Fjalimi i ambasadorit David Geer me rastin e Ditës së Europës

Të dashur miq,

Mirë se vini në Ditën e Europës në Laboratorium! Shikoni përreth! Është një hapësirë e mrekullueshme. Me njërën këmbë në të kaluarën – si shtypshkronja e dikurshme e gazetës Nova Makedonija. Dhe tjetrën në të ardhmen si hapësirë për kreativitet dhe inovacion.

Për këtë arsye, në konkursin e Komisionit Europian, New Bauhaus 2024, Laboratorium e zuri vendin e dytë si konkurrues i fortë.

Por Laboratorium ka të bëjë edhe me të rinjtë. Siç më tha një nga pronarët, “nëse – falë aktiviteteve dhe mundësive të krijuara nga kjo hapësirë – mund t’i mbajmë 1000 të rinj në vend, do t’ia kemi dalë”.

Pra, është një vend që bashkon të kaluarën dhe të ardhmen, kreativitetin dhe inovacionin dhe mbi të gjitha të rinjtë. Më e mira nga ajo që BE-ja dhe Maqedonia e Veriut mund të japin. Dhe, siç mund ta shihni, e shfrytëzuam këtë rast t’i theksojmë parimet e një të ardhmeje të gjelbër dhe të qëndrueshme - ndoshta sfida jonë më e madhe e përbashkët.

Më lejoni ta falënderoj Bankën Europiane për Investime me të cilën e organizuam këtë event dhe sponsorët tanë sonte, Veraria Lazar dhe Birraria Shkupi. Dhe, sigurisht, Laboratorium. Falenderime të përzemërta për violonçelisten Maja Mihajlovska dhe DJ Bojan Janev, DJ Soul Case.

U mblodhëm sot pak pas mbajtjes së zgjedhjeve në vend. Dëshiroj t’i përgëzoj të gjithë pjesëmarrësit për atmosferën paqësore dhe demokratike në të cilin u mbajtën ato. Tani për ata që janë duke negociuar për të formuar qeverinë, detyra juaj do të jetë të ktheni retorikën e fushatës zgjedhore në një realitet modern, të shëroni ndarjet që ishin evidente, duke bashkuar qytetarët nga të gjitha komunitetet në bazë të një axhende pozitive reformuese.

Pothuajse çdo parti ka deklaruar se është e përkushtuar ndaj rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt BE-së. Pra, sfida do të jetë realizimi i këtij premtimi – avancimi i reformave themelore, miratimi i ndryshimeve kushtetuese, hapja e klasterëve. Ndërkohë që përgjegjësia kryesore do të jetë mbi qeverinë e re, përparimi i vërtetë do të jetë i mundur vetëm nëse të gjitha  partitë politike dhe institucionet shtetërore janë pjesë e proçesit.

Nëse e bëni këtë, potenciali i këtij vendi është i madh. Do të forconi shtetin, do ta përmirësoni standardin jetësor, do të rrisni investimet dhe do të filloni të ulni “ikjen e trurit”. Do ta forconi identitetin tuaj dhe po, gjuhën tuaj. Do të riktheni besimin në të ardhmen. Do t'u jepni shpresë të rinjve të këtij vendi.

Nga ana jonë, ne do t'ju qëndrojmë pranë në çdo hap të rrugës politikisht, ekonomikisht dhe financiarisht, përfshirë edhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Dhe ju do të jeni në gjendje të përfitoni nga momenti i jashtëzakonshëm që kemi dëshmuar për zgjerimin vitet e fundit.

Të dashur miq,

Kjo është hera e fundit që po festoj Ditën e Europës në mandatin tim si ambasador. Do të doja të them vetëm disa fjalë për përvojën e mrekullueshme që patëm unë dhe Paul në këtë vend të bukur. Na keni treguar më të mirën që mund të japë ky vend nga trashëgimia e tij e mrekullueshme natyrore – nga Sharri deri në Pelister, nga Prespa deri në Ohër, nga Struga deri në Berovë, nga Tetova deri në Strumicë – kulturën e tij të pasur artistike – nga Liçenoski deri te Mazev, Nehat Beqiri, nga Stefanovski deri te Shopov, Fejzi Bojku, Toshe Proeski, Vlatko Stefanovski, Selami Kolonja. Lista është e gjatë… na keni treguar diversitetin e tij dhe bujarinë, ngrohtësinë e njerëzve. Na keni pranuar Paul-in dhe mua në shtëpitë tuaja dhe na keni rrëmbyer zemrat tona. Falemnderit.

Do të ketë kohë për të thënë lamtumirë siç duhet në muajt e ardhshëm dhe për t'ju falënderuar të gjithëve personalisht. Por ndërkohë, më lejoni të përfundoj me fjalët e të madhit Koço Racin, i cili besoj se ka arritur ta pasqyrojë më të mirën e popullit maqedonas dhe një vizion të përbashkët nga Bashkimi Europian – të cilin ne e festojmë sot këtu në Laboratorium – dhe që e shprehim përmes motos “të bashkuar në diversitet”.

Nëse nuk bëra një shtëpi

me porta të larta prej druri,

shtëpi, të gjithë botën e kam si vëllezër

që hap zemrën si vëlla,

zemra - porta më e lartë,

zemra – shtëpia më e gjerë.