Dreri i kuq europian kthehet në Galiçicë me ndihmën e BE-së

Mbrojtja e biodiversitetit në mënyrën më të mirë: një projekt i financuar nga BE-ja ka ndihmuar në rikthimin e një specie të rrezikuar në një nga parqet kombëtare më të bukura në Maqedoninë e Veriut.

 

Sot, 100 drerë të kuq (Cervus elaphus) jetojnë në parkun kombëtar të Galiçicës. Kjo nuk tingëllon e pazakontë – nëse e dimë se kjo specie u zhduk nga parku disa dekada më parë.

Në vitin 2018, parku kombëtar mori një grant në kuadër të programit të financuar nga BE-ja për menaxhimin më të mirë të zonave të mbrojtura. Me një buxhet prej afro 470,000 euro, kryesisht fonde të BE-së, menaxhimi i parkut arriti rezultate të jashtëzakonshme.

Parku ngriti një qendër riprodhimi për drerët e kuq në pothuajse 90 hektarë me 30 drerët e parë, që u sollën në fund të vitit 2019 dhe në fillim të vitit 2020.  Falë përpjekjeve të stafit të parkut, numri i tyre është trefishuar.

Pse ishte kaq i rëndësishëm rikthimi i drerëve të kuq për Galiçicën?

Kullotat e thata, tipike për këtë park kombëtar, ishin të rrezikuara në dekadat e fundit. Për shkak të mungesës së bagëtive barëngrënëse, ato u rritën jashtë kontrollit dhe kjo filloi të kërcënonte biodiversitetin e tyre të pasur dhe natyrën. Si masë për ruajtjen e kullotave u propozua rikthimi i drerit të kuq, një barëngrënës natyral autokton në Galiçicë. Rezultatet janë të dukshme në video. /media/76783

Drerët që bredhin e shtojnë bukurinë e Galiçicës duke mbrojtur biodiversitetin e saj. Por ky nuk është përfitimi i vetëm nga ndihma e BE-së.

Falë të njëjtit grant, parku përditësoi programin e tij të monitorimit të biodiversitetit dhe siguroi pajisje monitoruese dhe zjarrfikëse. Gjithashtu, parku ka punësuar staf shtesë - për të ndihmuar në monitorimin e biodiversitetit, në ngritjen e vetëdijes për nevojën për mbrojtjen e natyrës dhe në përmirësimin e planifikimit.