Ekspozitë e re në Rezidencën e BE-së, këtë herë për promovimin e qëllimeve të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane

11.03.2022

Duke shkatërruar biodiversitetin, njerëzimi po ‘shkrin bibliotekën e jetës’. Këtë rrezik e theksojnë disa artistë, përmes veprave të tyre. Dhe bëjnë thirrje për veprim të menjëhershëm nga të gjithë ne. Para se të jetë shumë vonë!

 

Pas organizimit të dy ekspozitave të frymëzuara nga pandemia vitin e kaluar, të cilat kishin për qëllim të kthejnë mërzinë në krijimtari dhe art si një mënyrë për të "shpëtuar" nga realiteti, rezidenca e BE-së është vendi i shfaqjeve të tjera të veprave të artit.

Ekspozita, e hapur në 10 mars nga ambasadori Dejvid Geer dhe zonja e parë Elizabeta Gjorgjievska, është pjesë e fushatës së delegacionit të BE-së, që promovon qëllimet dhe mundësitë e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane. Marrëveshja e Gjelbër ka të bëjë me jetesën, prodhimin dhe përmbushjen e nevojave tona me kosto minimale për planetin dhe burimet e tij. Bëhet fjalë për trajtimin e pasojave të ndryshimeve klimatike, shpëtimin e biodiversitetit dhe zhvillim të qëndrueshëm.

 

https://twitter.com/AmbassadorEU/status/1501948392854863880?cxt=HHwWkICqseGG_9cpAAAA

 

Veprat e artistëve Vana Urosheviq, Zoran Todoviq, Velimir Zhernovski, Maja Kirovska, Nenad Tonkin dhe Ozbek Ajvaz, zgjedhur nga Galeria Akanthus e Shkupit, pasqyrojnë aspekte të ndryshme. Si riciklimi – jo vetëm si një mënyrë për të ruajtur burimet, por edhe për të stimuluar krijimtarinë; ose në varësinë tonë të pa ndarë me natyrën. Dhe fuqinë e saj shëruese.

Këto vepra do të shërbejnë si ushqim për të menduar për debatet që delegacioni i BE-së do të organizojë në muajt e ardhshëm. Me pjesëmarrjen e fëmijëve, studentëve, shoqërisë civile, autoriteteve dhe akademisë, punëtoritë do të ofrojnë një forum për diskutim rreth çështjeve më të rëndësishme që kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Gjelbër në Maqedoninë e Veriut – një nga vendet më të cenueshme në Evropë ndaj ndryshimeve klimatike - dhe zgjidhjeve të mundshme.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri më 20 maj 2022. Rezervime për vizitën dhe bileta pa pagesë mund të siguroni nëpërmjet faqes në Facebook ‘EU za Kultura’ https://www.facebook.com/euzakultura