Pakoja e Zgjerimit 2025 tregon përparim drejt anëtarësimit në BE për partnerët kryesorë të zgjerimit

Sot, Komisioni Europian miratoi Pakon vjetore të Zgjerimit, duke paraqitur një vlerësim gjithëpërfshirës të progresit të bërë nga partnerët e zgjerimit gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit. Pakoja e këtij viti riafirmon se momentumi për zgjerim qëndron lart në axhendën prioritare të BE-së. Ajo gjithashtu konfirmon se pranimi i Shteteve të reja Anëtare është gjithnjë e më i arritshëm.

Qëndrimi konsistent dhe ndjekja e një qasjeje të bazuar në meritë është çelësi i anëtarësimit të suksesshëm në BE. 

Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina, Republika e Moldavisë, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Turqia dhe Gjeorgjia vazhdojnë rrugët e tyre përkatëse drejt BE-së. Ritmi i reformave të tyre, veçanërisht në fushat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore, ndikon drejtpërdrejt në shpejtësinë e pranimit. Këto përparime u sjellin dobi si shteteve anëtare aspirante ashtu edhe shteteve anëtare aktuale të BE-së, duke nxitur prosperitetin, demokracinë, sigurinë dhe stabilitetin, ndërkohë që hapin mundësi të reja për qytetarët dhe bizneset, të tilla si investimet strategjike dhe hapja e Tregut të Përbashkët.

Ursula von der Leyen , Presidente e Komisionit Europian, tha: “Jemi më të përkushtuar se kurrë për ta shndërruar zgjerimin e BE-së në realitet. Sepse një Union më i madh do të thotë një Europë më e fortë dhe më me ndikim në skenën globale. Por duhet dhe do të mbetet një proces i bazuar në meritë. Pakoja jonë ofron rekomandime specifike për të gjithë partnerët tanë. Dhe të gjithë atyre u themi: Anëtarësimi në BE është një ofertë unike. Një premtim për paqe, prosperitet dhe solidaritet. Me reformat e duhura dhe me vullnet të fortë politik, ju të gjithë mund ta shfrytëzoni këtë mundësi.”

Vlerësimet, të shoqëruara me rekomandime dhe udhëzime mbi prioritetet e reformave, ofrojnë një udhërrëfyes për partnerët e zgjerimit drejt anëtarësimit në BE. Komisioni mbetet plotësisht i angazhuar për të mbështetur Shtetet Anëtare të ardhshme në këtë udhëtim. Integrimi gradual i Anëtarëve aspirantë në Tregun e Përbashkët forcon lidhjet me Unionin që para anëtarësimit të tyre. Është arritur përparim i konsiderueshëm gjatë vitit të kaluar. Me zgjerimin si një qëllim të qartë politik në këtë mandat, Komisioni është i angazhuar për të siguruar si gatishmërinë e anëtarëve aspirantë, ashtu edhe gatishmërinë e BE-së për t'i mirëpritur ata. Për këtë qëllim, së shpejti do të prezantohet një Dokument mbi rishikimin e detajuar të politikave dhe reformave.

Për të siguruar që Shtetet e reja Anëtare të vazhdojnë të mbrojnë dhe të mirëmbajnë të arriturat e tyre në sundimin e ligjit, demokracinë dhe të drejtat themelore, Traktatet e ardhshme të Anëtarësimit duhet të përmbajnë mbrojtje më të forta kundër kthimit prapa në angazhimet e marra gjatë negociatave të anëtarësimit.

Komunikimi efektiv, si dhe lufta kundër manipulimit dhe ndërhyrjes së informacionit të huaj, përfshirë dezinformimin, është një imperativ strategjik.

Komisioni është gjithashtu i gatshëm të mbështesë përpjekjet e Shteteve Anëtare për të ankoruar më tej besimin e publikut në proces dhe për të ndihmuar zgjerimin të ecë përpara me legjitimitetin që i nevojitet.

 

Përfundimet kryesore 

 

Mali i Zi ka shënuar përparim të konsiderueshëm drejt pranimit në BE, duke mbyllur katër kapituj negociatash gjatë vitit të kaluar. Zotimi i Malit të Zi për të mbyllur kapituj të tjerë deri në fund të vitit 2025 pasqyron përkushtimin e tij ndaj integrimit europian. Mbajtja e përparimit të qëndrueshëm në reforma dhe kërkimi i konsensusit të vazhdueshëm të gjerë politik janë thelbësore për arritjen e pikësynimit të vendit për të mbyllur negociatat e pranimit deri në fund të vitit 2026. Me kusht ruajtjen e ritmit të reformave, Mali i Zi është në rrugën e duhur për të përmbushur këtë pikësynim ambicioz. 

Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm, me katër grupkapituj të hapur gjatë vitit të kaluar. Përgatitjet për hapjen e grupkapitullit të fundit këtë vit kanë përparuar mirë. Është arritur përparim në grupkapitullin- Vlerat themelore veçanërisht në reformën në drejtësi dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Tani nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të përmbushur benchmark-et në kuadër të Vlerave themelore të cilat do të hapin rrugën për të filluar mbylljen e kapitujve negociues pasi të jenë bërë reformat e nevojshme sektoriale. Arritja e qëllimit të Shqipërisë për të përfunduar negociatat deri në vitin 2027 varet nga ruajtja e momentumit të reformave dhe nxitja e dialogut politik gjithëpërfshirës. Me kusht ruajtjen e ritmit të reformave, Shqipëria është në rrugën e duhur për të përmbushur këtë pikësynim ambicioz.

Pavarësisht agresionit të pamëshirshëm ushtarak të Rusisë, Ukraina mbetet fuqimisht e përkushtuar në rrugën e saj të integrimit në BE, duke përfunduar me sukses procesin e sceening-ut dhe përparimin në reformat kyçe. Ukraina ka miratuar udhërrëfyes mbi sundimin e ligjit, administratën publike dhe funksionimin e institucioneve demokratike, si dhe një plan veprimi për pakicat kombëtare, të cilin Komisioni e vlerësoi pozitivisht. Ukraina ka përmbushur kushtet e kërkuara për të hapur grupkapitujt si: një (vlerat themelore), gjashtë (marrëdhëniet e jashtme) dhe dy (tregu i brendshëm). Komisioni pret që Ukraina të përmbushë kushtet për të hapur tre grupkapitujt e mbetur dhe punon për të siguruar që Këshilli të jetë në gjendje të çojë përpara hapjen e të gjithë grupkapitujve para fundit të vitit. Qeveria ukrainase ka sinjalizuar objektivin e saj për të mbyllur përkohësisht negociatat e pranimit deri në fund të vitit 2028. Komisioni është i angazhuar të mbështesë këtë pikësynim ambicioz, por konsideron se, për ta përmbushur atë, kërkohet një përshpejtim i ritmit të reformave, veçanërisht në lidhje me vlerat themelore, në veçanti sundimin e ligjit.

Përballë kërcënimeve të vazhdueshme hibride dhe përpjekjeve për të destabilizuar vendin, Moldavia ka përparuar ndjeshëm në rrugën e saj të integrimit duke përfunduar me sukses procesin e screening-ut.  Samiti i parë BE-Moldavi në korrik 2025 shënoi një fazë të re bashkëpunimi dhe integrimi. Moldavia ka miratuar Udhërrëfyes mbi sundimin e ligjit, administratën publike dhe funksionimin e institucioneve demokratike, të cilat Komisioni i vlerësoi pozitivisht. Vlerësimi i Komisionit është se Moldavia ka përmbushur kushtet e kërkuara për të hapur grupkapitujt: një (vlerat themelore), gjashtë (marrëdhëniet e jashtme) dhe dy (tregu i brendshëm). Komisioni pret që Moldavia të përmbushë gjithashtu kushtet për të hapur tre grupkapitujt e mbetur dhe punon për të siguruar që Këshilli të jetë në gjendje të çojë përpara hapjen e të gjithë grupkapitujve para fundit të vitit. Qeveria e Moldavisë ka sinjalizuar objektivin e saj për të mbyllur negociatat e pranimit deri në fillim të vitit 2028. Komisioni është i angazhuar për të mbështetur këtë objektiv, i cili është ambicioz, por i arritshëm, me kusht që Moldavia të përshpejtojë ritmin aktual të reformave. Ruajtja e momentumit të reformave është thelbësore, e përforcuar nga mbështetja e fortë parlamentare për rrugën europiane të vendit pas zgjedhjeve në shtator.

Polarizimi në shoqërinë serbe është thelluar në rrethana të protestave masive që po zhvillohen në të gjithë Serbinë që nga nëntori i vitit 2024, duke pasqyruar zhgënjimin e qytetarëve për shkak, ndër të tjera, të korrupsionit dhe mungesës së perceptuar të llogaridhënies dhe transparencës, së bashku me raste të përdorimit të tepërt të forcës kundër protestuesve dhe presionit mbi shoqërinë civile. Kjo ka çuar në një mjedis gjithnjë e më të vështirë ku retorika përçarëse ka çuar në një erozion serioz të besimit midis palëve, gjë që, nga ana tjetër, ndikon në procesin integrues. Reformat janë ngadalësuar ndjeshëm. Ndërsa pranohen disa zhvillime të fundit, të tilla si rinisja e procedurës së përzgjedhjes së Këshillit të ri të organit rregullator për median elektronike (REM) dhe progresi në procesin legjislativ për Ligjin për një regjistër të unifikuar të votuesve, të cilat tani duhet të përfundojnë dhe zbatohen, si dhe kohëve të fundit përafrim më i madh me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, e cila duhet të ndiqet,që do të thotë duhet bërë më shumë. Serbia pritet të kapërcejë ngecjen në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore në përgjithësi dhe urgjentisht ta ndalë kthimin prapa në lirinë e shprehjes dhe erozionin e lirisë akademike. Vlerësimi i Komisionit nga viti 2021 se Serbia kishte përmbushur kriteret e hapjes për grupkapitullin 3 (konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse) mbetet i vlefshëm.

Maqedonia e Veriut vazhdoi punën në udhërrëfyesit për sundimin e ligjit, reformën e administratës publike dhe funksionimin e institucioneve demokratike, si dhe në planin e veprimit për mbrojtjen e pakicave. Nevojiten veprime të mëtejshme të shpejta dhe vendimtare mbi kriteret e hapjes, në përputhje me kornizën negociuese, me qëllim hapjen e grupkapitullit të parë sa më shpejt të jetë e mundur dhe kur të përmbushen kushtet përkatëse. Maqedonia e Veriut duhet të intensifikojë përpjekjet për të mbështetur sundimin e ligjit, duke mbrojtur pavarësinë dhe integritetin gjyqësor, dhe duke forcuar luftën kundër korrupsionit. Vendi gjithashtu duhet të miratojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e popujve të tjerë, siç janë bullgarët, siç përshkruhet në Konkluzat e Këshillit të korrikut 2022, të cilat vendi u zotua t'i nisë dhe t'i arrijë.

Bosnjë dhe Hercegovinë, kriza politike në entitetin Republika Srpska dhe fundi i koalicionit qeverisës kanë minuar progresin në rrugën integruese për në BE, duke rezultuar në reforma të kufizuara, përkatësisht në mbrojtjen e të dhënave dhe kontrollin e kufijve, si dhe nënshkrimin e marrëveshjes së statusit të Frontex-it. Në aspektin pozitiv, Bosnja dhe Hercegovina dorëzoi në shtator 2025 Axhendën e saj të Reformave Komisionit Europian. Pas ndryshimeve të fundit institucionale në entitetin Republika Srpska, Bosnja dhe Hercegovina ka mundësinë të zbatojë reformat në rrugën drejt BE-së. Për të filluar në mënyrë efektive negociatat e pranimit, autoritetet duhet së pari të finalizojnë dhe miratojnë ligjet e reformës gjyqësore, në përputhje të plotë me standardet europiane, dhe të emërojnë një kryenegociator.

Kosova ka mbetur e përkushtuar ndaj rrugës së saj europiane, me një nivel të lartë mbështetjeje publike. Vonesa në formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit ngadalësoi progresin e reformave të lidhura me BE-në. Forcimi i bashkëpunimit ndërpartiak dhe ripërcaktimi i përparësive të këtyre reformave është i nevojshëm që Kosova të rikthehet në rrugën e saj drejt BE-së. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe zbatimi i angazhimeve të Dialogut mbeten një pjesë integrale e perspektivës europiane të Kosovës. Komisioni është gati të përgatisë një Opinion mbi kërkesën e anëtarësimit të Kosovës, nëse një gë e tillë kërkohet nga Këshilli. Komisioni ka ndërmarrë hapat e parë për të hequr gradualisht masat kundër Kosovës që janë në fuqi nga maji i vitit 2025. Hapat e mëtejshëm mbeten të kushtëzuar nga një ulje e qëndrueshme e tensioneve në Veri. Komisioni synon t'i heqë më tej këto masa me kusht që të arrihet një transfer i rregullt i qeverisjes lokale në Veri pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe të ruhet ulja e tensioneve.

Turqia mbetet vend kandidat dhe partner kyç për BE-në. Në përputhje me konkluzat e Këshillit Europian të prillit 2024, BE-ja ka avancuar marrëdhëniet me Turqinë në formë të fazave, proporcionale dhe të kthyeshme, duke u angazhuar në prioritete të përbashkëta. Rifillimi i bisedimeve për zgjidhjen e çështjes së Qipros është një element kyç i bashkëpunimit. Në të njëjtën kohë, veprimet ligjore në rritje kundër figurave dhe partive të opozitës, së bashku me arrestime të shumta të tjera, ngrenë shqetësime serioze në lidhje me respektimin e vlerave demokratike nga ana e Turqisë. Ndërsa dialogu mbi sundimin e ligjit mbetet qendror në marrëdhëniet BE-Turqi, përkeqësimi i standardeve demokratike, pavarësisë gjyqësore dhe të drejtave themelore ende nuk është adresuar. Negociatat e pranimit me Turqinë mbeten në një ngërç që nga viti 2018.

Në vitin 2024, Këshilli Europian arriti në përfundimin se procesi i pranimit të Gjeorgjisë në BE ishte ndalur de facto. Që atëherë, situata është përkeqësuar ndjeshëm, me një kthim serioz demokratik mbrapa të shënuar nga një erozion i shpejtë i sundimit të ligjit dhe kufizime të rënda mbi të drejtat themelore. Kjo përfshin legjislacionin që kufizon rëndë hapësirën qytetare, minon lirinë e shprehjes dhe të tubimit dhe shkel parimin e mosdiskriminimit. Autoritetet gjeorgjiane duhet urgjentisht të ndalin kthimin demokratik mbrapa dhe të ndërmarrin përpjekje gjithëpërfshirëse dhe të prekshme për të adresuar shqetësimet e pazgjidhura dhe reformat kyçe të mbështetura nga bashkëpunimi ndërpartiak dhe angazhimi qytetar, në përputhje me vlerat e BE-së.

Pas përfundimeve të Këshillit Evropian të dhjetorit 2024 dhe në dritën e prapambetjes së vazhdueshme të Gjeorgjisë, Komisioni e konsideron Gjeorgjinë një vend kandidat vetëm në emër. Autoritetet gjeorgjiane duhet të demonstrojnë një angazhim të vendosur për të ndryshuar kursin dhe për t'u rikthyer në rrugën e pranimit në BE.

 

Hapat e ardhshëm

 

Tani i takon Këshillit të shqyrtojë rekomandimet e sotme të Komisionit dhe të marrë vendime mbi hapat e ardhshëm në procesin e zgjerimit.

 

Konteksti

 

Zgjerimi është një proces i rreptë, i drejtë dhe i bazuar në meritë, i bazuar në progresin objektiv të secilit vend në zgjerim. BE mbështet forcimin e institucioneve, qeverisjes demokratike dhe reformave të administratës publike në të gjitha këto vende.

Duke nxitur integrimin gradual, BE-ja sjell përfitime edhe para anëtarësimit. Iniciativa të tilla si Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor, Plani i Rritjes prej 1.9 miliardë eurosh për Moldavinë dhe Instrumenti prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën u munëdosojnë vendeve të përparojnë në reformat e tyre, si dhe të krijojnë lidhje më të forta me BE-në, si përmes integrimit gradual dhe pjesëmarrjes në SEPA dhe "Roam Like at Home".

Çdo zgjerim e ka bërë Unionin tonë më të fortë. Kur dhjetë vende iu bashkuan BE-së në vitin 2004, kjo shënoi zgjerimin më të madh të Unionit ndonjëherë. Në dy dekadat që nga ajo kohë, anëtaret e reja kanë parë standardin e jetesës të dyfishohet, papunësia të bie me gati përgjysëm, jetëgjatësia të rritet nga 75 në 79 vjet, varfëria dhe përjashtimi social të bien ndjeshëm dhe 6 milionë vende të reja pune të krijuara. Për anëtarët e tanishëm, tregtia është shumëfishuar më shumë se pesëfish që atëherë, ndërsa janë krijuar edhe 20 milionë vende pune. Për BE-në në tërësi, Tregu i Përbashkët fitoi 74 milionë konsumatorë të rinj në atë kohë dhe ekonomia e BE-së është zgjeruar me 27% pavarësisht krizave globale.

 

Për më shumë informacion

2025 Communication on EU Enlargement Policy – Enlargement and Eastern Neighbourhood Factsheet on the EU accession process

Factsheet on the accession negotiations state of play

 

Për të gjetura dhe rekomandime të detajuara

Montenegro: Report; Factsheet Albania: Report; FactsheetUkraine: Report; FactsheetMoldova: Report; FactsheetSerbia: Report; Factsheet

North Macedonia: Report; Factsheet Bosnia and Herzegovina: Report; FactsheetKosovo: Report; Factsheet

Türkiye: Report; Factsheet

Georgia: Report; Factsheet