Delegacioni i BE-së me Bord Këshillimor Rinor: fuqizimi i zërave të të rinjve brenda nismave të BE-së

Shtatëmbëdhjetë të rinj - me prejardhje dhe interesa të ndryshme - janë në Bordin, që në dy vitet e ardhshme, do ta ndihmojë Delegacionin e BE-së t’i pasqyrojë mendimet, aspiratat dhe shqetësimet e të rinjve në aktivitetet e veta. Në të njëjtën kohë, këshilltarët e rinj do të kanë mundësinë të përmirësojnë aftësitë e tyre përmes kurseve të trajnimit dhe ngjarjeve, të mësojnë më shumë rreth BE-së dhe të lidhen me bashkëmoshatarët - në të gjithë vendin, Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

 

Delegacioni i BE-së në Maqedoninë e Veriut është ndër të parët në Ballkanin Perëndimor që krijon një Bord Këshillimor Rinor. Ngritja e këtij organi është pjesë e një iniciative më të gjerë që buron nga dokumentet strategjike të BE-së për të rinjtë, të cilat nënvizojnë se zëri i brezave që do të formësojnë të ardhmen e Europës dhe botës duhet të dëgjohet fort dhe qartë - që tani.

Bordi i Delegacionit të BE-së u formua më 30 janar 2026, disa muaj pasi Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen kishte formuar Bordin e saj Këshillimor Rinor.

Ideja është të krijohet jo thjesht një organ konsultativ, por një platformë për dialog midis Delegacionit të BE-së dhe të rinjve të Maqedonisë së Veriut. Dhe kështu të sigurohemi që aktivitetet e BE-së në vend po sjellin një ndryshim për të rinjtë, duke u ndihmuar atyre të rrisin dhe ta shfrytëzojnë potencialin e tyre sa më shumë për të pasur sukses në komunitetet e tyre.

Përmes punëtorive, ngjarjeve konsultative dhe takimeve tremujore, Bordi Këshillimor Rinor do të përcaktojë mendimet mbi aktivitetet e BE-së, në veçanti ato që lidhen me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, planifikimin dhe zbatimin e ndihmës së para-anëtarësimit (IPA) dhe rrugën e integrimit të vendit në BE, duke përfshirë raportin vjetor nga Komisioni Europian.

"Pritjet tona janë të mëdha sepse besojmë në potencialin e jashtëzakonshëm brenda secilit prej jush. Ju inkurajojmë të ndani pritjet, mendimet tuaja dhe të jeni të guximshëm në propozimin e ideve të reja. Së bashku, do të sigurohemi që iniciativat e BE-së të mbeten kuptimplota dhe të dobishme për ju, të rinjtë e Maqedonisë së Veriut. Dhe së bashku, do të kemi ndikim", deklaroi Ambasadori i BE-së Michalis Rokas në seancën konstituive të Bordit.

Të rinjtë përbëjnë gati 21% të popullsisë në Maqedoninë e Veriut. Të dhënat e fundit tregojnë se 80% e njerëzve të moshës 18-24 vjeç mbështesin anëtarësimin në BE - një rritje e jashtëzakonshme nga vetëm 60% në vitin 2024.