Konferenca e BE-së–Ballkani Perëndimor për Edukim Mediatik 2025 forcon bashkëpunimin rajonal për luftë kundër dezinformatave

Konferenca e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për Edukimin Mediatik 2025 mblodhi mbi 150 pjesëmarrës dhe folës nga i gjithë Ballkani Perëndimor, Bashkimi Evropian dhe Partneriteti Lindor, për të adresuar sfidat gjithnjë e më të mëdha të dezinformimit, ndërhyrjes së huaj dhe manipulimit me informacionet – NHMI, si dhe ndikimi i teknologjive të reja në shoqëritë demokratike.

 

Konferenca, e mbajtur më 17 nëntor, në Shkup, bashkoi përfaqësues nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Republika e Moldavisë, Danimarka dhe vende të tjera, si dhe ekspertë e zyrtarë nga institucionet e Bashkimit Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së. Pjesëmarrësit përfaqësonin një gamë të gjerë sektorësh, përfshirë rregullatorët e mediave, gazetarë dhe redaktorë, organizata të shoqërisë civile, institucione akademike dhe hulumtuese, ekspertë të politikave digjitale, si dhe partnerë ndërkombëtarë, duke siguruar një shkëmbim të pasur ndërsektorial dhe rajonal.

Në hapje të konferencës, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Michalis Rokas, theksoi rëndësinë në rritje të edukimit mediatik në një mjedis informacioni të formuar gjithnjë e më shumë nga inteligjenca artificiale, ndryshimi i shpejtë teknologjik dhe përpjekjet e koordinuara për dezinformim.

"Edukimi mediatik nuk është vetëm një mjet arsimor; është një shtyllë e qytetarisë së informuar dhe demokracisë," tha ambasadori Rokas, duke nënvizuar nevojën për të pajisur qytetarët me aftësitë e nevojshme për navigim në hapësira komplekse digjitale.

Ai theksoi gjithashtu reagimin e përforcuar kolektiv të Bashkimit Evropian ndaj dezinformimit, përfshirë përmes nismave si European Democracy Shield, si dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit përtej kufijve dhe rajoneve.

"Kjo konferencë bashkon Bashkimin Evropian, Ballkanin Perëndimor dhe Partneritetin Lindor për të ndërtuar një qëndrueshmëri më të fortë dhe për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta demokratike”, shtoi ai.

Programi i konferencës përfshiu një sërë panele diskutimi të nivelit të lartë, të cilat trajtuan sfidat kryesore të peizazhit informativ në rajon. Sesionet trajtuan rolin e platformave të rrjeteve sociale në mundësimin dhe kundërshtimin e manipulimit informativ, rritjen e dezinformimit me bazë gjinore dhe të urrejtjes digjitale, si dhe mundësitë dhe rreziqet që platformat digjitale paraqesin për brezat e rinj. Folësit diskutuan se si kornizat e politikave të BE-së, si Akti për shërbime digjitale, mund të përshtaten dhe zbatohen në kontekstin rajonal përmes qasjeve të bazuara në të drejtat e njeriut dhe të një përfshirjeje të gjerë shoqërore.

Përveç dialogut strategjik, konferenca vuri theks të fortë në të mësuarit praktik dhe ngritjen e kapaciteteve. Katër sesione paralele pune u ofruan pjesëmarrësve mundësinë të angazhoheshin më thellë me reagimet institucionale ndaj NHMI-së, manipulimin e informacioneve në lidhje me shkencën, si dhe implikimet e inteligjencës artificiale për integritetin e informacionit. Punëtoritë interaktive shqyrtuan gjithashtu përdorimin etik dhe kritik të mjeteve të inteligjencës artificiale, duke u mundësuar pjesëmarrësve të shkëmbenin ekspertizë dhe praktika konkrete mes vendeve dhe profileve të ndryshme profesionale.

Konferenca u përmbyll me një fjalim frymëzues nga profesori Roman Jurowetzki i Universitetit të Aalborgut, i cili reflektoi mbi nevojën për sisteme mbrojtëse të mbështetura nga inteligjenca artificiale, që bazohen në kapacitete institucionale, bashkëpunim dhe mekanizma të besueshëm verifikimi, e jo në zgjidhje teknologjike të izoluara.

Si një iniciativë vjetore kryesore e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm që nga viti 2020, Konferenca e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për Edukim Mediatik vazhdon të shërbejë si një platformë kryesore rajonale për bashkëpunim, dialog dhe mësim të përbashkët. Duke bashkuar aktorë të ndryshëm nga i gjithë rajoni dhe më gjerë, konferenca përforcon përpjekjet e përbashkëta për të promovuar integritetin e informacionit dhe rezistencën ndaj dezinformatave.