Deklarata e Presidentes von der Leyen me rastin e vizitës së saj në Maqedoninë e Veriut
Faleminderit shumë i nderuar kryeministër, i nderuar Dimitar,
Zonja dhe zotërinj,
Eshtë shumë mirë të jem përsëri këtu, në Shkup. Dhe me të vërtetë, më kujtohet shumë mirë vizita ime e fundit katër muaj më parë, kur erdha këtu për t'iu drejtuar parlamentit të Maqedonisë së Veriut. Siç mund ta imagjinoni, unë gjithashtu mbaj mend shumë qartë atë që kemi premtuar atë ditë. Dhe, po, ne kemi premtuar se nëse Maqedonia e Veriut me parlamentin e saj është në gjendje të ndërmarrë hapat e nevojshëm, kjo do të çonte në hapjen e negociatave të anëtarësimit. Më pas do të fillonte procesin e screening-ut të legjislaturës (Acquis) të BE-së, pa asnjë vonesë. Dhe mbi të gjitha do të respektonim plotësisht identitetin tuaj dhe gjuhën tuaj, që është gjuha maqedonase.
Dhe më duhet të them, i dashur Dimitar, se u desh shumë lidership, që tregove, dhe parlamentit të Maqedonisë së Veriut iu desh shumë guxim për ta kaluar atë prag. Dhe jam shumë i lumtur që e bëtë këtë. Sepse çoi në atë ditë historike të korrikut, kur më në fund hapëm negociatat e anëtarësimit. I nderuar Kryeministër, siç e premtova, filloi menjëherë screening-u e legjislaturës (Acquis) europiane. Tani është në rrugën e duhur dhe procesi i negociatave po merr hov. Dhe po bëhet një punë shumë e mirë.
Dhe në fundi, me të vërtetë, në lidhje me gjuhën tuaj: ju premtova se do të nënshkruajmë marrëveshjen e Frontex-it, të përkthyer në gjuhën maqedonase. Asnjë fusnotë, pa asteriks, në baza të barabarta me të 24 gjuhët e Bashkimit Europian. Dhe sot e përmbushëm këtë. Siç thashë, ka 24 gjuhë zyrtare në Bashkimin Europian. Jam thellësisht e bindur se nuk do të zgjasë shumë derisa të kemi 25 gjuhë zyrtare. Sepse gjuha maqedonase është një gjuhë kaq e bukur. Unë me të vërtetë dua të falënderoj komisioneren Johansson për punën e saj të palodhshme për marrëveshjen. Dhe kjo marrëveshje nuk është vetëm shumë e rëndësishme sepse forcon bashkëpunimin tonë për migracionin, por edhe sepse tregon se nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është gjuha juaj. Dhe ne e respektojmë plotësisht atë. Maqedonia e Veriut tani po ecën përpara në rrugën europiane. Kjo është ajo që tregon edhe raporti ynë i fundit i zgjerimit. Ne sapo kemi publikuar këtë raport të zgjerimit. Dhe me të vërtetë duhet t'ju përgëzoj. Është e mahnitshme të shohësh se sa të vendosur po ecni përpara: Ju e keni forcuar demokracinë tuaj. Keni forcuar shtetin tuaj të së drejtës. Ju keni bërë progres në reformën e sistemit tuaj të drejtësisë. Po zhvilloni një ekonomi tregu solide që e ka provuar tashmë qëndrueshmërinë e saj. Urime për progresin, për suksesin e deritanishëm. Dhe e di që ju jeni – dhe duke ju dëgjuar, jam thellësisht e bindur për këtë – të vendosur të mbani shpejtësinë e mirë, ritmin e mirë për të ecur përpara në rrugën drejt Bashkimit Europian. Dhe unë jam shumë e vetëdijshme që ju po e bëni të gjithë këtë në rrethana shumë sfiduese. Kjo është lufta brutale e Rusisë kundër miqve dhe fqinjëve tanë në Ukrainë. Kjo luftë po sjell mizori dhe shkatërrim për popullin ukrainas. Dhe po trondit të gjithë botën. Siç e dimë dhe e shohim të gjithë, Rusia po përdor energjinë, për shembull, si armë dhe po manipulon rëndë tregun e energjisë. Kjo rezulton në rritje të çmimeve të energjisë dhe në probleme në sigurinë e furnizimit. Dhe, po, Maqedonia e Veriut është prekur gjithashtu. Por të jeni të sigurt: Po ndiejmë të njëjtin presion, por nuk do të dorëzohemi, asnjë centimetër.
Jini të sigurt se solidariteti dhe uniteti që tregojmë në Bashkimin Europian nënkupton edhe solidaritet dhe unitet me Maqedoninë e Veriut. Sepse ne jemi në këtë së bashku. Dhe kjo do të thotë se ne do ta zgjidhim këtë krizë dhe do ta kapërcejmë këtë krizë së bashku. Do të vazhdojmë të mbështesim miqtë tanë në Ukrainë. Dhe ne do të jemi shumë të fortë dhe të vendosur për të siguruar që këtu në Bashkimin Europian të kemi solidaritetin dhe unitetin që na nevojitet. Mesazhi im sot për qytetarët e Maqedonisë së Veriut është shumë i qartë: Bashkimi Europian është pranë jush. Ne jemi në këtë së bashku. Ne do ta kalojmë këtë së bashku dhe do ta kapërcejmë këtë krizë së bashku dhe do të shkojmë drejt një të ardhmeje më të mirë. Tani po paraqesim një paketë mbështetjeje për energjinë për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Fillon me 80 milionë euro grante këtu për Maqedoninë e Veriut si mbështetje direkte buxhetore. Kjo do të ndihmojë në adresimin e ndikimit të çmimeve të larta të energjisë tek qytetarët dhe tek bizneset tuaja. Ne do ta finalizojmë këtë deri në fund të vitit në mënyrë që të mund të merrni fondet që në janar. Por sigurisht që do të vijnë më shumë. Për shembull, ka 500 milionë euro grante për të gjithë rajonin për të investuar në atë që është kaq e nevojshme tani për të fituar pavarësinë tonë: të investojmë në lidhjet energjetike; për të investuar në efiçencën e energjisë; dhe sigurisht për të investuar në energjinë e rinovueshme. Ne kemi folur për faktin se duhet të jemi të vetë-mjaftueshëm sa i përket energjisë. Kështu, për shembull, energjia e rinovueshme që prodhohet në shtëpi, që krijon vende të mira pune këtu dhe që na bën të pavarur nga karburantet fosile ruse.
Kjo mbështetje – dhe më shumë mbështetje financiare – do të kanalizohet në kuadër të të ashtuquajturit Plan Ekonomik dhe Investiv. Siç e dini, Plani i Investimeve është tashmë në funksion me investime në parqe me erë, për shembull, në termocentrale diellore – u gëzova shumë kur dëgjova se po planifikoni ta intensifikoni këtë punë – dhe me ndërlidhje të reja gazi midis vendit tuaj dhe Serbisë dhe Kosovës që po ashtu janë planifikuar. Së fundi, do t'ju mundësojë gjithashtu të merrni pjesë në prokurimin e përbashkët europian për gazin e tubacionit dhe LNG. Në Këshillin Europian, kemi vendosur që duam të blejmë gaz në tregun global së bashku, sepse kjo forcon fuqinë tonë blerëse. Ju ftojmë, Maqedonia e Veriut, të bashkoheni me ne, të jeni me ne, që të dalim së bashku në treg. Dhe sigurisht, ju përfitoni edhe nga të gjitha vendimet që kemi marrë ditët e fundit, nga propozimet ligjore që kemi marrë për uljen e çmimeve të gazit në Bashkimin Europian, por më e rëndësishmja çmimin e energjisë elektrike, sepse jemi në një Union energjetik. Dhe kjo do të thotë që çdo gjë që bëjmë, e bëjmë së bashku. Siç thashë, unitet dhe solidaritet.
I dashur Dimitar, ishte prekëse të të dëgjoja. Populli i Maqedonisë së Veriut, ju dhe qeveria juaj, dhe shumë njerëz në këtë vend, keni treguar kaq shumë përkushtim ndaj vlerave të Bashkimit Europian. Prandaj, jam vërtetë thellësisht e bindur se ju do të ecni përpara në rrugën tuaj drejt anëtarësimit. Ju meritoni të ecni përpara në rrugën e anëtarësimit. Ishte prekëse për mua të dëgjoja atë që thatë për të rinjtë në Maqedoninë e Veriut. Po, ata po ëndërrojnë për Europën, por jam thellësisht e bindur se ata po ëndërrojnë Maqedoninë e Veriut në Bashkimin Europian, një vend ku duan të formësojnë të ardhmen e Maqedonisë së Veriut. Ju mund të mbështeteni tek ne dhe ne e dimë se mund të mbështetemi tek ju. E di që keni ende një rrugë përpara. Për shkak të mënyrës se si ju njoha dhe vendosmërisë që kam parë dhe këtij parlamenti në të cilin kam folur, popullit të Maqedonisë së Veriut që kam takuar, jam thellësisht e bindur se ju jeni në gjendje të bëni ëndrrën e të rinjve tuaj në Maqedoninë e Veriut realitet. Ngaqë, më lejoni t'ju them se jam thellësisht e bindur se Bashkimi Europian nuk është i plotë pa Maqedoninë e Veriut. Ne duam t'ju kemi me vete. Ne jemi miq, jemi partnerë. Dhe një ditë, do të jemi së bashku në një Bashkim Europian.
Faleminderit shumë.