Solidariteti me Koçanin në fokus të Muajit të Europës 2025

25 maji ishte një ditë jashtëzakonisht e ftohtë dhe me shi për këtë kohë të vitit. Megjithatë, shpatet e malit Vodno mbi Shkup ishin përplot me njerëz. Qindra njerëz - të të gjitha moshave - dolën në vijën e nisjes për vrapime në distancë prej 5 km dhe 10 km, të udhëhequr nga dëshira për të treguar solidaritet dhe për të ndihmuar në grumbullimin e fondeve për të goditurit nga zjarri i 16 marsit në një klub nate në Koçanë. Njëkohësisht, në kushte të ngjashme moti, por me të njëjtin entuziazëm, vrapime humanitare u mbajtën në gjashtë qytete të tjera - Manastir, Kriva Pallankë, Strugë, Strumicë, Tetovë dhe Veles. Krahas qytetarëve, vrapuan ambasadorë dhe të punësuarit nga Delegacioni dhe ambasadat e Shteteve Anëtare. Numri i vrapuesve të regjistruar ishte mbi 3,300.
“Të gjithë për Koçanin. Vrapojmë së bashku” ishte eventi kryesor në vazhdën e ngjarjeve që Delegacioni i BE-së dhe rrjeti i Europe House, së bashku me ambasadat e Shteteve Anëtare, organizuan gjatë muajit maj për të shënuar Ditën e Europës në një mënyrë që nxori në pah vlerat thelbësore të BE-së - unitetin dhe solidaritetin.
Mbështetja e BE-së për Koçanin filloi menjëherë pas tragjedisë, e cila mori jetën e 62 personave - kryesisht të rinj - dhe lëndoi pothuajse 200 njerëz. Me aktivizimin e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, 115 pacientë me djegie të rënda u transportuan shpejt për trajtim në Shtetet Anëtare të BE-së dhe vendet partnere. Për shumë prej tyre, ky reagim në kohë ua shpëtoi jetën.
Përveç garave humanitare, në pritjen e Delegacionit të BE-së me rastin e Ditës së Europës në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup - një simbol i rezistencës dhe solidaritetit - u hap një ekspozitë në bashkëpunim me shoqatën kombëtare të artistëve - DLUM. Artistët vendas dhuruan me zemërgjerësi veprat e tyre, të cilat u vunë në shitje për të mbledhur fonde në mbështetje të atyre që pësuan nga tragjedia.
Shuma e mbledhur nga regjistrimi i vrapuesve dhe shitja e veprave të artit të dhuruara arriti në gati 1.5 milion denarë (mbi 24,000 euro). Këto fonde u transferuan drejtpërdrejt në llogarinë e Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut, i cili do t'ua shpërndajë ato atyre që kanë nevojë.
Përveç ndihmës së menjëhershme, Delegacioni i BE-së siguroi gjithashtu mbështetje psikosociale afatgjatë për banorët e Koçanit përmes Qendrës për Punë Psikosociale dhe Kriza. Shtetet Anëtare po ofrojnë gjithashtu forma të ndryshme mbështetjeje përmes mekanizmave të tyre kombëtarë. Për shembull, Ambasada e Suedisë po organizon një vizitë të një delegacioni nga Goteborg, një qytet që përjetoi një tragjedi të ngjashme në vitin 1998, i cili do të ndajë përvojën me qytetarët e Koçanit se si të përballen me traumën kolektive.