Komisioni Evropian dhe Maqedonia e Veriut mbajtën Komitetin e Shtatë Monitorues të IPA-s

Komisioni Evropian dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbajtën takimin vjetor të Komitetit të Monitorimit për Instrumentin e Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA) më 22 mars 2022.  Takimi u drejtua nga z. Bojan Mariçiq, Koordinator Kombëtar i IPA-s, për Maqedoninë e Veriut dhe nga znj. Michela Matuella, Drejtore e Përkohshme, Ballkani Perëndimor, për Komisionin Evropian.

Komisioni përsëriti angazhimin e tij për të shoqëruar Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt BE-së, duke përfshirë ndihmën financiare të BE-së, dhe të përgatitet për hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësim, sa më shpejt të jetë e mundur.

Komisioni dhe Maqedonia e Veriut shqyrtuan progresin e përgjithshëm në programet e vazhdueshme të BE-së në të gjithë sektorët, duke përfshirë mbështetjen për KOVID-19 në vend. Programi “BE për Rezistencë Sociale dhe Ekonomike” prej 40 milionë euro përfundoi me sukses. Më shumë se 4,400 kompani dhe mbi 7,000 gra dhe burra në rrezik nga papunësia morën mbështetje gjatë pandemisë së KOVID-19. Programi ka krijuar nxitje për investime dhe rritje, duke u ofruar bizneseve mundësi të bëhen të qëndrueshme dhe të rëndësishme në kontekstin ekonomik evropian.

Ata gjithashtu shqyrtuan aftësinë e autoriteteve kombëtare për menaxhim të fondeve të BE-së. Autoritetet kombëtare duhet të forcojnë kapacitetet e stafit për sa i përket numrit dhe cilësisë, në mënyrë që të kapërcejnë vonesat në zbatim dhe të shfrytëzojnë sa më shumë ndihmën e BE-së. Kjo është thelbësore për zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor dhe fondet e ardhshme të BE-së, si dhe për përgatitjen për menaxhimin e suksesshëm të Fondeve Strukturore Evropiane.