Konferenca ndërqeveritare për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut

Më 19 korrik 2022, BE-ja filloi fazën e hapjes së negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut. Kjo pasoi një vendim të Këshillit më 25 mars 2020 për hapjen e negociatave të anëtarësimit, i cili u miratua nga anëtarët e Këshillit Europian më 26 mars 2020, si dhe miratimin nga Këshilli më 18 korrik 2022 të Kornizës Negociuese për negociatat me Maqedoninë e Veriut, në përputhje me metodologjinë e reviduar të zgjerimit.

 

Delegacioni i BE-së u kryesua nga Jan Lipavský, Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, ndërsa Komisioni Europian u përfaqësua nga Olivér Várhelyi, Komisioner për Fqinjësinë dhe Zgjerimin. Delegacioni i Maqedonisë së Veriut udhëhiqej nga kryeministri Dimitar Kovaçevski. “Nisja e sotme e procesit të negociatave për anëtarësim është një ditë e mirë për Maqedoninë e Veriut dhe një ditë e mirë për BE-në. Fillimi i negociatave është në dobi të përbashkët të Maqedonisë së Veriut dhe BE-së”, tha ministri Lipavský.

Maqedonia e Veriut është tashmë një partner i ngushtë i BE-së në Procesin e Stabilizim-Asociimit për Ballkanin Perëndimor. BE-ja dhe Maqedonia e Veriut qëndruan krah për krah gjatë pandemisë së COVID-19, dhe gjithashtu përballë agresionit ushtarak të pajustifikuar dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës dhe ndikimit të tij në të gjithë kontinentin europian. Siç u tha nga Këshilli më 14 dhjetor 2021, Delegacioni i BE-së përshëndeti vendosmërinë e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut për të avancuar agjendën e reformave të BE-së dhe për të dhënë rezultate të dukshme dhe të qëndrueshme.

Delegacioni i BE-së thekson se Komisioni ka avancuar punën për të kryer dhe përfunduar procesin e ekzaminimit analitik të Acquis-së së BE-së dhe është i gatshëm që në kohën e duhur t'i prezantojë rezultatet Maqedonisë së Veriut. Mbi këtë bazë, ai fton Komisionin që të vazhdojë të vlerësojë nivelin e gatishmërisë së Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave në fusha specifike dhe të identifikojë çështjet që me shumë gjasa do të dalin në negociata, duke filluar nga grupi i vlerave fundamentale, i cili në përputhje me Kornizën negociuese do të hapet i pari pasi Maqedonia e Veriut të ketë përmbushur kriteret përkatëse të dakorduara nga Këshilli.

BE-ja gjithashtu e mirëpriti faktin që Maqedonia e Veriut është përafruar plotësisht me vendimet dhe deklaratat e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së dhe inkurajoi Maqedoninë e Veriut që të vazhdojë ta bëjë këtë.

 

Për më shumë

https://ec.europa.eu/commission/presscorner/detail/en/STATEMENT_22_4602

https://www.consilium.europa.eu/en/press/press-releases/2022/07/19/statement-by-president-michel-on-the-occasion-of-intergovernmental-conferences-on-the-accession-with-north-macedonia-and-with-albania/

https://www.eeas.europa.eu/eeas/north-macedonia-speech-high-representative-josep-borrell-intergovernmental-conference_en

https://ec.europa.eu/commission/commissioners/2019-2024/varhelyi/announcements/remarks-press-conference-jan-lipavsky-minister-foreign-affairs-czech-republic-and-dimitar-kovacevski_en