Takimi i 20-të i Nënkomitetit të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim me Maqedoninë e Veriut për Drejtësi, Liri dhe Siguri

Takimi i 20-të i Nënkomitetit të Stabilizim-Asociimit për Drejtësi, Liri dhe Siguri me Maqedoninë e Veriut u mbajt në Shkup më 12 dhe 13 mars 2026. Takimi u bashkëkryesua për Maqedoninë e Veriut nga znj. Eva Ilievska, Udhëheqëse e Sektorit për Integrim në BE dhe Negociata në Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe znj. Bojana Bosillkova, Ushtruese e Detyrës së Udhëheqëses së Departamentit për BE në Ministrinë e Drejtësisë, ndërsa për Komisionin Evropian nga znj. Sigrid Brettel, Udhëheqëse e Njësisë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësinë Lindore. Nënkomiteti shqyrtoi zhvillimet në fushat e përfshira nga Kapitulli 23 (Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore) dhe Kapitulli 24 (Drejtësia, Liria dhe Siguria). 

Duke rikujtuar vlerësimin e dhënë në raportin vjetor të vitit 2025, Komisioni u bëri thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut të bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të siguruar pavarësinë, profesionalizmin, transparencën dhe paanshmërinë e gjyqësorit. Komisioni shprehu shqetësim lidhur me rastet e ndërhyrjes së jashtme dhe presionit politik në gjyqësor. Komisioni theksoi se Këshilli Gjyqësor është një pjesë integrale e një gjyqësori të pavarur. Komisioni shprehu shqetësim lidhur me procedurën e shkarkimit ndaj ish-Kryeprokurorit, që rezultoi në dorëheqjen e tij, veçanërisht sa i përket sigurimit të garancive të mjaftueshme kundër politizimit. 

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut prezantuan progresin në zbatimin e Strategjisë për Reformën në Gjyqësor për periudhën 2024–2028, si dhe gjendjen e përgjithshme të rishikimit legjislativ, përfshirë miratimin e një Ligji të ri për Këshillin Gjyqësor, si dhe punën në lidhje me Ligjin për Gjykatat, Ligjin për Prokurorinë Publike dhe Ligjin për Këshillin e Prokurorëve Publikë. 

Komisioni ritheksoi nevojën për shtimin e përpjekjeve në luftën kundër korrupsionit, përfshirë përmes alokimit të burimeve të mjaftueshme njerëzore dhe financiare, me qëllim krijimin e një historie të qëndrueshme suksesi në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta. Autoritetet e Maqedonisë së Veriut prezantuan progresin e tyre në zbatimin e Strategjisë për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, si dhe punën përgatitore për hartimin e Strategjisë së re për periudhën 2026–2030. Autoritetet gjithashtu konfirmuar se po përgatitet Kod i ri penal dhe Ligj i ri për procedurën penale. Komisioni theksoi se ky ishte një hap thelbësor i Agjendës së Reformave në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, dhe konfirmoi se është i gatshëm të ofrojë ekspertizë teknike. 

Sa i përket të drejtave themelore, Komisioni përsëri u bëri thirrje autoriteteve të përmirësojnë ndjeshëm kushtet në burgje, në përputhje me rekomandimet e Komitetit për Parandalimin e Torturës dhe rekomandimet e Komitetit të OKB-së kundër Torturës, si dhe të vazhdojnë angazhimin me këtë Komitet. Autoritetet ndanë përditësimet më të fundit mbi zbatimin e Ligjit për mediat, pas përfshirjes së mediave online në legjislacion. Komisioni u bëri thirrje autoriteteve të miratojnë legjislacion specifik për paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (LSPSKPP).  Komisioni inkurajoi personel të specializuar të mjaftueshëm dhe alokim të burimeve financiare për Avokatin e Popullit dhe Komisionin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, duke u mundësuar në këtë mënyrë të ushtrojnë plotësisht mandatet e tyre përkatëse. Komisioni theksoi nevojën për përafrim të mëtejshëm legjislativ me acquis-in e BE-së në fushën e lirisë së shprehjes, mosdiskriminimit, barazisë gjinore dhe politikave për luftimin e dhunës me bazë gjinore, si dhe nevojën për të siguruar disponueshmërinë dhe qasjen në shërbime të specializuara mbështetëse për viktimat. 

Sa i përket luftës kundër krimit të rëndë dhe të organizuar, Komisioni u bëri thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut të forcojnë më tej bashkëpunimin me shtetet anëtare dhe agjencitë e BE-së. Pritet që Maqedonia e Veriut të përafrojë më tej kuadrin e saj ligjor dhe strategjik me acquis-in e BE-së në këtë fushë. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për forcimin e kapaciteteve administrative dhe operacionale për të luftuar në mënyrë efektive krimin e rëndë dhe të organizuar.Komisioni inkurajoi Maqedoninë e Veriut të vazhdojë progresin në krijimin e një historie të qëndrueshme suksesi në hetime, ndjekje penale dhe dënime. 

Sa i përket bashkëpunimit në fushën e drogave, Komisioni theksoi nevojën për të bërë përparim të shpejtë në nënshkrimin e marrëveshjes së punës me Agjencinë e BE-së për Drogat. Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë përpjekjet për funksionalizimin e plotë të Observatorit Kombëtar të Drogave dhe për krijimin e një sistemi kombëtar të paralajmërimit të hershëm. Sa i përket parandalimit dhe luftimit të terrorizmit, Komisioni mirëpriti progresin e arritur në përgatitjen e një udhërrëfyesi kombëtar dhe një plani veprimi për zbatimin e Planit të ri të Përbashkët të Veprimit për luftimin e terrorizmit në Ballkanin Perëndimor. 

Sa i përket migracionit dhe menaxhimit të kufijve, Komisioni mirëpriti zbatimin e vazhdueshëm të Planit të Veprimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë të përmirësojë menaxhimin e migracionit të ligjshëm dhe të parregullt, si dhe të forcojë luftën kundër kontrabandimit të migrantëve. Prioritet duhet t'i jepet përgatitjes së Planit të Veprimit për Shengenin, me qëllim përgatitje për zbatimin e acquis-it të Shengenit pas anëtarësimit.