Nis screening-u (shqyrtimi) i klasterit - Të drejtat themelore si pjesë e procesit të negociatave me Maqedoninë e Veriut

Më 15 shtator 2022, Komisioni Europian e vazhdoi procesin e screening-ut me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. 

Ekspertë nga Komisioni Europian, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut filluan t’i shqyrtojnë ligjet dhe politikat e BE-së nën Klasterin 1 - Të Drejtat Themelore.

Ekzaminimi analitik i legjislaturës së BE-së (Acquis), i ashtuquajturi Screening, u mundëson vendeve kandidate të njohtohen me ligjet dhe standardet e BE-së dhe detyrimet që ato sjellin.

Ai gjithashtu mundëson që të shqyrtohet niveli i gatishmërisë së vendeve dhe planet për përafrimin e mëtejshëm dhe në këtë mënyrë për të marrë indikacione paraprake për çështjet që me shumë gjasa do të paraqiten gjatë negociatave. Screening-u është hapi i parë në procesin e negociatave të anëtarësimit. Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut screening-u filloi që më 19 korrik 2022, menjëherë pas Konferencave Ndërqeveritare. Procesi i Screening-ut është i strukturuar përgjatë gjashtë klasterëve tematikë. Këto klasterë përfshijnë kapitujt përkatës të Legjislaturës europiane së bashku me tema të gjera që lidhen me qeverisjen e mirë, tregun e brendshëm, konkurrencën ekonomike dhe lidhshmërinë.

Procesi i screening-ut përbëhet nga dy faza:

1 - sesioni shpjegues ku departamentet e Komisionit shpjegojnë kapitull pas kapitulli të legjislaturës europiane

2 - sesioni dypalësh ku çdo vend kandidat ftohet të prezantojë se ku qëndron, sipas kapitullit, në përgatitjet e tij për miratimin dhe zbatimin e legjislaturës europiane.

Komisioni Europian do të vlerësojë dhe do t'i raportojë Këshillit për shkallën e gatishmërisë së një vendi kandidat për një klaster të caktuar, mbi planet e vendit kandidat për përgatitjet e ardhshme dhe për indikacionet paraprake të çështjeve që me shumë gjasa do të paraqiten gjatë negociatave.

Këshilli do të vendosë, me unanimitet, nëse do të përcaktojë standardet fillestare për çdo klaster negociator, në bazë të propozimit të Komisionit në raportin e Screening-ut.