Takimi i 17-të i Nënkomitetit të Marrëveshjes për stabilizim dhe asociim midis Komisionit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut për drejtësi, liri dhe siguri
Takimi i 17-të i Nënkomitetit për stabilizim dhe asociim për drejtësi, liri dhe siguri midis Maqedonisë së Veriut dhe Komisionit Evropian është mbajtur në Bruksel, më 15-16 mars të vitit 2023. Takimi u bashkë-kryesua nga znj. Mikaela Matuella, ushtruese e detyrës dhe udhëheqëse e njësisë për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut në Drejtorinë e përgjithshme për politikat evropiane të fqinjësisë dhe negociatat e zgjerimit në Komisionin Evropian dhe nga znj. Svetlana Vlahoviq Dimanovska, udhëheqëse e sektorit për negociata dhe integrim në BE në kuadër të Ministrisë së punëve të brendshme të Maqedonisë së Veriut.
Nënkomisioni mori në shqyrtim zhvillimet lidhur me fushat e mbuluara në kapitujt 23 Gjyqësori dhe të Drejtat themelore dhe 24 Drejtësia, liria dhe siguria.
Institucionet nacionale nënvizuan se reformat gjyqësore mbeten një prioritet kryesor. Komisioni njohu përparimin e arritur dhe theksoi nevojën për të vazhduar zbatimin e legjislacionit gjyqësor, duke përfshirë rregullat për emërimet, ngritjet në detyrë, procedurat disiplniore dhe për shkarkim të gjyqtarëve dhe prokurorëve në bazë të meritës. Duhet të konsolidohen arritjet në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, duke përfshirë në korrupsionin në nivel të lartë.
Në lidhje me të drejtat themelore, Komisioni inkurajoi zbatimin e legjislacionit kundër diskriminimit dhe për mbrojtje kundër dhunës në familje. Insitucionet duhet të zbatojnë Konventën për të drejtat e fëmijës dhe të përgatisin një Plan nacional për veprim për fëmijët. Komisioni theksoi nevojën për të rritur përpjekjet për të adresuar rekomandimet e Komitetit Evropian për parandalimin e torturës. Gjithashtu u diskutuan liria e mediave dhe siguria e gazetarëve dhe reforma në shërbimin radiodifuziv publik.
Në lidhje me çështjet e brendshme, nënkomiteti vuri në dukje përparimin e arritur në zhvillimin e kornizës strategjike dhe ligjore në fushën e larjes të parave, hetimeve financiare dhe ngrirjes dhe konfiskimit të pasurive, si dhe në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, duke theksuar nevojën për të përmirësuar zbatimin. U vu në dukje nevoja për përparim të mëtejshëm në përputhje me rekomandimet e shquara të GREKO-s. Komisioni Evropian inkurajoi rritjen e bashkëpunimit me CEPOL dhe EUROPOL. Bashkëpunimi i mirë i vazhdueshëm, duke përfshirë bashkëpunimin në kuadër të EMPACT, kontribuon në luftën kundër krimit të organizuar.
Nënkomiteti përshëndeti përparimin e bërë në Marrëveshjen zbatuese të "Planit të përbashkët të veprimit për luftën kundër terrorizmit për Ballkanin Perëndimor". Nënkomiteti është pajtuar për nevojën për të menaxhuar qarkullimet e përziera të migracionit duke marrë parasysh aspektet e sigurisë dhe humanitare. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të zbatuar procedurat e azilit në përputhje me Sistemin e përbashkët evropian të azilit. Nënkomiteti përshëndeti përfundimin e Marrëveshjes së statusit midis BE-së dhe Maqedonisë së Veriut mbi aktivitetet operacionale të kryera nga Agjencia evropiane e kufirit dhe rojës bregdetare (Frontex) dhe hyrjen e saj të afërt në fuqi.