Ndërtimi i qëndrueshmërisë së përbashkët: Vizitat studimore të BE-së forcojnë reagimin e Maqedonisë së Veriut ndaj dezinformimit
Këto ishin disa nga pyetjet që çuan në Stokholm një delegacion nga Maqedonia e Veriut, të përbërë nga gazetarë, redaktorë, verifikues faktesh, ekspertë të medias dhe përfaqësues të institucioneve, për një vizitë studimore të organizuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Instituti Maqedonas për Media (MIM), në kuadër të projektit “Ndërtimi i sinergjive kundër dezinformimit, përfshirë politikat dhe veprimet e BE-së”. Projekti u iniciua si përgjigje ndaj shqetësimeve në rritje për përhapjen e dezinformimit dhe ndikimin keqdashës në mjedisin informativ në vend.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen nga afër me mënyrën se si Suedia i qaset mbrojtjes së proceseve demokratike, luftimit të dezinformimit dhe ndërhyrjes së huaj, si dhe forcimit të qëndrueshmërisë së shoqërisë ndaj manipulimit të informacionit.
Gjatë vizitës, pjesëmarrësit zhvilluan takime me përfaqësues të Agjencisë Suedeze për Mbrojtjen Psikologjike, International IDEA, Institutit Suedez, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Suedisë dhe Parlamentit suedez (Riksdag). Në qendër të diskutimeve ishin integriteti i zgjedhjeve, komunikimi strategjik, edukimi mediatik dhe informativ, diplomacia publike, si dhe mekanizmat për identifikimin dhe kundërvënien ndaj dezinformimit dhe manipulimit të huaj të informacionit. Vizita krijoi gjithashtu hapësirë për vendosjen e kontakteve të reja dhe për zhvillimin e bashkëpunimit të ardhshëm ndërmjet ekspertëve nga Maqedonia e Veriut dhe Suedia.
Vizita në Stokholm ishte etapa më e fundit e një rrugëtimi shumë më të gjatë. Gjatë periudhës 2022–2026, në kuadër të të njëjtit projekt u organizuan edhe pesë vizita të tjera studimore – në Bruksel, Vjenë dhe Varshavë.
Secili destinacion ofroi një këndvështrim të ndryshëm dhe plotësues mbi të njëjtën çështje.
Gjatë tri vizitave në Bruksel, pjesëmarrësit diskutuan me përfaqësues të Shërbimit Evropian për Veprimin e Jashtëm (EEAS), Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian për politikat e BE-së në lidhje me dezinformimin, ndikimin e huaj dhe manipulimin me informacionin (NHMI), lirinë e medias, shërbimet digjitale, qeverisjen demokratike dhe zgjerimin.
Në Vjenë, vëmendja u përqendrua te roli i organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve mediatike në mbrojtjen e lirisë së medias dhe në reagimin ndaj kërcënimeve në fushën e informacionit. Në kuadër të vizitës u zhvilluan takime me OSBE-në, Institutin Ndërkombëtar të Shtypit, misione diplomatike dhe radiotelevizionin publik austriak ORF.
Varshava solli një përvojë tjetër. Gjatë vizitës, pjesëmarrësit u njohën me mënyrën se si Polonia punon për t’i bërë mediat më të qëndrueshme ndaj presioneve dhe për të luftuar ndikimin e huaj përmes informacionit. Ata shkëmbyen përvoja me ekspertë të politikave, studiues, përfaqësues të instituteve kërkimore dhe profesionistë të medias.
Megjithatë, vlera e programit nuk qëndron vetëm te vizitat e veçanta. Gjatë katër viteve, ai ka ndihmuar në krijimin e një rrjeti profesionistësh të përkushtuar ndaj diskutimit publik të bazuar në fakte dhe vlerave demokratike. Pjesëmarrësit janë kthyer me kontakte të reja, njohuri praktike dhe një kuptim më të mirë të modeleve të ndryshme që BE-ja ka zhvilluar për t’iu përgjigjur kërcënimeve në fushën e informacionit.
Prandaj, programi i vizitave studimore jo vetëm që ka forcuar kapacitetet e aktorëve kryesorë në Maqedoninë e Veriut për të kuptuar dhe për t’iu përgjigjur dezinformimit dhe ndikimit të huaj e manipulimit me informacionin (NHMI), por ka krijuar edhe partneritete dhe lidhje që mund të vazhdojnë edhe pas përfundimit të vetë projektit.
Dhe ky rrugëtim nuk përfundon në Stokholm.
Delegacioni i BE-së do të vazhdojë të sjellë në Maqedoninë e Veriut modelet më të mira të BE-së dhe përvojat institucionale të vendeve anëtare, me qëllim forcimin e kapaciteteve të vendit në luftën kundër ndikimit të huaj dhe manipulimit me informacionin (NHMI), si dhe mbështetjen e procesit të integrimit në BE.