Komisionerja Kos në Shkup: Maqedonia e Veriut ka treguar se mund të përmbushë me vendosmëri dhe në kohë Axhendën e Reformave, e njëjta vendosmëri nevojitet për të ecur përpara në rrugën e integrimit
Komisionerja u takua me Kryeministrin Hristijan Mickoski dhe Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin për Çështjet Europiane Bekim Sali për të diskutuar përparimin e bërë në zbatimin e Axhendës së Reformave, prioritetet për integrimin gradual në BE dhe zhvillimet në fushat tjera të lidhura me rrugën e vendit drejt BE-së, si dhe pati një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin.
“Maqedonia e Veriut ka treguar se mund të japë rezultate me vendosmëri dhe në kohë. Në Shkup, takova Kryeministrin Hristijan Mickoski për të biseduar për rezultatet e mëdha të vendit në kuadër të Axhendës së Reformave dhe për të inkurajuar përparim të mëtejshëm. E njëjta vendosmëri është e nevojshme tani për të ecur përpara në rrugën e saj të integrimit. Me realizimin e obligimeve, Maqedonia e Veriut mund të ndërtojë besim me Shtetet Anëtare dhe t'i japë një shtysë rrugës së saj drejt BE-së”, shkroi Kos në mediat sociale.
Ajo gjithashtu u takua me Kryetarin e Kuvendit Afrim Gashi për të diskutuar rëndësinë e dialogut politik konstruktiv dhe mbështetjes së gjerë ndërpartiake për reformat që lidhen me BE-në.
Kos vizitoi një konvikt studentor në Shkup, të rinovuar me fondet e BE-së, dhe diskutoi me organizatat rinore mundësitë që u ofron të rinjve integrimi më i ngushtë me BE-në, përfshirë përmes programeve të tilla si Horizon Europe dhe Erasmus+.
Komisionerja e përfundoi vizitën e saj me një takim me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe medias për të diskutuar zbatimin e reformave kryesore që lidhen me BE-në, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.