Kolumnë e përbashkët e Ambasadorit të Bashkimit Europian Michalis Rokas dhe Ambasadores së Ukrainës në Maqedoninë e Veriut Larysa Dir me rastin e katërvjetorit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës
Katër vjet më parë, më 24 shkurt 2022, bota ndryshoi përgjithmonë. Ajo që Kremlini kishte planifikuar si një "blitzkrieg tre-ditor" u shndërrua në 1462 ditë rezistencë heroike nga populli ukrainas. Përballë një pushtimi brutal të plotë që shkatërron jetë, rrënon fatet dhe shkatërron vendin, ukrainasit çdo ditë i kundërvihen planit të Rusisë për të fshirë kombin ukrainas.
Raketat dhe ndërprerjet e energjisë, të shkaktuara nga sulmet ruse ndaj objekteve të infrastrukturës energjetike, nuk paraqesin më risi, por nuk janë as më pak shkatërruese. Çdo sulm ende shkatërron jetë, çdo ndërprerje ende dëmton civilët, familjet, fëmijët dhe të moshuarit. Rusia çdo ditë synon këmbësorët, civilët, ndërtesat e banimit, transportin publik, objektet mjekësore dhe stafin e shpëtimit. Dronët përdoren për të gjurmuar, gjuajtur dhe terrorizuar njerëzit. Kjo luftë vazhdon të përcaktojë jetët, të shkaktojë dhimbje dhe vuajtje, dhe ka rikthyer në Europë skena që ne kemi menduar prej kohësh se i kishim lënë pas.
Këtë dimër Rusia përsëri ka përdorur të ftohtin si armë. Por, këtë herë, në mënyrë edhe më brutale. Infrastruktura e energjisë u shënjestrua qëllimisht, duke përshkallëzuar më tej krizën e vazhdueshme të energjisë gjatë temperaturave nën zero. Për shkak të sulmeve masive, aktualisht është në fuqi gjendje e jashtëzakonshme në sektorin e energjisë. Qytetet u zhytën në errësirë. Familjet zgjedhin midis të ngrohtit dhe sigurisë. Cikli i shkatërrimit ka vënë gjithnjë e më shumë në provë aftësinë e vendit për të riparuar infrastrukturën e energjisë, veçanërisht përballë kushteve të ashpra dimërore. Kjo nuk përbën dëm kolateral; është një strategji e qëllimshme frike. Dimri nuk është më stinë; është pjesë e fushëbetejës.
E megjithatë, mes këtij realiteti, fjala "paqe" po përdoret gjithnjë e më shumë sikur të ishte e ndarë nga përgjegjësia. Sikur të mund të ekzistonte krahas sulmeve ndaj civilëve.
Rusia pretendon se flet gjuhën e paqes ndërsa vazhdon të bombardojë shtëpitë, spitalet dhe infrastrukturën energjetike. Që nga viti 2014 Kremlini ka përdorur në mënyrë të përsëritur diplomacinë si mbulesë për të përgatitur, fshehur ose arsyetuar agresionin e mëtejshëm. Vetëm në vitin 2026, madje ndërsa vazhdonin diskutimet mbi një propozim paqeje, Rusia lëshoi një raketë Oreshnik me kapacitet bërthamor drejt rajonit të Lviv-it dhe kreu sulme të mëdha me raketa dhe dronë në të gjithë Ukrainën. Pavarësisht garancive të dhëna Uashingtonit se infrastruktura e energjisë nuk do të synohej gjatë negociatave, Rusia vazhdoi të kryente sulme masive të kombinuara ndaj sektorit energjetik të Ukrainës. Këto zhvillime theksojnë një model të qëndrueshëm: Rusia ka prirje të intensifikojë sulmet gjatë ose menjëherë pas armëpushimeve, negociatave ose iniciativave për paqe. Ndërsa Ukraina kërkon zgjidhje diplomatike për luftën, Rusia kurrë nuk ka treguar përmbajtje apo respekt për diplomacinë, duke vazhduar të sulmojë Ukrainën, shpesh kryesisht civilët, në shumë nga rastet e përmendura.
Pas katër vitesh, përparimet e Rusisë maten me metra, ndërsa strategjia e saj është gjithnjë e më shumë të sfilit civilët përmes terrorit, të ftohtit dhe shkatërrimit.
Paqja nuk lind nga sfilitja. Ajo nuk lind nga heshtja. Dhe sigurisht nuk vjen nga kërkimi që viktima të pranojë padrejtësinë në këmbim të qetësisë së përkohshme.
Ukraina e di këtë më mirë se kushdo dhe së bashku me partnerët, vazhdon të punojë për krijimin e një kornize gjithëpërfshirëse paqeje, për sigurimin e garancive të sigurisë dhe për rimëkëmbjen e Ukrainës pas luftës.
Për katër vjet, ukrainasit kanë rezistuar jo vetëm me armë, por me qëndrueshmëri. Duke mbajtur shkollat e hapura nëntokë. Duke riparuar linjat e energjisë ndërsa janë nën sulme. Duke zgjedhur demokracinë në mes të shkatërrimit. Kjo nuk është vetëm një luftë kundër Ukrainës. Vija e parë e betejës në Ukrainë është vija e parë e Europës. Ukraina nuk po mbron vetëm territorin e saj. Po mbron një parim që Europa dhe bota nuk mund ta lejojnë të humbasë: se kufijtë nuk negociohen me forcë dhe se njerëzit nuk janë mjete tregtimi.
Kjo është arsyeja pse udhëheqësit e BE-së kanë qenë të qartë dhe të qëndrueshëm. Një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme duhet të bazohet në të drejtën ndërkombëtare. Nuk mund të ketë negociata për Ukrainën pa Ukrainën, dhe as biseda kuptimplota pa presion ndaj Rusisë për tu angazhuar seriozisht. Rusia është agresori dhe duhet të bëjë kompromise, për të kufizuar kërcënimin e saj të ardhshëm ushtarak ndaj fqinjëve.
Paqja pa llogaridhënie është një iluzion. Paqja e ndërtuar mbi mosndëshkimin nuk është paqe. Është një pauzë para sulmit tjetër.
Europa e ka mësuar këtë mësim më parë. Sa herë që agresioni shpërblehej me heshtje ose lëshime, ai kthehej më i fortë. Paqja gjithashtu do të thotë drejtësi. Fëmijët ukrainas të marrë nga familjet e tyre duhet të kthehen në shtëpi. Të burgosurit e luftës duhet të lirohen. Krimet duhet të hetohen. Duhet të përcaktohet përgjegjësia. Pa drejtësi, paqja bëhet e brishtë dhe e përkohshme. Kjo është arsyeja pse në Hagë u krijua Tribunali i Veçantë për Krimin e Agresionit ndaj Ukrainës — një mekanizëm i ri ndërkombëtar i pavarur ligjor, që synon të ndjekë penalisht udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Rusisë për krim dhe agresion. Të sigurohet që Rusia nuk mund të shmangë përgjegjësinë është një pjesë e pandashme dhe e detyrueshme e një paqeje të ardhshme të drejtë dhe të qëndrueshme.
Mbështetja e Ukrainës nuk ka të bëjë me tejzgjatjen e luftës. Ka të bëjë me parandalimin e luftës së ardhshme. Kjo ka të bëjë me mbrojtjen e një rendi botëror të bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe vlerat demokratike - ku kufijtë nuk ndryshohen me forcë, dhe ku çdo akt agresioni has në përgjigje të vendosur nga komuniteti ndërkombëtar.
BE-ja është një partner i besueshëm dhe i parashikueshëm i cili mbështet sovranitetin, vetëvendosjen dhe integritetin territorial të Ukrainës me një ndjenjë të qartë të së ardhmes për Ukrainën si një anëtare e plotë e BE-së.
Kjo është edhe arsyeja pse zgjerimi ka marrë një kuptim të ri. Nuk është më vetëm një politikë integrimi, por është bërë një politikë sigurie. Një Bashkim Europian më i madh, i bazuar në vlera, rregulla dhe përgjegjësi të përbashkëta, është më i qëndrueshëm. Forcimi i bashkëpunimit në energji, mbrojtje, kufij dhe siguri ekonomike.
Vende si Maqedonia e Veriut e kuptojnë këtë realitet. Një vend i vogël për nga madhësia, por i qartë në zgjedhjet e tij, Maqedonia e Veriut është harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, ka ofruar ndihmë humanitare dhe ushtarake dhe ka qëndruar pranë Ukrainës dhe BE-së për të mbrojtur parimet dhe vlerat e përbashkëta.
Duke vepruar kështu, kjo tregon se solidariteti nuk është abstrakt. Është një zgjedhje. Dhe se zgjerimi nuk është një premtim për nesër, por një mënyrë për të forcuar paqen dhe stabilitetin në Europë, sot.
Kjo luftë nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën. Bëhet fjalë për atë se çfarë Europe zgjedhim të jemi. Vend ku dimri përdoret si armë dhe civilët ndëshkohen, apo vend ku rregullat kanë rëndësi dhe agresioni dështon.
Paqja nuk arrihet vetëm duke përsëritur shpesh fjalën "paqe". Ajo arrihet nga zgjedhja që bëjmë. Nga të qenurit të vendosur. Nga mbështetja për Ukrainën. Nga refuzimi për të normalizuar anormalen. Ndihma e qëndrueshme dhe e parashikueshme për Ukrainën është ajo që mund ta shtyjë vërtet Moskën drejt diplomacisë. Sanksionet ndaj Rusisë, mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën dhe forcimi i mbrojtjes sonë kolektive - të gjitha së bashku kontribuojnë në paqe. Duhet të sigurojmë që koha të punojë kundër Kremlinit përmes veprimeve tona të përbashkëta të koordinuara.
Paqja nuk është stinë që e presim, por është përgjegjësi që e bartim.
Ndërkaq Europa duhet ta bartë atë, së bashku.