Presidentja e Komisionit Europian von der Leyen viziton Maqedoninë e Veriut

Si pjesë e turneut të saj vjetor në Ballkanin Perëndimor, më 15 tetor, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, vizitoi Maqedoninë e Veriut. Ajo zhvilloi takime me Kryeministrin Hristijan Mickoski, Presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe Kryetarin e Parlamentit Afrim Gashi.

 

Turneu ishte një rast për Presidenten von der Leyen për të përsëritur mbështetjen e BE-së për anëtarësimin e rajonit në BE dhe për të theksuar se si BE-ja po e realizon Planin e Rritjes.

“Ne mbetemi plotësisht në mbështetje të Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt BE-së. Mund të mbështeteni tek ne. Hapi tjetër dhe i vetëm para hapjes së negociatave është i qartë. Ju duhet të bëni ndryshimet kushtetuese të dakorduara. Topi është në fushën tuaj. BE-ja është gati. Ndërkohë, ne po e afrojmë vendin me ne. Kjo është ajo që përfaqëson Plani i Rritjes! Po hapim një antenë të fabrikës së inteligjencës artificiale në Shkup. Po ju përfshijmë në Zonën e Vetme të Pagesave të Europës. Dhe po alokojmë 16 milionë euro falë reformave që keni bërë”, postoi Presidentja në X pas takimeve të saj në Shkup.

Gjatë vizitës së saj në rajon, Presidentja e përshëndeti kyçjen e Maqedonisë së Veriut, së bashku me Shqipërinë dhe Malin e Zi, në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA). Kompanitë dhe qytetarët tani mund të dërgojnë para në/nga BE me shpenzime shumë të zvogëluara. “Tarifat e transaksioneve në Ballkanin Perëndimor dikur ishin deri në gjashtë herë më të larta se në Unionin tonë. Anëtarësimi në SEPA do t'u kursejë kompanive tuaja afërsisht 500 milionë euro në vit. Këto janë para të vërteta në bilancin tuaj. Para që mund t'i investoni aty ku ka më shumë rëndësi”, tha ajo në Tiranë.

Presidentja njoftoi gjithashtu se në Maqedoninë e Veriut do të hapet një nga Antenat e reja të Fabrikave të IA-së, duke e lidhur vendin me infrastrukturën e inteligjencës artificiale të nivelit botëror të Europës. “Meqenëse dua që e ardhmja e IA-së të bëhet në Europë, dua që Ballkani Perëndimor të jetë në zemrën e tij”, tha ajo.