Nënkomiteti i 18-të BE-Maqedonia e Veriut për Inovacion, Shoqëri Informatike dhe Politikë Sociale

Takimi i 18-të i Nënkomitetit për Arsim, Kërkim dhe Inovacion, Shoqëri Informatike dhe Politikë Sociale në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut u mbajt më 28 Prill 2022. Përfaqësuesit nga Komisioni Evropian (Komisioni) diskutuan me autoritetet përkatëse nga Maqedonia e Veriut zhvillimet më të fundit në këto fusha. Takimi u bashkëkryesua, nga ana e BE-së, z. Alberto Cammarata, zëvendës shef i Njësisë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit të Komisionit Evropian, dhe për Republikën e Maqedonisë së Veriut nga z. Admirim Aliti. Ministër për Shoqëri Informatike dhe Administratë.

Komisioni vlerësoi përpjekjet e bëra nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për tejkalimin e efekteve të pandemisë në tregun e punës, si dhe në sektorin e arsimit dhe kulturës, veçanërisht në lidhje me grupet më vulnerabël. Ai nënvizoi nevojën e rritjes së alokimit financiar për politikat e punësimit, mbrojtjen sociale, arsimin, kërkimin dhe inovacionin dhe rolin e rëndësishëm të teknologjive dixhitale në mbështetjen e ekonomisë dhe zbutjen e efekteve të pandemisë.

Komisioni vlerësoi përpjekjet e Maqedonisë së Veriut të bëra gjatë vitit të kaluar në fushën e arsimit, duke nënvizuar nevojën për të forcuar zbatimin e reformës arsimore, me fokus në papunësinë e të rinjve dhe migrimin e të rinjve. Komisioni theksoi nevojën për të rritur shpërndarjen financiare për sistemin arsimor dhe përshëndeti zbatimin e mirë të Programit Erasmus+. Komisioni përshëndeti punën e konsiderueshme të bërë në fushën e sigurisë kibernetike dhe inkurajoi autoritetet e Maqedonisë së Veriut që të miratojnë Strategjinë Kombëtare të TIK-ut të vonuar. Komisioni gjithashtu nënvizoi se Maqedonia e Veriut duhet të përafrojë legjislacionin e saj me Kodin e Komunikimeve Elektronike të BE-së, Direktivën e BE-së për Reduktimin e çmimit të broadband-it dhe Direktivën e Sigurisë së Rrjetit dhe Informacionit (NIS).

Komisioni përshëndeti përpjekjet e bëra në fushën e punësimit dhe politikave të tregut të punës gjatë vitit të kaluar dhe përparimin e arritur në zbatimin e Garancisë për Rininë. Komisioni nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të kësaj rruge, duke përfshirë forcimin e inspektimit të punës, si dhe sigurimin e burimeve të mjaftueshme për tregun aktiv të punës dhe politikat e arsimit dhe trajnimit profesional. Komisioni theksoi nevojën për të shtuar përpjekjet për finalizimin dhe miratimin e ligjit të ri për marrëdhëniet e punës dhe njohu zhvillimet e dialogut social trepalësh në nivel kombëtar.

Komisioni përshëndeti përpjekjet e bëra nga Maqedonia e Veriut për të siguruar një ri-asociim gradual në Horizon Europe dhe theksoi performancën e mirë të vendit në kuadër të Horizon 2020. Komisioni inkurajoi fuqimisht autoritetet e Maqedonisë së Veriut që të finalizojnë miratimin e Strategjisë së Specializimit të zgjuar deri në fund të vitit 2022.