IDAHOT 2022: Të flasësh hapur kundër padrejtësisë, pabarazisë dhe paragjykimit ndërsa feston arritjet
Më 17 maj, përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, Zonja e Parë Elizabeta Gjorgjievska, Parlamenti, shoqëria civile, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe mediat u mblodhën në rezidencën e BE-së në Shkup për të shënuar IDAHOT - përmes një debati se si të promovohen dhe mbrohen të drejtat e lezbikeve, personave homoseksualë, biseksualë, transgjinorë, jobinarë, interseksualë dhe queer (LGBTIQ) në Maqedoninë e Veriut.
Në hapjen e debatit, ambasadori David Geer përkujtoi se BE-ja është ndër të tjera një union vlerash, ndër të cilat më kryesorja është respektimi i parimit të barazisë dhe mosdiskriminimit. Ky parim është i pasqyruar në traktatet e BE-së, si dhe në Kartën e të Drejtave Themelore të BE-së - dokumenti i parë ndërkombëtar për të drejtat e njeriut që ndalon në mënyrë eksplicite diskriminimin në bazë të orientimit seksual. “Në Maqedoninë e Veriut ka pasur përparim, por mbetet shumë për t’u bërë. Paragjykimet shoqërore, gjuha e urrejtjes, krimi në bazë të urrejtjes, diskriminimi dhe jotoleranca ndaj personave të komunitetit LGBTIQ vazhdojnë, dhe rastet e kërcënimeve dhe dhunës aktuale, përfshirë sulmin e fundit ndaj aktivistit Bekim Asani, kërkojnë epilog të duhur. Projektligji për njohjen juridike gjinore është tërhequr nga Kuvendi, pavarësisht vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut për këtë çështje, tha Ambasadori i BE-së.
Megjithatë, siç theksoi Geer, ky nuk është momenti për pesimizëm – 50 vitet e fundit kanë treguar se ndryshimi i vërtetë është i mundur. “Kjo kërkon energji, guxim dhe vendosmëri. Është detyrë e shumë faktorëve: aktivistëve, gazetarëve, gjyqtarëve, ligjvënësve dhe partnerëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë”, tha ai.
https://twitter.com/AmbassadorEU/status/1526846267627798528
Ambasadorja e SHBA-së Kate Marie Byrnes deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë qenë ndër liderët në botë në avancimin e të drejtave të individëve LGBTIQ dhe SHBA-të kanë nderin të qëndrojnë me partnerët në Maqedoninë e Veriut dhe BE-në për të siguruar zgjerimin e mundësive dhe minimizimin si dhe eliminimin e ngacmimeve dhe paragjykimeve. “Unë besoj se një angazhim i qartë për të drejtat themelore të njeriut, vetëvendosjes dhe përfshirjes për personat LGBTIQ mund të jetë pjesë e punës së rëndësishme që duhet të bëhet në të ardhmen”, tha ajo.
Sipas Zonjës së Parë Gjorgjievska, të gjithë duhet të punojnë së bashku për të promovuar të drejtat e secilit komunitet, veçanërisht kur bëhet fjalë për komunitetet vulnerabël. “Barazia në gëzimin e të drejtave themelore, qasja në drejtësi, kujdesin social dhe shëndetësor, mundësi të barabarta në arsim dhe punësim duhet t'i mundësohen çdo anëtari të komunitetit tonë, pavarësisht orientimit seksual dhe identitetit gjinor, “të kenë një të ardhme të parashikueshme dhe të qëndrueshme.”
Gjatë këtij eventi, u prezantuan rezultatet e një hulumtimi të bërë nga Koalicioni Margini: personat e intervistuar nga komuniteti LGBTIQ theksuan përshkrimet stigmatizuese të LGBTIQ-së në diskursin publik si një nga burimet kryesore të shtypjes dhe pabarazisë.
Në një deklaratë declaration me rastin e IDAHOT, të lëshuar në emër të BE-së, Përfaqësuesit të Lartë/Zëvendës kryetarit Josep Borrell u vu në dukje se pavarësisht progresit të bërë në mbarë botën gjatë dhjetë viteve të fundit, diskriminimi dhe përjashtimi për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor vazhdojnë. Për më tepër, ka edhe një kthim mbrapa në të drejtat e personave LGBTIQ, përfshirë edhe kontekstin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Ne duhet të përpiqemi të ndërtojmë shoqëri paqësore, përfshirëse, ku të gjithë mund të përparojnë dhe të ndjehen të sigurt, thuhet në deklaratë.