Pipa për pije nga kashta e grurit– një hap i vogël, por i rëndësishëm në rrugën drejt ekonomisë rrethore
Me mbështetjen e BE-së, ZIP po prodhon pipa për pije nga kashta 100% të biodegradueshme nga kërcejtë e mbetur të grurit. Lënda e parë merret nga një partner lokal dhe më pas dezinfektohet dhe piqet në një furrë të specializuar për të forcuar kërcejtë e kashtës - të gjitha pa aditivë kimikë. Duke shndërruar mbetjet e grurit në një produkt të dobishëm, iniciativa ofron një alternativë ekologjike kundrejt pipave plastikë konvencionalë, duke përdorur materiale që përndryshe do të mbeteshin të papërdorura.
E themeluar në vitin 2012, ZIP punon në fushën e demokracisë, zhvillimit rural, varfërisë energjetike dhe mbrojtjen e mjedisit. Krahas këtyre përpjekjeve më të gjera, iniciativa e pipave të kashtës pasqyron qasjen praktike të organizatës për të trajtuar ndotjen dhe mbetjet përmes zgjidhjeve lokale dhe të shkallëzueshme. ZIP pret të rrisë prodhimin në 2 deri në 3 milionë pipa të kashtës në muaj sapo kapacitetet prodhuese të janë plotësisht funksionale. “Falë mbështetjes së projektit të financuar nga BE-ja, i cili financoi furrën, procesi i prodhimit mund të nisë në shkallë të plotë. Duke prodhuar në vend, ne synojmë të ulim kostot e prodhimit dhe t'u ofrojmë restoranteve një alternativë ekologjike me një çmim të arritshëm dhe të drejtë”, thotë Ivana Simjanoska nga Instituti ZIP.
Iniciativa mbështetet përmes projektit “Shoqëria Civile dhe të Rinjtë për Zhvillim Gjithëpërfshirës dhe të Qëndrueshëm përmes Ekonomisë Rrethore në Maqedoninë e Veriut”, i zbatuar nga People in Need në bashkëpunim me ARNO, LEAD dhe Ekovita. Qëllimi më i gjerë është të mbështetet tranzicioni i Maqedonisë së Veriut nga një ekonomi lineare në një ekonomi rrethore — duke zvogëluar mbeturinat, duke i trajtuar mbeturinat si burim dhe duke promovuar riciklimin dhe ripërdorimin.