• Image
    veb

Heroinë nr. 1

Vesna është nënë e tre fëmijëve, viktimë e trafikimit të njerëzve dhe dhunës seksuale. E mashtruar nga një mike e afërt, përfundoi në robëri jashtë vendit, ku ishte e ekspozuar ndaj dhunës dhe kontrollit. Në një moment guximi dhe me mbështetjen e një miku, policisë dhe një organizate joqeveritare, ajo arriti të arratisej dhe të kthehej në shtëpi.

Edhe krahas traumës së thellë, sot ajo po krijon një jetë të re. Një familje të re, punon dhe me përkushtim u ndihmon grave të tjera. Vesna është simbol i rezistencës, solidaritetit dhe forcës së gruas.

KUR BESIMI KTHEHET NË KURTH

Kam pasur 36 vjet dhe isha para divorcit. Ndihesha e humbur dhe e frikësuar. Isha ekonomikisht e varur. Doja të shkoja të punoja jashtë vendit, të shpëtoja nga gjithçka dhe të filloja nga e para”, rrëfen Vesna.
Ajo nuk është naive, ajo hapur thotë se në atë periudhë përballej me krizë – emocionale, ekonomike, familjare. Në momente të tilla, besimi bëhet rrezik. “Një mike më ofroi punë jashtë vendit. Besova se do të më ndihmonte.”

Psikologjikisht, ky është një shembull klasik i rekrutimit manipulues, kur autori shfrytëzon besimin dhe momentin e paqëndrueshmërisë emocionale për ta futur viktimën në gjendje të kontrollit të plotë. Vesna u transportua përmes disa shteteve, pa dokumente, pa mundësi për rezistencë.

KUR TRUPI FLET

Në apartamentin ku ishte vendosur, Vesna jetonte nën mbikëqyrje të vazhdueshme dhe nën kontroll të plotë. “Më ishte ndaluar të kem komunikim dhe nuk kisha telefon – ishte fikur.” Në një moment arriti të merrte telefonin dhe të dërgonte një mesazh: “Nuk jam mirë.” Kjo mjaftoi që të aktivizohej kërkimi që u zhvillua përmes Interpolit.

Policia e ka lokalizuar dhe e ka vizituar dy herë. “Më pyetën nëse gjithçka ishte në rregull, dhe unë nën detyrim duhej të thosha se ishte.” Por, në përpjekjen e dytë, Vesna bëri lëvizjen e vetme të mundshme. “Polici u përshëndet me të gjithë. Policja më zgjati dorën, ndërsa unë ia shtrëngova dorën dhe nuk e lëshova. Atëherë ajo më tërhoqi dhe më morën. Kështu dola prej aty.”

Shtrëngimi i dorës ishte momenti kyç. Në situata robërie, viktimat shpesh nuk mund të kërkojnë ndihmë me zë, por trupi reagon. Vesna nuk ka thënë asgjë, por nuk e lëshoi dorën e polices — një sinjal i mjaftueshëm që ajo të kuptonte se diçka nuk ishte në rregull. Ky ishte hapi i parë konkret drejt shpëtimit të saj.

ËSHTË E RËNDËSISHME TË MOS JESH VETËM

Pas shpëtimit, Vesna u vendos në një qendër strehimi. Por, frika nuk u zhduk menjëherë. “Kur vizitonim policinë për t’ju përgjigjur pyetjeve, e pashë njeriun aty pranë. Mendova se do të më zinte infarkt. Hymë në një dyqan, më dhanë ujë, sheqer… nuk e di si arrita të qetësohem.”

Kjo gjendje e stresit post-traumatik është e zakonshme te viktimat e trafikimit të njerëzve. Trupi reagon ndaj çdo kujtese – erë, fytyrë, hapësirë – si ndaj një kërcënimi të ri. Vesna thotë se për një kohë të gjatë nuk mund të flinte. “Për një periudhë të gjatë ishte: shtrihu – tronditu. Nuk kisha gjumë të qetë.”

Pas kthimit në vend, ajo hyri në kontakt me një grua nga një organizatë joqeveritare. “Që atëherë gjërat morën drejtim tjetër.” Filloi mbështetja e rregullt psikologjike dhe psikiatrike. “M’u desh kohë, por pas disa vizitave dhe bisedave të gjata fillova të ndihesha si njeri.”

Në atë proces, rol kyç pati edhe miku me të cilin më parë kishte qenë në kontakt — njeriu me të cilin sot jeton. “Ai më ndihmoi shumë. Më dha hapësirë të qetësohem, të ndihem e sigurt. Nuk më ushtronte presion, thjesht ishte aty.”

Mbështetja e qëndrueshme, jo e imponuar, luan rol kyç në procesin e shërimit. Kur viktima nuk lihet vetëm me traumën, krijohet hapësirë për besim, për qetësim, për rivendosjen e ndjenjës së kontrollit. Në rastin e Vesnës, pikërisht kjo lloj mbështetjeje — nga partneri, nga psikologët, nga organizata — i mundësoi të fillonte përballjen me dhimbjen dhe gradualisht të kthehej te vetja.

JETA  PAS DHUNËS

Sot, Vesna jeton me partnerin që e ndihmoi të shpëtonte nga dhuna. Së bashku kanë një fëmijë, ndërsa me të janë edhe dy fëmijët nga martesa e mëparshme. “Tani jemi të martuar, jetojmë bashkë, kemi një fëmijë. Ai ishte shpresa e vetme në atë periudhë.”

Familja i ka dhënë ndjenjë sigurie, vend ku mund të ndihet e sigurt, e dëgjuar dhe e pranuar. “Mblidhja forcë para fëmijëve të mos tregoj sa e vështirë ishte për mua. Ata ishin ngushëllimi im.”

Vesna është e punësuar, vazhdon me mbështetje psikologjike dhe ndërton një përditshmëri ku ka zgjedhje. “Pasi mora guximin të dal prej andej vetë, mund të vazhdoj më tej.”

Vesna sot nuk flet vetëm për mbijetesë — ajo flet për zgjedhje. Për guximin për të kërkuar ndihmë, për heshtjen që merr zë, për gjuhën e trupit. Historia e saj nuk kërkon mëshirë, por vëmendje.  Ajo është kujtesë se çdo grua meriton hapësirë për siguri, mbështetje dhe liri. Dhe se më e rëndësishmja — asnjë grua nuk duhet të luftojë e vetme.

  • Image
    web

Heroinë nr. 2

Lile është nënë e tre fëmijëve, sot farmaciste e diplomuar, e cila arriti të shpëtojë nga rrethi i dhunës në familje dhe të ndërtojë një jetë të re nga e para. Sot, Lile jeton e lirë me fëmijët e saj, punon si farmaciste dhe në mënyrë aktive ndihmon gratë e tjera të flasin, të luftojnë dhe t’i japin fund dhunës.

RRETHI NUK DUHET TË JETË JUSTIFIKIM PËR HESHTJE

Lile për vite të tëra jetoi në frikë të vazhdueshme, jo vetëm për veten, por edhe për tre fëmijët e saj. Çdo përpjekje për t’u larguar nga mjedisi i dhunshëm shoqërohej me pasiguri: si do t’ia dilte pa punë, pa shtëpi, pa patentë shoferi, pa siguri? “Kisha frikë si do të arrija, nuk kisha asgjë, as licencën nuk e kisha marrë,” rrëfen ajo. Por, edhe më e madhe ishte barra e kujdesit se si do të reagonin fëmijët, prindërit, njerëzit rreth saj. “Mendoja shumë për të gjithë, përveç për veten. Imagjinoni, në atë periudhë fëmijët e mi nuk guxonin të thoshin çfarë mendonin apo çfarë dëshironin,” pranon ajo.

Ky lloj mendimi i tepruar dhe analizimi shpesh shfaqet te viktimat e dhunës në familje, sidomos te nënat që përpiqen t’i mbrojnë fëmijët nga trauma shtesë. Frika e Liles nuk ishte vetëm personale. Pasiguria nëse rrethi do ta kuptonte dhe nëse historia e saj do të merrej seriozisht shpesh ushqente mosbesimin se diçka mund të ndryshonte. “Kisha bërë denoncim disa herë, por pikërisht policët që ishin miqësorë me ish-burrin tim më këshillonin të tërhiqesha dhe të qetësohesha, në vend që të vlerësonin sa e rrezikshme ishte situata për mua,” thotë ajo, duke përshkruar ndjenjën e pafuqisë në një mjedis ku të gjithë njihen dhe lidhjet personale kanë përparësi ndaj etikës profesionale.

Në komunitete të tilla, ku heshtja shpesh preferohet para së vërtetës, gratë përballen jo vetëm me dhunë, por edhe me mosbesim, thashetheme dhe frikë se nuk do të mbrohen.

BESON NË VETE KUR DIKUSH BESON NË TY

Në momentet më të vështira, Lile kishte mbështetjen e një personi që sot e quan “më shumë se motër”. Mjekja dhe mikja e saj ishte e para që i besoi, që e dëgjoi pa gjykim dhe që i ka dhënë forcë kur ajo vetë nuk mund ta gjente. “Çdo ditë, çdo minutë kur kisha nevojë, ajo ishte aty. Donte të kuptoja se nuk isha vetëm,” rrëfen Lile.

Pikërisht përmes saj, Lile mësoi për ekzistencën e linjës SOS të Këshillit Kombëtar për Barazi Gjinore dhe për mundësinë e marrjes së ndihmës profesionale. Këshillimi anonim ishte fillimi i daljes së saj nga rrethi i dhunës. “Edhe sot ajo është mbështetja ime më e madhe. Ende më jep forcë dhe më ndihmon të mbetem e guximshme,” thotë Lile.

KUR LIRIA E MUND FRIKËN

Në qendrën SOS ajo komunikonte çdo ditë me psikologun dhe ekipin, sepse kjo ishte e vetmja mënyrë e mundshme për të. Më pas vijoi mbështetja nga Qendra për Punë Sociale. Por, ndryshimin më të madh e përjetoi në qendrën e strehimit. Psikoterapia në qendrën e strehimit e ndihmoi të çlirohej nga frika, nga gjithçka që kishte mbajtur brenda me vite. “Në fillim mendoja se isha mirë, se mund ta përballoja atë që po më ndodhte,” rrëfen Lile, “por kur ndjeva lirinë dhe qetësinë, momentin kur ndjeva se isha e sigurt, kuptova se nuk isha mirë. Pas një periudhe të gjatë frike dhe tensioni, trupi im më në fund u çlodh. Atëherë filluan të shfaqeshin simptomat që deri atëherë ishin shtypur: dridhje, pagjumësi, makthe, shqetësim i brendshëm.”

Stresi kronik, ngrirja psikologjike, trupi dhe mendja e bllokuar, të gjitha këto janë pjesë e mekanizmit të mbijetesës. Te viktimat që jetojnë gjatë në traumë, këto reagime nuk janë të papritura, thonë ekspertët. Kjo është mënyra se si psiqika mbrohet derisa zgjat dhimbja.

Për këtë arsye edhe sot Lile me emocione pozitive kthehet në këtë vend dhe e quan “të preferuarin”. Sepse ndjehet e sigurt, e pranuar dhe e inkurajuar. “Kur nuk ndjehem mirë, kam nevojë të shkoj aty,” thotë Lile.

DY VITE MË VONË JETON JETËN QË E MERITON

“Kur vendosa se duhej të filloja nga e para, u largova vetëm me rrobat që kisha veshur dhe fëmijët, e sot pas dy vitesh kemi gjithçka,” thotë me shkëlqim në sy Lile. Punon si farmaciste, në profesionin që e do. Ka arritur të marrë licencën, të japë provimin për patentë shoferi dhe të blejë makinën e saj. Fëmijët janë të sigurt, shkojnë në shkollë dhe kopsht, rriten në një mjedis të qetë dhe stabil. Ajo vazhdon të kujdeset për shëndetin e saj mendor dhe rregullisht viziton psikologun. Dhe nuk ndalet këtu, ka certifikata për grim dhe kujdes, dhe tashmë është e regjistruar në specializim për diagnostikë mjekësore në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup. Është mirënjohëse edhe për mbështetjen e prindërve, të cilët e ndihmuan të krijojë një shtëpi të ngrohtë për veten dhe fëmijët. “Jeta ime tani duket më e mirë se kurrë,” thotë Lile — dhe kjo nuk është vetëm deklaratë, por jetë që e jeton çdo ditë.

KUR NËNA ËSHTË MIRË, EDHE FËMIJËT DO TË JENË MIRË

Ajo flet nga përvoja dhe nga zemra. Çdo gruaje që gjendet në situatë të ngjashme i thotë: “Mendo së pari për veten. Kur nëna është mirë, edhe fëmijët do të jenë mirë.” Mesazhi i saj është i thjeshtë, por thelbësor — guximi nuk do të thotë të mos kesh frikë, por pavarësisht saj të bësh hapin e parë. Njëkohësisht, ajo dërgon apel tek institucionet: të reagojnë shpejt, me përgjegjësi dhe me ndjeshmëri ndaj viktimave të dhunës në familje. Proceset gjyqësore, masat e mbrojtjes, divorcet dhe kërkesat për banesa sociale nuk duhet të zgjasin me muaj e vite, sepse çdo ditë në pasiguri është ditë në të cilën gruaja lufton për sigurinë e saj. “Edhe unë jam një nga ato që ka dorëzuar aplikim për banesë sociale dhe pres përgjigje,” thotë Lile, “dhe shpresoj për një përgjigje pozitive.”

Kjo histori kujton se sa të guximshme dinë të jenë gratë edhe kur janë më të cenueshme. Ajo është frymëzim për të gjitha ato që luftojnë të ndryshojnë historinë e tyre. Në të ka shpresë, forcë dhe dëshmi se hapi i parë, edhe pse i vështirë, është i mundur. Ndërsa, për ato që ende heshtin, kjo është një thirrje e qetë –jeta pa frikë ekziston.

  • Image
    web

Heroinë nr. 3

Lejla është nënë e dy fëmijëve dhe viktimë e dhunës në familje. Pas 17 vitesh të mbushura me frikë, kërcënime dhe dhimbje, ajo arrit të largohet nga dhunuesi dhe të fillojë një jetë të re. Edhe krahas traumës shumëvjeçare, sëmundjes dhe pengesave institucionale, ajo arriti të fitojë divorcin, kujdestarinë dhe sigurinë për veten dhe fëmijët e saj.

Me mbështetjen e psikologut, miqve dhe institucioneve, sot jeton me qira, është e punësuar dhe përsëri ndihet si grua.

HESHTJA NUK ËSHTË FLORI

Lejla u martua e re. Ishte shtatzënë dhe kishte shpresë se do të krijonte një familje të qëndrueshme. Por, menjëherë pas martesës, bashkëshorti shkoi në burg për trafik droge. Ajo mbeti vetëm me një foshnjë, pa të ardhura të veta, me prindër që kishin vështirësi shëndetësore. “Shumë gjëra i heshtja dhe gënjeja, vetëm që të mos u bëhesha barrë. Nuk doja t’i shqetësoja më shumë,” rrëfen ajo.

Pas tre viteve të vështira, bashkëshorti u kthye nga burgu. Ajo mendoi se më e keqja kishte kaluar. “Shpresoja se do të qetësohej, se do të fillonim nga e para. Por e gënjeja veten, pikërisht atëherë filloi kalvari.” Dhuna ishte e vazhdueshme — fizike, psikologjike, ekonomike. “Më godiste, më ofendonte, më akuzonte se vajza nuk ishte e tij. Më detyroi të bëja testin e ADN-së për t’ia vërtetuar.”

Prindërit e morën vesh, por nuk mund ta mbronin. Ai i kërcënonte edhe ata. “Kisha frikë për të gjithë. Fëmijët rriteshin në frikë. Djali im u sëmur nga diabeti. Paratë që fitoja nuk mjaftonin — ai m’i merrte për drogë. Nëse nuk i jepja, fillonte tmerri.” Në përpjekje për t’i mbrojtur fëmijët, ajo pranoi të shpërngulet jashtë vendit.

KUR TRUPI THOTË JO

Pas viteve të tëra heshtjeje dhe ekspozimi të pandërprerë ndaj dhunës, viteve të traumës dhe frikës, emocionet e shtypura lanë gjurmë. Psoriaza ishte shenja e parë. Më pas — diagnoza me kancer. “Shihja si trupi im po shpërbëhej. Gjithçka ishte aq keq, sa kërkova ndihmë në Klinikën e Sëmundjeve të Lëkurës në Shkup. Aty më diagnostikuan me kancer.”

Kur e pa vdekjen me sy, kuptoi se nuk kishte më kohë për të pritur. Diagnoza me kancer ishte një tjetër goditje, por edhe një sinjal. Kimioterapia ishte e vështirë, flokët i binin, trupi ndryshonte, por pikërisht ai transformim fizik e nxiti edhe ndryshimin psikologjik. “Shihja se si po ndryshoja, dhe i thashë vetes — është koha të ndryshoj edhe nga brenda. Të mos duroj më.” Ky ishte momenti kur filloi të besonte se mund të arrinte. Jo vetëm të mbijetonte, por edhe të çlirohej nga ai dhe nga ajo mënyrë jetese. “Nëse mund ta mposht sëmundjen, duhet ta zgjidh edhe këtë problem,” thotë ajo.

FORCA PËR NDRYSHIM

Në fillim, institucionet nuk dinin si ta ndihmonin. Siç thotë vetë: “Sillesha si person i paqëndrueshëm — 16 herë bëja kallëzim, pastaj e tërhiqja. Kisha frikë, shpresoja, dyshoja. Dhe ata më shihnin sikur nuk e dija çfarë doja.” Por ndryshimi i vërtetë fillon kur ajo vetë vendos të luftojë. “Nëse duam ndihmë të vërtetë, duhet së pari të guxojmë ne. Varet nga ne.”

Forca më e madhe ishte mbështetja psikologjike. “Këshillimi, udhëzimet që merrja nga psikologu më ndihmuan të kuptoj se unë nuk jam fajtore për dhunën. I vetmi fajtor është bashkëshorti im — dhunuesi.” Psikologu ishte në dispozicion në çdo moment. “Kur isha jashtë vendit, flisnim online. Më ndihmoi të kuptoj se nuk jam fajtore. Se nuk jam vetëm.”

Më vonë, mbështetje mori edhe nga institucionet. “MPB-ja, Prokuroria Publike dhe Qendra për Punë Sociale filluan të shihnin më me seriozitet historinë time.” Kjo ishte dëshmi se sistemi reagon, por është e rëndësishme që gruaja të flasë me kohë dhe të mos hezitojë.

GRUA QË I PËRKET SËRISH VETES

Pas 17 viteve në të cilat fytyra e vet i ishte e panjohur, sot e sheh sërish veten. “Tani pas kaq kohe mendoj për pamjen time. Dua të kujdesem për veten. Fëmijët janë të habitur. Më shohin të kuruar, pa lot, pa sy të skuqur dhe rrathë të errët. Jam krenare për veten.” Suksesi për të nuk do të thotë status, por qetësi. “Të flesh qetë dhe në paqe. Të qeshësh me fëmijët e tu. Të mund të ftosh një mike pa u frikësuar se si do të reagojë ai.”

Punon, jeton me qira, i organizon vetë obligimet. “Ndjehem shumë më mirë. I kryej obligimet kur dua unë, jo kur dikush më urdhëron me sharje dhe goditje.” Puna i sjell siguri financiare, por edhe hapësirë për veten. “Dal nga shtëpia, shoqërohem me njerëz të tjerë. Nuk mendoj vetëm për problemet.”

Qëllimet i ka të qarta: të jetë e qëndrueshme, t’i mësojë fëmijëve vlerat, të jetë shembull. “Dua të jem shembull për vajzën time — që dhuna nuk duhet të durohet. Dhe djali të dijë se nuk ka të drejtë të ngrejë dorë mbi një vajzë.”

Historia e Lejlës është zëri i shumë grave që presin dhe heshtin, duke shpresuar se dhuna është vetëm një fazë. Por, asnjë grua nuk duhet të besojë në fuqinë e heshtjes. Heshtja është kurth. Gruaja duhet të mësojë se goditja e parë është veçse e tepërt. Dhe se atëherë duhet të fillojë fundi i lidhjes ose martesës. Lufta e saj është personale, por edhe kolektive. “Unë luftoj dhe do të luftoj — për veten, për fëmijët, për të gjitha gratë. Sepse së bashku jemi më të forta. Sepse është më e lehtë kur e di se nuk je vetëm.”

Kjo histori është rikujtim se çdo grua ka të drejtën e zërit, për zgjedhje, për jetë pa frikë. Dhe thirrje: të mos pritet. Të thuhet stop me kohë. Të fillohet një kapitull i ri me paqe, dinjitet dhe forcë.

  • Image
    web

Heroinë nr. 4

Danica, nënë e vetme e tre fëmijëve, viktimë e dhunës në familje, arrin të largohet nga një lidhje e dhunshme falë mbështetjes së një organizate qytetare. Pavarësisht kërcënimeve, ndjekjes dhe pasigurisë ekonomike, ajo arriti të fitojë kujdestarinë, mbrojtjen ligjore dhe një fillim të ri. Sot, përmes punimit të bizhuterive, ajo ndërton rrugën drejt pavarësisë financiare dhe shërimit psikologjik, duke përfshirë edhe fëmijët e saj në këtë proces. Historia e saj është dëshmi e guximit, forcës së nënës dhe rëndësisë së mbështetjes së duhur në kohë.

SHPRESA SI KURTH

Danica e ka humbur babain e saj kur ishte trembëdhjetë vjeç. Jeta e mësoi se si është të rritesh pa mbështetje prindërore dhe pikërisht për këtë, kur u bë nënë, dëshironte që fëmijët e saj të kishin një baba pranë tyre. Kjo ishte arsyeja e parë pse përpiqej ta ruante martesën.

“Problemet filluan që me shtatzëninë e parë. Ishte agresiv, i dhunshëm. Tre ditë gjithçka do të ishte mirë, dhjetë ditët e tjera gjithçka si më parë,” rrëfen ajo. Dhuna nuk ishte vetëm fizike. Ishte emocionale, psikologjike, ekonomike. Viktimat e dhunës në familje shpesh mbeten në lidhje sepse shpresojnë se diçka do të ndryshojë.

Psikologët shpjegojnë se shpresa për ndryshim është pjesë e ciklit të dhunës – pas çdo sulmi pason një periudhë “qetësie”, kërkim faljeje ose injorimi, që ushqen iluzionin se ndoshta do të bëhet më mirë. “Mendoja se po bëja gjënë e duhur për fëmijët, por gjatë gjithë kohës vuaja. Gjërat nuk shkonin aspak më mirë. Filloi të më maltretonte pa zgjedhur nëse fëmijët ishin me mua, nëse flinin apo jo,” - pranon Danica.

VARFËRIA SI BASHKËPUNËTOR I HESHTUR

Në Maqedoninë e Veriut, shumë gra përballen me varfëri strukturore, veçanërisht kur bëhen nëna të vetme. “Me tre fëmijë të mitur dhe pa mbështetje financiare, nuk dija ku të shkoja.” Varësia ekonomike është një nga pengesat më të mëdha për të dalë nga një marrëdhënie e dhunshme. Kur nuk ke të ardhura, hapësirë tënden, as siguri se do të mund t’i ushqesh fëmijët – zgjedhja për t’i dhënë fund historisë duket e pamundur.

NGA FRIKA TE KUJDESTARIA – MBËSHTETJA NDRYSHON GJITHÇKA

Në një moment të pasigurisë totale, kur Danica nuk dinte ku të drejtohej, tezja e saj i sugjeroi të kërkonte ndihmë nga një organizatë qytetare që ofron mbështetje ligjore dhe psikologjike falas për gratë. “E dija që më duhej ndihmë financiare dhe ligjore, nuk kisha asgjë,” thotë ajo.

Frika ishte e vazhdueshme. Ai e ndiqte, e shantazhonte, e kërcënonte se do ta vriste. “Nuk guxoja ta denoncoja. Duroja gjithçka,” pranon ajo. Por përmes organizatës qytetare, Danica gjeti hapësirë për të folur, për t’u mbrojtur, për të filluar të besonte se dalja ishte e mundur. “Me shumë forcë dhe shpresë, fillova të besoj se do të arrija t’i shpëtoja fëmijët, por edhe veten.”

Divorci dhe marrja e kujdestarisë ishin pikë kthese — ligjore dhe personale. Për shumë gra, ky është një hap që duket i paarritshëm. Për Danicën, kjo ka qenë dëshmi se lufta e saj nuk ishte e kotë, por edhe konfirmim se institucionet mund të qëndrojnë pas një gruaje që ka guxuar të flasë, që ka kërkuar ndihmë dhe ka treguar se meriton mbështetje.

BIZHUTERIA SI TERAPI DHE SIGURI

Mbështetja nga organizata qytetare nuk përfundoi vetëm me ndihmën psikologjike dhe ligjore. Për Danicën, ky ishte vetëm fillimi. Organizata i ofroi edhe mundësi për fuqizim ekonomik. “Me ta filluam punimin e bizhuterive – kjo për mua është një mbështetje e madhe ekonomike, por edhe lehtësim psikologjik.” Danica jo vetëm që mëson të dizajnojë bizhuteri, por i mëson edhe fëmijët e saj zanatin, vetëbesimin, vlerat.

“Është ndjenjë e mirë kur krijon diçka vetë, kur punon dhe nga ajo del një vepër me të cilën krenohesh,” rrëfen Danica.

Historia e Danicës nuk është përjashtim — ajo është pasqyrë e shumë grave në Maqedoninë e Veriut. Por është edhe dëshmi se mbështetja, mbrojtja ligjore dhe autonomia ekonomike mund ta ndryshojnë jetën. Ajo tregon se sa e rëndësishme është që gratë të marrin ndihmë me kohë, të dëgjohen, të mbrohen dhe të inkurajohen. Kjo histori është thirrje drejtuar institucioneve dhe komunitetit për të mbrojtur dhe për të mbështetur gratë, por edhe thirrje për çdo grua: të mos heshtë, të kërkojë ndihmë dhe të besojë se është e mundur. Edhe kur duket e pamundur.

  • Image
    veb

Heroinë nr. 5

Në Maqedoninë e Veriut, akoma ekzistojnë gra të cilat për shkak të frikës, gjykimit apo pengesave institucionale, nuk arrijnë të kërkojnë ndihmë me kohë dhe kalojnë vite duke jetuar në heshtje si viktima të dhunës në familje. Kjo është historia e Snezhanës, një grua 40‑vjeçare nga Shtipi, mjeke e përgjithshme dhe nënë e dy fëmijëve, e cila për shumë vite jetoi në një lidhje të dhunshme, e ekspozuar ndaj dhunës fizike dhe psikologjike. Edhe pse aktive profesionalisht, jeta e saj private ishte e përndjekur nga kontrolli dhe kërcënimet. Lufta e saj vazhdon. Por dhuna është në të kaluarën.

XHELOZIA NUK ËSHTË DASHURI

Në shumë raste të dhunës në familje, kontrolli fillon me xhelozi. Gratë që janë aktive profesionalisht shpesh përballen me partnerë që e shohin suksesin e tyre si kërcënim. Në vend të mbështetjes, marrin kufizime. Në vend të partneritetit — mbikëqyrje. Dhuna nuk duhet domosdoshmërisht të përfundojë me nxirrje, por gjithmonë lë pasoja. “Ai ishte tmerrësisht xheloz. Për shkak të tij nuk shkova në specializim. Më vendosi kusht: ose familja ose karriera,” thotë Snezhana. Ky ishte presioni fillestar, të zgjedh mes zhvillimit personal dhe “qetësisë në shtëpi.”

SHTYRJA NUK DO TË THOTË PRANIM

Ashtu si shumë gra të tjera, edhe Snezhana qëndron në atë martesë jo sepse nuk e kuptonte çfarë po ndodhte, por sepse kur je nënë, vendimi për të ikur nuk është vetëm personal — është logjistik, financiar, emocional. “Nëna ime ka vdekur, ndërsa babai im ka qenë më i ftohtë si prind që nga fëmijëria e hershme,” rrëfen ajo.

Ky boshllëk, emocional dhe praktik, e shtyu vendimin për divorc. “Ndoshta edhe për shkak të vdekjes së nënës e shtyva divorcin për shumë vite, sepse e dija që nuk do të kisha ndihmë për kujdesin ndaj fëmijëve pasi punoja me tre ndërrime,” thotë hapur Snezhana.

Nga ana tjetër, mungesa e kujdesit nga ana e babait të saj gjatë fëmijërisë lë gjurmë që lehtësisht u reflektohen në marrëdhënien bashkëshortore. Kur nuk je mësuar çfarë do të thotë siguri emocionale, është e lehtë të pranosh mungesën e afërsisë si diçka normale.

MBËSHTETJA NUK DUHET TË JETË E MADHE, POR DUHET TË JETË E VËRTETË

“Fillova të bëhesha depresive dhe me orë të tëra shikoja në një pikë. U dobësova — humba 20 kilogramë për një periudhë shumë të shkurtër,” thotë ajo. Dhuna psikologjike tashmë kishte dëmtuar shëndetin dhe identitetin e saj. Shkuarja te psikologu ishte pikë kthese për Snezhanën, momenti kur për herë të parë foli për problemet e saj dhe ndjeu lehtësim.

Kur më në fund vendosi të largohej nga dhuna, mbështetja erdhi nga mikeshat dhe koleget e saj. “Që në ditët e para më dërguan enë për në shtëpi dhe çarçafë. Mjaftoi për të filluar nga e para,” thotë ajo. Nga familja nuk ka marrë mbështetje të madhe, por kishte apartamentin e vet — dhe kjo ishte kyçe. Kishte ku të shkonte dhe ku të fillonte nga e para.

STIGMA NUK MBARON ME DIVORCIN

Në mjediset e vogla, divorci ende shihet si dështim personal dhe jo si guxim. Gratë që largohen nga dhuna përballen me një formë të re izolimi — nga mikeshat, fqinjët, madje edhe nga institucionet.

“Më pengonte fakti që njerëzit menjëherë të shikonin ndryshe,” thotë Snezhana. “Më duhej një hidraulik, por ai nuk donte të vinte në shtëpinë time që ish-burri të mos mendonte diçka të gabuar ose banorët e ndërtesës të mos mendonin gjëra.”

Shumë i sugjeruan të ruante martesën për hir të fëmijëve, gjë që e bëri të ndihej edhe më keq.

Në qytetet e vogla, thotë ajo, divorci është veçanërisht i vështirë për t’u tejkaluar. “Ende ndihem e papranuar. Në palestër ku fillova të shkoj dhe në kafene gjithmonë ka komente të këqija dhe vërejtje që më bëjnë të ndihem keq.”

Stigma u përhap edhe në marrëdhëniet private — një mike me të cilën ka pasur marrëdhënie të ngushtë ndërpreu komunikimin pasi burri i saj i tha të mos shoqërohej me gra të divorcuara. As shkolla nuk siguroi komunikim të barabartë pasi babai ka kërkuar që t’a kontaktonin vetëm atë.

DHIMBJA MË E MADHE ËSHTË LARGËSIA NGA FËMIJËT
Snezhana arriti ta kalonte depresionin me ndihmë profesionale, por lufta e saj vazhdon. Dhuna ka mbetur në të kaluarën, por ajo që ende i shkakton dhimbjen më të madhe është largësia nga fëmijët. Në rastin e tyre, kujdestaria i takon babait, dhe megjithëse marrëveshja parashikon komunikim të lirë me fëmijët, kjo nuk ndodh.

“Më dhemb më shumë fakti që fëmijët e mi më shmangin dhe nuk duan të komunikojnë me mua. Jam një prind i larguar,” thotë Snezhana. “Po të ishin më të vegjël, do t’i sillnin në Qendrën e Punëve Sociale për të realizuar takime. Por tani, kur janë më të rritur, nuk ekziston mekanizëm përmes të cilit mund ta vendos atë lidhje.”

Historia e Snezhanës është një rikujtim se këto beteja nuk mbarojnë me divorc. Përvoja e saj tregon se mbijetesa nuk do të thotë shërim i plotë. Prandaj është e rëndësishme që sistemi të reagojë me kohë dhe me përgjegjësi, të ofrojë mekanizma për komunikim, mbrojtje dhe mbështetje psikologjike. “Njerëzit duhet të kuptojnë se dhuna — psikologjike dhe fizike — nuk është film për t’u parë. Duhet të veprohet kundër saj, sepse mund t’i ndodhë kujtdo,” apelon Snezhana.

  • Image
    web

Heroinë nr. 6

Sllavica është nënë e dy fëmijëve dhe grua që për dekada ka duruar dhunë në familje — fizike, psikologjike dhe ekonomike. Tridhjetë e pesë vite ka jetuar në një martesë ku sundonin kontrolli, poshtërimi dhe frika. Ajo ka punuar, por nuk ka pasur qasje në paratë e veta. Përditshmëria e saj ka qenë një betejë — për dinjitet, për paqe, për mbijetesë.
Pavarësisht traumës së thellë, sot Sllavica jeton e lirë. Punon, kujdeset për veten, lexon, shëtit dhe u ndihmon grave të tjera të bëjnë hapin e parë drejt lirisë.

KUR FRIKA ËSHTË PËRDITSHMËRI

 “Kur dëgjonim makinën që po vinte, unë dhe fëmijët shtriheshim dhe bënim sikur flinim. Vetëm që të mos e provokonim zemërimin e tij.” Ky ves nuk ishte zgjedhje — u krijua si instinkt për mbijetesë. Kur jeta është e mbështjellë me frikë, trupi dhe mendja nuk kërkojnë liri, por mënyrë për ta përballuar atë frikë. Për vite me radhë, Sllavica ka jetuar në gjendje traume kronike, ku çdo ditë ishte betejë me kërcënime të padukshme, e çdo çast — rrezik i mundshëm. Jeta e saj ishte shndëruar në heshtje. Të mos provokojë. Të mos dallohet. Të mos jetë arsye për mllef. Çdo ditë ishte strategji — e padukshmërisë, e vetëpërmbajtjes, e mbijetesës.

Por, dhuna nuk ishte vetëm fizike. Bashkëshorti i saj i atëhershëm kontrollonte çdo qindarkë. “Kurrë nuk kisha para me vete. Kartelën gjithmonë e mbante ai. Nëse duhej të shkoja te mjeku, më jepte 200 denarë ‘për çdo rast’.” Sllavica punonte, por nuk kishte qasje në pagën e saj. Për ushqim, për barna, për të shkuar te mjeku — duhej të kërkonte para. Kontrolli financiar ishte i vazhdueshëm dhe thellësisht poshtërues. “Shpesh regjistrohesha në dyqan që të mund të gatuaja drekë, e kur ai paguante borxhin me pagën time, ma sillte në shtëpi — vetëm për të më treguar sa ‘shumë shpenzoj’.”

NJOHJA

Një ditë, deri sa ishte në punë, në lokal është mbajtur punëtori për dhunën në familje nga një organizatë joqeveritare. Sllavica mori pjesë dhe dëgjoi histori të ndryshme. “Sikur e gjeta veten në tregimet e tyre,” thotë Sllavica.

Pas përfundimit të punëtorisë, ka filluar bisedë me një grua. Fjalët e gruas për të ishin mesazh se diçka duhej të ndryshonte:
“Jeta është betejë. Ne vetë duhet të luftojmë dhe askush tjetër në vendin tonë. Asgjë nuk të jepet e servuar në pjatë.”

Punëtoria i’a hapi sytë. Për herë të parë, Sllavica e sheh veten në tregimet e të tjerëve — në heshtje, në frikë, në betejën e përditshme që e kishte bërë pa fjalë. Dhe ky ishte momenti kur vendosi të largohej. Mori vetëm një çantë me rroba dhe vajzën e saj. Në fillim strehoet te motra.

Vendimi për divorc ende nuk ishte final. Sllavica ishte në dyshim nëse divorci ishte zgjidhje. Besonte se ndoshta ai do të ndryshonte, do të pranonte gabimet. “Për shkak të fëmijëve dhe biznesit familjar që kishim, herë pas here komunikonim. Ndonjëherë dukej i sinqertë, por shpejt kthehej në të vjetrën. Kuptova se sa më shumë të përpiqesha, aq më shumë fundosesha në rërë të gjallë.”

Fëmijët, në përpjekje për të ruajtur diçka të tyre, u kthyen të jetonin në shtëpinë e vjetër. Por, një natë, i dehur, babai i dëboi edhe ata. Në mes të natës. “Kjo ishte pika e fundit. Atëherë vdiq edhe shpresa ime e fundit se ai do të ndryshonte.”

Ky ishte momenti kur Sllavica ndaloi së kërkuari justifikime, ndaloi së shpresuari dhe më në fund e pranoi dhunën si diçka që nuk do të zhdukej. “Këtë herë nuk hezitova. Parashtrova kërkesë për divorc.”

EDHE TI MUNDESH

Pas kërkesës për divorc, Sllavica mori mbështetje psikologjike, juridike dhe emocionale nga organizata joqeveritare. “Më pritën me ngrohtësi dhe mirëkuptim. Ishte hera e parë që dikush më dëgjoi pa më ndërprerë,” thotë ajo.

Takimi me ekipin, dhe e thjeshta por vendimtare “ti mundesh”, ia rikthyen besimin se i’a vlen të luftojë — për veten, për të drejtat e saj, për jetën e saj. Mbështetja psikologjike e ndihmoi të rikthente vetëbesimin, ndërsa pavarësia ekonomike i dha ndjenjën e kontrollit. “Për mua kjo është paqe,” thotë Sllavica. “Të mund të vendos vetë çfarë do të blej, ku do të shkoj — pa u lutur.”

MË SË MIRI ËSHTË NË SHTËPI

Motra e saj ishte strehimi i parë — i sigurt, por i përkohshëm. Ndjenja e vërtetë e “shtëpisë” vjen dy muaj më vonë, kur Sllavica merr me qira apartamentin e saj. Hapësira ishte modeste, pothuajse bosh, por e saj. “Kisha frikë dhe gëzim. Ndjeva se më në fund po merrja frymë,” thotë ajo. “Kur sollëm perden e parë dhe gatuam drekën e parë, u ndjeva në shtëpi, edhe pse kishim vetëm disa gjëra.”

Ai apartament i vogël, me disa mobilje, u bë bota e saj. Hapësirë që e zgjodhi vetë, e rregulloi vetë. Pa rregulla të huaja, pa frikë. Për herë të parë, Sllavica nuk duhej të lutej, të shpjegonte, të justifikohej. Çdo gjë ishte zgjedhja e saj.

DIVORCI ËSHTË FILLIM

Divorci nuk është fundi. Për Sllavicën, është fillimi. Edhe pse ende përballet me proces gjyqësor për ndarjen e pasurisë, sot jeton me paqe në shpirt. “Qaja, por ishte një e qarë ndryshe— sikur po nxirrja gjithë peshën nga vetja,” thotë ajo.

Ndjenja e sigurisë erdhi gradualisht, përmes situatave të thjeshta të përditshme. Kur blen diçka për veten pa u justifikuar. Kur lexon një libër pa u ndërprerë. Kur sheh një film pa u frikësuar nga zhurma e çelësit në derë. Kur pi kafe dhe heshtja nuk është kërcënim, por qetësi. “Shtëpi tani do të thotë paqe, heshtje dhe siguri. Vend ku mund të jem ajo që jam.”

Sot, Sllavica është simbol i forcës së gruas. Është në kontakt me gra të tjera që kalojnë përvoja të ngjashme. U jep shpresë, flet sinqerisht, pa patetikë. “U them se mund të jetë ndryshe — sepse unë jam dëshmi e gjallë për këtë.”

  • Image
    GBV

Heroinë nr. 7

Pas një lidhjeje të shkurtër dhe një martese të nxituar, 46 vjeçarja Tea, për vite me radhë është përballur me dhunë psikologjike dhe fizike nga bashkëshorti. Dhuna shpesh ndodhte edhe para tre fëmijëve, duke lënë pasoja të rënda në fëmijërinë e tyre. Edhe krahas pengesave të shumta, ajo arriti të gjejë forcën për të marrë vendimin më të rëndësishëm – të largohej nga shtëpia dhe të fillonte procedurën e divorcit. Me ndihmën e rrjetit kombëtar për mbrojtjen e grave viktima, psikologëve dhe avokatëve, ajo ndërton të ardhmen e saj të re. Sot është një nënë krenare, ekonomikisht e pavarur dhe profesionalisht e realizuar. Mesazhi i saj për gratë është i qartë: “Mos prisni – çdo ditë në heshtje është një plagë e re.”

BARRA PSIKOLOGJIKE E PARAGJYKIMEVE

Historia e Teas është pasqyrë e shumë grave që, nën presionin e rrethit shoqëror dhe paragjykimeve, marrin vendime që më vonë u sjellin dhimbje të madhe. Presioni për t’u martuar “në kohë” dhe frika se fëmijët duhet të kenë patjetër një baba, e mbajtën të burgosur në një martesë që e torturonte fizikisht, psikologjikisht dhe emocionalisht.

“Toni filloi të pinte rregullisht. Shumë alkool gjithmonë nënkuptonte shumë grindje dhe dhunë. Në fillim ndodhte natën vonë, kur ishim vetëm, por më vonë edhe para fëmijëve,” dëshmon ajo.

Për Tean, izolimi u bë një formë e re mbijetese. “Të afërmit e mi më të ngushtë dhe shoqet duhej të qëndronin larg sepse Toni i kërcënonte. Më vinte turp nga miqtë,” thotë Tea. Kërcënimet jo vetëm që e mbanin në frikë, por e largonin edhe nga më të dashurit e saj.

SHTATZËNIA NUK ËSHTË ZGJIDHJE

Shtatzënia shpesh shihet si shpresa e fundit për shpëtimin e martesës, si simbol i një fillimi të ri dhe mundësie për ndryshim. Por dëshmia e Teas e zbërthen realitetin e ashpër: Fëmija nuk është garanci për t’i dhënë fund dhunës.

“Mbeta shtatzënë me fëmijën e tretë. Shtatzënia ishte e paplanifikuar, por jo e padëshiruar. Ishte shpresa ime e fundit që diçka do të ndryshonte. Por, edhe para se të lindte foshnja, unë jetoja në ferr. Në muajin e nëntë, i dehur dhe nervoz, burri im më tërhoqi zvarrë për flokët nëpër shtëpi. Atëherë mblodha forcë dhe ika,” rrëfen ajo.

Në vend të mbrojtjes, institucionet e kthyen sërish në rrezik: “Ku do të shkosh grua me atë bark, kthehu te fëmijët dhe burri yt” – ishin udhëzimet nga stacioni i policisë. E vetme, me vëllain si mbështetje të vetme, pas 48 orësh ajo lindi fëmijën e tretë. Pas lindjes, u kthye përsëri në shtëpinë e bashkëshortit të dhunshëm, e vetëdijshme se ky ishte fillimi i fundit.

KUR BABAI ËSHTË KËRCËNIM, JO MBROJTJE

Tea qëndroi në martesën e dhunshme edhe tre vite të tjera, e burgosur mes frikës dhe presionit shoqëror, me mendimin: “Kam tre fëmijë dhe nuk dua që ata të rriten pa baba.”

Por prania e një babai që është sinonim i dhunës nuk sjell mbrojtje, por kërcënim. Në një mjedis të tillë, ideja “të mos rriten pa baba” bëhet një iluzion i rrezikshëm që lë gjurmët më të thella te fëmijët. Te djali më i madh i Teas, pasojat u shfaqën në shkollë përmes sjelljes destruktive dhe agresive.

“Në kontroll i’u përshkruan qetësues që u jepen pacientëve me shizofreni,” dëshmon ajo, duke zbuluar peshën e traumës që mbante fëmija. Pas përshkrimit të terapisë, me qëllimin më të mirë, psikiatri i dha edhe këtë këshillë: “Gjendja e fëmijës nuk do të përmirësohet nëse nuk ndryshohet mjedisi ku rritet dhe jeton.”

Fjalët e ndërgjegjësuan Tean, e godisin si nënë dhe e detyrojnë t’a sheh të vërtetën e dhimbshme. Në atë çast – të mbushur me dhimbje, por edhe me vendosmëri – ajo vendosi të fillonte procedurën e divorcit.

MBËSHTETJE NJERËZORE PAS BETEJËS LIGJORE

Që nga fillimi, mbështetjen më të madhe e merr nga rrjeti kombëtar për mbrojtjen e grave viktima, i cili i siguroi ndihmë psikologjike për të dhe më vonë për fëmijët e saj, si dhe shoqërim të vazhdueshëm nga një punonjës social në çdo takim në Qendrën për Punë Sociale, me qëllim të mbrojë interesat e saj dhe për t’a inkurajuar. Përveç kësaj, rrjeti i dha një grant për të filluar biznesin e saj.

Në procedurat ligjore, fillimisht e përfaqëson një mike me kompensim minimal, por për shkak të kërcënimeve dhe shantazheve ajo tërhiqet, pas së cilës avokati J.M. e mori rastin e saj pa rezervë dhe pa kompensim – jo vetëm për divorcin, por edhe për të gjitha procedurat penale që u hapën dhe ende vazhdojnë. Këmbëngulja e tij dhe prania në çdo seancë janë dëshmi se mbështetja e vërtetë nuk është vetëm ligjore, por edhe njerëzore. “Në asnjë seancë nuk më la vetëm – kjo më dha forcë të qëndroj,” thotë Tea.

KUJDESTARIA DHE BETEJA FINANCIARE

Marrja e kujdestarisë së fëmijëve nuk përfaqëson ndryshim në dinamikën e përditshme familjare – Tea edhe më parë kujdesej vetë për ta, ndërsa babai ka munguar dhe ka qenë i painteresuar. Por, konfirmimi ligjor solli një siguri të re: Njohje institucionale se fëmijët po rriten me një prind që është i pranishëm, i përgjegjshëm dhe i përkushtuar. Për të, kjo ishte simbol i stabilitetit dhe mbrojtjes, veçanërisht pas një beteje të gjatë dhe rraskapitëse nëpër institucione.

Pavarësia financiare u bë shtylla e dytë e realitetit të saj të ri. Me mbështetjen e familjes dhe rrjetit kombëtar, Tea fitoi mundësinë të fillonte biznesin e saj dhe të siguronte punë të qëndrueshme si asistente arsimore. Ajo nuk mbështetet te ish‑bashkëshorti – e ndërton të ardhmen e saj në mënyrë të pavarur, me forcë dhe mbështetje nga komuniteti. “Detyrimet ndaj fëmijëve gjithmonë kanë qenë detyrimi im, ndërsa shpenzimet përgjegjësia ime. Sot i mbaj me krenari dhe pavarësi,” thekson Tea.

Historia e Teas është dëshmi se rruga nga dhuna drejt lirisë është e gjatë, e vështirë dhe e mbushur me pengesa, por është e mundur. Ajo tregon se mbështetja institucionale është e rëndësishme, por se forca e vërtetë qëndron te guximi i një gruaje për të marrë vendimin më të vështirë dhe për të qëndruar. Sot Tea është simbol i rezistencës dhe shpresës – një nënë që arriti të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurt për fëmijët e saj, një grua ekonomikisht e pavarur që ndërton të ardhmen e saj me dinjitet. Mesazhi i saj për gratë mbetet i fuqishëm dhe i qartë: „E ardhmja jote varet vetëm nga ti.“