pasigurisë për ta rritur të bijën, Nëna dhe motra e Gurit, që ishin shumë të kujdesshme, i ishin ofruar për ta ndihmuar por ajo nuk donte që t’i shpeshtonte kërkesat e t’u prishte rehatinë. Dreqi e mori, nuk e donte këtë gjendje dhe ia kishte thënë edhe dy shoqeve të saj të afërta, të cilat mundosheshin ta animonin, të bënin shaka dhe t’ia zbehnin persiatjet. Kapej fort pas kujtimeve të bukura për të gjithë njerëzit e saj dhe kjo ishte një vetëshërim që dikur në një pikëkohe pati sukses.
Filloi t’i bashëkndjejë më shumë gratë që i kishte takuar si punonjëse sociale dhe çuditërisht kjo e trishtonte më shumë sepse rastisi që ta njihte Gurin në një konferencë ku ai punonte si IT dhe ajo ishte paneliste. Në ditën e tretë gjatë pushimit të drekës, Guri kastile po dëgjonte nga telefoni i tij këngën e Savage Garden dhe te vargu “E dija që të doja para se të të takoja”, shikimet e tyre u ndezën në shkëndija. Pastaj bisedat rrodhën bukur, e kishte bërë për vete me batutat e tij, përkushtimin ndaj punës.
Vjet në ditëlindjen e tridhjetë e dytë meqë ajo nuk i donte tubimet e ekzagjeruara, Petriti, Ariani dhe Lumi ishin kujdesur që për të festuar, si sebep paraqitën hapjen e kompanisë së tyre për arredim shtëpish me nënkontraktor, kjo i bënte seriozë në tregun e punës. Nuk e kishin pasur të lehtë por gjeni i tyre i papërkulshëm dhe punëtor ishte reinkarnuar nga prindërit të cilët deri në frymën e fundit ishin aktivë. Të tre ishin shumë të vëmendshëm ndaj Dianës, mbesës dhe ruanin një relacion dhe çasje të mirëpeshuar me dhëndrrin. Meqë ishin më të rinj, kishte një përfshirje të gjithmonshme emocionale nga ana e saj, për të cilën gjë ata shpesh bënin batuta dhe qeshnin me shpirt me reagimet e saj instiktive kujdesëse dhe mbrojtëse, por Diana u kishte thënë “kot e keni kështu më keni” – thjesht lumturohej, ishte krenare që ata krahas punës po vazhdonin edhe me studimet.
“Diana, nesër kemi darkë të përbashkët me shokët, vjen nëna për t’u kujdesë për Mian derisa të kthehemi”. – “Me patjetër duhet me qenë dhe unë?” I kishte thënë ajo me nerv. “Po duhet, se janë edhe gratë e të tjerëve aty”- ishte i prerë Guri. Kjo i kishte lënë shije të hidhur por nuk e vazhdoi më tej. Pastaj si e çfarë ndodhi atje ishte mesele tjetër. Nuk përshtatej me to dhe nuk donte të kalonte kohë duke u shtirur, këtë edhe ia tha prerazi Gurit kur po ktheheshin, por ai ngaqë kishte pirë pak dhe kishte bërë gallatë atje, ishte në rregull me të vetat, si duket nuk ishte në gjendje të reflektonte saktë ç’po i thoshte por të nesërmen pasi i kishte dalë dehja, ishte gjithë turinj. Iku dhe kjo.
“Di, kemi vendosur të shkojmë në Greqi për vikend” – i tha në mënyrë triumfale. “Kush ka vendosur?” – iu kthye ajo vrullshëm, “Ne të katërtit biseduam”, por tashmë ai po e ndjente që kishte filluar të tensionohej situata. “Aha mirë, kalofshi bukur!”. “Kalofshim bukur?” -ia behu ai, por toni i tij ishte i alteruar megjithëse Diana nuk e honepste. Meqë nuk po dakordohej ajo, kishte gjetur një justifikim te shokët sikur as ata nuk mund të bashkëngjiteshin.
Ai vikend ishte nga më të vështirët për Dianën. Guri me atë komunikim të pakët që kishte, e bënte me tone më të ngritura dhe ngeli të shumtën e kohës duke shikuar kanale sportive në tëvë e telefon. Me vajzën mundohej të ishte po i njëjti, por nuk i kushtonte kohë veçmas.
Daljet dhe ndejat në vitin e fundit po bëheshin veçmas për secilin me shoqërinë e vet por ato të Gurit ishin më të shpeshta dhe prania në shtëpi po zbehej.
“Duhet të bisedojmë” – i tha ajo”
“Për çfarë” – ia ktheu ai me një timbër pa ngjyrë.
“Për ne. Çfarë po ndodh me ty? Unë nuk të kam detyruar asnjëherë të jeshë pjesë e ndejave me shoqet e mia sepse s’kam dashur të ta imponoj shoqërinë time. Jam përpjekur të përshtatem për hatër tëndin ti e di, por nuk ecën shoqëria me diktat, është zgjedhje personale. Të kam penguar ndonjëherë në raportet e tua me shokët?” – Diana po e përballte me kronologjinë e fakteve kur ai sakaq ia ktheu: “Ti më ke ulur para shoqërisë time. Ka pasur edhe ndeja tjera në të cilat unë s’kam marrë pjesë për shkak të mospranisë tënde.
“Edhe? Ku përket ti në radhë të parë? S’di të bësh dallimin?” – u ankua Diana. Kjo e acaroi Gurin, u ngrit nga karrigia ku ishte duke punuar në laptop. “Jo mos u xhindos” – vazhdoi Diana, “vetëm më thuaj që të ka mbaruar dashuria dhe mos më pingpongo arsye fiktive”. Ai e bëri një pfff duke turfulluar i zemëruar dhe ia mbathi të largohej. Në mes të këatij tensioni hyri Mia në dhomë dhe pushoi gjithçka deri pas dy ditësh nga kjo bisedë kur ai po dilte herët në mëngjes për të shkuar në punë e po kthehej shumë vonë, për ta shmangur Dianën.
Rishtas ishte zhytur në gjumin e saj engjëllor Mia atë natë. Dimërimi i sivjetëm bëhej goxha i zymtë për Dianën. Ndjeu derën e hyrjes të hapej dhe menjëherë u nis drejt dhomës së ndejës. U gjendën përballë, ai duke dashur të përvidhej për ta anashkaluar. “Prit” – i thirri ajo. Ai e shikoi me ironi duke kryqëzuar krahët por sakaq iu hapën bebëzat e syve, e njohu atë vendosmëri në gjuhën e Dianës. Ajo foli me qetësi: “Nuk do ta mashtroj veten për ta mashtruar ndarjen”